Kryesore » 2013 » Nëntor » 30 » Pasuria e konfiskuar 1.6 milionë euro
10:14 AM
Pasuria e konfiskuar 1.6 milionë euro

Hiç më pak se 1,6 milionë euro ka arritur vlera e pasurisë së konfiskuar nga fillimi i këtij viti e deri më tash nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruara ose të Konfiskuar (AAPSK), e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë (MD).Mirjeta Haliti, zyrtare për informim në AAPSK ka thënë se vlera e përafërt e vlerësuar e pasurive të administruara nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar është rreth 1 milion e 600 mijë euro. Sipas saj, AAPSK-ja mban përgjegjësi për ruajtjen dhe administrimin e pasurive të sekuestruara ose të konfiskuara që i janë besuar në përkujdesje nga autoritetet kompetente. "Agjencia kryen funksionet e saj me qëllim që të ofrojë administrim të leverdishëm dhe profesional të pasurisë dhe zhvillon punët e saj me integritet dhe transparence”, ka thënë ajo.

Haliti ka thënë pas vendimit të Gjykatës për shitje, AAPSK-ja zhvillon procedurën e shitjes përmes ankandit publik dhe të hyrat e realizuara nga shitja deponohen në xhirollogarinë bankare të Agjencisë në Bankën Qendror të Republikës së Kosovës. Sipas, saj, deri më tani janë zhvilluar shtatë procedura të shitjes.

"Janë zhvilluar gjithsej 7 procedura të shitjes (përfshira në to edhe 5 rishpallje). Mjete të realizuara nga zhvillimi i procedurave të shitjes për pasuritë e sekuestruar ose të konfiskuar për periudhën 1 janar-31 shtator janë 16 mijë e 809 euro”, ka thënë ajo.

Sipas saj, totali i të hyrave dhe depozitave të sekuestruara të realizuara nga Agjencia për nëntë mujorin e vitit 2013 është 81,447.14 euro, ku prej tyre të hyrat nga pasuritë e konfiskuara janë në shumë prej 992.30 euro dhe depozitat
nga sekuestrimet janë në shumë prej 80,454.84 euro.

Kenan Tora nga Lëvizja "FOL”, ka thënë se duke u bazuar në Ligjin për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, AAPSK-ja, ka përgjegjësi direket për ruajtjen dhe administrimin e pasurisë së sekuestruar ose të konfiskuar dhe të vendos edhe formën që i duket si më e përshtatshme për të realizuar këtë qëllim. " Agjencia do të duhej t’i ushtroj kompetencat që i ka lejuar Ligji për administrimin e kësaj lloj pasurie në bashkëpunim të ngushtë me organet e drejtësisë, ku në këtë rast një barrë e madhe e përgjegjësisë bie edhe mbi organet e drejtësisë” ka thënë ai.

Betim Musliu, nga "Kosovo Law Institute”, ka thënë se deri më tash nuk ka funksionuar menaxhimi i aseteve të konfiskuara. Sipas tij, ka pasur probleme praktike të policisë, prokurorisë, gjykatave dhe ministrisë së Drejtësisë, pasi që sipas tij nuk ka pasur hapësira të mjaftueshme për vendosjen e aseteve të ndryshme të cilat janë konfiskuar prej Ministrisë së Drejtësisë. "Nuk ka pasur deri më tani asnjë procedurë e cila e përcakton saktë përgjegjësinë e secilit se si do të duhej të menaxhohej ato”, ka thënë ai.

Avni Zogiani nga Organizata "Çohu”, ka thënë se deri më tash praktikisht nuk kemi konfiskim të pasurisë së fituar në mënyre jo të ligjshme, por ka pasur pasuri të kolatoralit prej bankave. Mirëpo, ai nuk e ka vlerësuar si problem kolatoralin e kredive te bankave, krahasuar me pasuritë e fituara të pa ligjshme.

"Ligjet deri sot se paku, e kanë pamundësuar verifikimin e prejardhjes se pasurisë prandaj është e pamundur konfiskimi i pasurimeve ”, ka thënë ai.

Sipas tij, mund te jene edhe konfiskim prej ndonjë rasti te krimeve qe janë konfiskuar pasuritë, ose prej ndonjë rasti të kapjes së ndonjë vepre penale, siç ka thënë ai. Mirëpo, sipas tij, deri më tash nuk ka ndodhur të konfiskohet pasuria e ndonjë zyrtari.
Ndërkaq, Bardhyl Hasanpapaj, ligjërues në Fakultetin Juridik të Prishtinës, i cili njëherit edhe e ka bërë një analizë ligjore për pasuritë e konfiskuara, ka thënë se Kosova e ka një sistem legjislativ të avancuar për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar. Mirëpo, sipas tij, problemi qëndron se në praktikë një gjë e tillë nuk po zbatohet.

"Ligji ka paraparë një tërësi dispozitash shumë të qarta dhe të sakta duke u bazuar në përvoja më të mira evropiane”ka thënë ai. Por, sipas tij, ato nuk po zbatohen kryesisht prej prokurorisë dhe gjykatave.

Përndryshe, Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ishte themeluar më 1 janar 2010, bazuar në ligjin përkatës të Kuvendit, por sipas zyrtarëve të saj ka filluar të punojë realisht vetëm kah vera 2011 dhe tani ka 17 anëtarë.

Ajo funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka për detyrë të ruaj dhe administrojë pasurinë e sekuestruar ose të konfiskuar në bashkëpunim me prokuroritë, gjykatat, Këshillin e Pavarur për Miniera e Minerale (KPMM) si dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë (AUV), përfshirë shitjen e kësaj pasurie, vlerësimin e saj etj. Agjencia ka një depo në Lipjan dhe një tjetër në Smrekonicë të Vushtrrisë, ku i mban pasuritë.

Views: 925 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player