Kryesore » 2011 » Maj » 19 » Kompania e njerëzve të SHIK-ut përfitoi jashtëligjshëm nga Qeveria
12:20 PM
Kompania e njerëzve të SHIK-ut përfitoi jashtëligjshëm nga Qeveria
Miliona euro nga Qeveria e Kosovës ka përfituar kompania private "Ada Consulting Group”, që ishte themeluar nga ish-zyrtarë të SHIK-ut. Ish-punonjës të kësaj organizate kanë punuar si zyrtarë të lartë nëpër ministritë të cilat i jepnin tenderë kësaj kompanie. Auditorët kanë evidentuar shkelje ligjore nëpër tenderët qeveritarë që i ka përfituar kjo kompani. Pronari i kësaj kompanie, Avni Kastrati, nuk ka dashur të komentojë rreth fitimit të tenderëve nga ministritë ku kanë punuar ish-kolegët e tij të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK).
"Me tenderë e me procedura ka shkuar gjithçka në rregull”, citon "Koha Ditore” Kastratin.
Ndërkaq, Latif Gashi, ish-drejtor i përgjithshëm i SHIK-ut, ka thënë se nuk ka pasur mundësi të ketë asnjë ndikim në tenderë gjatë kohës sa ka qenë zyrtarisht i emëruar si këshilltar politik në Ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor.
"Nuk kam ndikuar e as nuk kam pasur mundësi të ndikoj për tenderë”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, pronari i firmës "Ada Consulting Group” ka punuar në SHIK, por kur është shuar kjo organizatë ka mundur të krijojë firmë e të merret me biznes.
Ish-zyrtari tjetër i SHIK-ut, Fadil Demaku, tash deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ishte punësuar në kompaninë "Ada Consulting” nga Prishtina, për të marrë një rrogë, pasi kishte mbetur pa punë.
"Unë kam punuar sa për rrogë aty për një vit. Ka qenë kohë kur kam mbetur pa punë dhe jam punësuar, por asnjëherë nuk jam marrë me tenderë se ku i fiton kompania”, ka thënë Demaku.
Pozita e tij në këtë firmë, sipas Demakut, ka qenë koordinator, ndërsa në SHIK kishte drejtuar Departamentin Antiterror.
"Ada Consulting Group”, që kishte të punësuar deputetin e PDK-së, Fadil Demakun, në gusht të vitit të kaluar ishte shpallur fitues në një tender publik të Komunës së Drenasit, që udhëhiqet nga vëllai i tij, Nexhat Demaku. Oferta e konsorciumit ku bënte pjesë kjo kompani kishte qenë 35 mijë e 387 euro dhe kishte të bënte me hartimin e planit rregullues për Lagjen e Dëshmorëve.
Raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm kanë gjetur shkelje ligjore në tenderët që kjo kompani ka fituar në Ministrinë e Mjedisit e Planifikimit Hapësinor, si dhe në Ministrinë e Forcës së Sigurisë. Sipas auditorëve në tenderin "Rregullimi i varrezave të dëshmorëve në Mitrovicë”, me vlerë 171 mijë e 503 euro, punët nuk ishin të kryera në pajtim me kontratën, ndërsa pagesat ndaj kompanisë ishin bërë.
"Ekipi i auditimit të ZAP-it së bashku me kryetarin e Komisionit për pranimin e punëve që ishte caktuar nga Ministria bënë një ekzaminim fizik për të vërtetuar nëse punët ishin kryer në pajtim me kontratën. Punët nuk ishin kryer ashtu siç kërkohet”, thuhet në raportin e auditimit të Ministrisë së Mjedisit e Planifikimit Hapësinor për vitin 2009. Sipas auditorëve, dimensioni i skajoreve sipas kontratës ishte paraparë të jetë 10/20 cm, ndërsa ishin vendosur skajore të dimensionit 8/20 cm.
"Vendosja e skajoreve ishte dashur të jetë 3,000 m që nga 10.5 euro bëjnë 31.500 euro, ndërsa ishin vendosur 2 mijë e 602 m., që nga 10.5 euro kushtojnë 27 mijë e 321 euro. Punë të pakryera kishin mbetur 4 mijë e 179 euro, por që ishin paguar”, theksohet në këtë raport të auditimit.
Shkelja tjetër sipas auditorëve kishte të bënte me vendosjen e rigolave. Sipas kontratës duheshin vendosur 3 mijë m që nga 8 euro për njësi kushtonin 24 mijë euro, ndërsa ishin vendosur 1 mijë e 296 m që nga 8 euro i bie 10 mijë e 368 euro apo për 13 mijë e 632 euro punë të pakryera e që ishin paguar.
"Po ashtu dimensioni i rigolave sipas kontratës është dashur të jetë me dimensione 40/40 cm, ndërsa ishin vendosur me dimensione 30/20 cm”, thuhet në këtë raport të auditimit.
"Ada Consulting Group”, sipas auditorëve, po ashtu ka bërë ndryshime të specifikacionit teknik.
"Sipas specifikacionit teknik dhe kontratës lokacioni duhej shtruar në asfalt, ndërsa ishte bërë me kubëza betoni”, kanë evidentuar auditorët.
Ndërkaq, sipas raportit të auditimit për Ministrinë e Forcës së Sigurisë kjo kompani nuk i kishte plotësuar kushtet e parapara me dosje të tenderit, por ishte shpërblyer me kontratë nga kjo ministri. Ofertën e kësaj kompanie prej 919 mijë e 353 eurosh MFSK-ja e kishte vlerësuar me 100 pikë. Sipas auditorëve kompania që kishte fituar tenderin për riparimin e kuzhinës në kazermën e Mitrovicës nuk kishte prezantuar kopjet e faturave më të reja të pagesës së shërbimeve të ujit si dhe të mbeturinave.
"Këto dokumente janë kërkuar në mënyrë eksplicite me dosje të tenderit dhe operatori fitues i tenderit për riparimin e kuzhinës në kazermën e Mitrovicës nuk ka sjellë as polisat e sigurimit për punëtorët e përfshirë në projekt para nënshkrimit të kontratës. Polisat e sigurimit për punëtorët e përfshirë në projekt janë kërkuar me nenin 18 të kontratës”, kanë konstatuar auditorët në raportin për vitin 2009 të kësaj ministrie.
Kjo ministri edhe përkundër vërejtjeve të auditorëve, më 16 dhjetor të vitit 2010 ka shpallur fitues kompaninë "ADA Consulting Group Sh.p.k”, e cila ishte në konsorcium me kompaninë "Alb- Architect sh.p.k", në tenderin për ndërtimin e objektit të kuzhinës në Pomazetin. Oferta e këtij konsorciumi peshonte 908 mijë e 852 euro. Kjo kompani vitin e kaluar ishte shpallur fituese edhe nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Oferta e kësaj kompanie për ndërtimin e objektit të një shkolle në Vushtrri ishte 1 milion e 922 mijë e 210 euro. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale e kishte shpallur fitues në tenderin për ndërtimin e Qendrës për Banim Social në Klinë për të cilin projekt "Ada Consulting Group”, kishte lypur 443 mijë e 823 euro. Po ashtu edhe Komuna e Vushtrrisë vitin e kaluar e kishte shpallur fitues në një tender për asfaltim rrugësh ku e kishte vlerësuar si më të favorshme ofertën e kësaj kompanie, e cila peshonte 246 mijë euro.
Views: 860 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player