Kryesore » 2013 » Nëntor » 29 » FMN: Shqipëria e para në rajon për numrin e lartë të kredive të këqija
10:15 AM
FMN: Shqipëria e para në rajon për numrin e lartë të kredive të këqija

Shqipëria ka aktualisht nivelin më të lartë të kredive me probleme (hua jo performuese- NPL) në të gjithë Europën Qendrore e Lindore. Të dhënat bëhen të ditura në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Europën Qendrore Lindore dhe Juglindore. Me një nivel të huave të pakthyera në afat që janë afërsisht sa 25% e totalit të kredive, Shqipëria kryeson, e ndjekur nga Rumania dhe Serbia, që e kanë këtë tregues në rreth 20-21%. Kërcimi për Shqipërinë ka qenë mjaft i lartë, nga rreth 6% që ishte niveli i NPL-ve përpara krizës së 2008. Vendi e ka aktualisht këtë tregues rreth 10 pikë përqindjeje më të lartë se mesatarja e rajonit. Sipas raportit të FMN-së, niveli i NPL-ve është rritur me shpejtësi në shumë vende, që kur filloi kriza dhe tani ai është mesatarisht 14% për rajonin. Rritja e NPL-ve erdhi pas një zgjerimi shumë të fortë të kredidhënies në periudhën 2003–2008, që u ndërpre në mënyrë të papritur me krizën financiare globale 2008/09. Sipas disa gjetjeve të një grupi pune të Nismës së Vjenës për huatë e pakthyera në afat, një rritje me 10 pikë përqindje e NPL-ve redukton rritjen e huave me 4%. Me gjithë vështirësitë e krahasimit, rrjedhojë e ndryshimeve metodologjike midis vendeve në përpilimin e këtij treguesi, Shqipëria mbetet një nga vendet me rritjen më të lartë vjetore të këtij treguesi, përgjatë viteve të fundit. Ky realitet së fundi është bërë prezent dhe nga Banka Botërore, e cila pas një analize të 13 sektorëve të ekonomisë, në një paketë masash për shmangien kolapsit ekonomik i kërkon qeverisë shqiptare të zgjidhë sa më shpejt çështjen e kredive të këqija, si është çështja më e rëndësishme që duhet të adresohet nga autoritetet shqiptare.

Bankat dhe rënia e kreditimit

Huatë me probleme kanë arritur aktualisht në mbi 24% dhe kanë shfaqur vazhdimisht një tendencë rritëse përgjatë këtij viti, ndërsa vetëm në korrik u konstatua një ulje e lehtë. Niveli i tyre është më i larti në rajon, duke lënë pas vetëm Rumaninë dhe Serbinë. Stoku i lartë i huave me probleme është dhe një nga arsyet kryesore që bankat kanë ndërprerë dhënien e kredive, me huadhënien e për ekonominë që për shtatë muajt e parë të vitit ra me gati 1% me bazë vjetore, tkurrja e parë në më shumë se një dekadë. Situata e rëndë me kreditë e këqija është konfirmuar së fundmi dhe nga Banka Qendrore, raportet e të cilës kanë parashtruar se efektet e krizës ekonomike janë përkthyer në vështirësi për kthimin e kredive, niveli i të cilave ka arritur në mbi 24%. Në këto kushte, Banka Qendrore ka ndërhyrë përmes paketave rregulluese që synojnë ristrukturimin e kredive me probleme për individët dhe biznesin si dhe përmes lehtësimit të politikës monetare duke ulur normën bazë të interesit për lekun. Po ashtu, pak ditë më parë, Shoqata e Bankave deklaroi se kredidhënia vazhdon të shënojë rënie. Sipas saj, faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rënien e kredidhënies kanë qenë ulja e kërkesës për kredi, si nga individët ashtu edhe nga bizneset, si dhe shtrëngimi i kushteve të kredidhënies nga bankat, si pasojë edhe e rritjes së kredive me probleme. Kreditë me probleme kanë vijuar të rriten gjatë tremujorit të tretë 2013, duke arritur në 24.2 për qind të totalit të kredive në fund të muajit shtator.

- See more at: http://www.sot.com.al/ekonomia/fmn-shqip%C3%ABria-e-para-n%C3%AB-rajon-p%C3%ABr-numrin-e-lart%C3%AB-t%C3%AB-kredive-t%C3%AB-k%C3%ABqija#sthash.5K3H6Uig.dpuf
Views: 974 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player