Kryesore » 2012 » Mars » 20 » 2000 euro n’banjë të kryeministrit
4:13 PM
2000 euro n’banjë të kryeministrit
Kryeministri Hashim Thaçi ka vendosur t’i shpenzojë 2000 euro për riparimin e banjës në ndërtesën e kryeministrisë. Ndërsa për punëkryes ka përzgjedhur një kompani nga vendlindja e tij (Skënderaj), "Europroject”, e cila kishte qenë më e lira në tender.
Në tenderin e shpallur nga Kryeministria për "rregullimin e banjës dhe pajisjeve përcjellëse” kanë konkurruar tri kompani, ku oferta më e lartë ka qenë 2482 euro, ndërsa oferta e kompanisë fituese "Europroject” është 1995 euro.Zyrtarët e prokurimit në Zyrën e Kryeministrit nuk kanë pranuar të japin më shumë detaje rreth këtij tenderi se për çfarë arsye është dashur të rregullohet banja, në një objekt të ndërtuar pak vite më parë, ku janë shpenzuar rreth 10 milionë euro nga buxheti i Kosovës.
I kontaktuar nga gazeta "Zëri”, Zahir Bunjaku nga departamenti i prokurimit në Zyrën e kryeministrit, nuk ka pranuar të flasë për këtë tender të shpallur, por ka rekomanduar që fillimisht përgjigjet t’i dërgohen zyrës për informim dhe më pas prokurimi t’ia dërgojë kësaj të fundit përgjigjet në pyetjet e gazetës."Nuk mund të përgjigjem për këtë çështje. Ju duhet t’i drejtoheni fillimisht zyrës për informim të kryeministrisë, pastaj ne ia sigurojmë përgjigjet e nevojshme në pyetjet e parashtruara”, është përgjigjur Bunjaku nëpërmjet telefonit.As Zymer Veliu nga kompania "Europroject” nuk ka dhënë shumë detaje rreth tenderit që e ka fituar për rregullimin e banjës dhe pajisjeve përcjellëse në kryeministri.

Sipas Veliut, kompania e tij është shpallur fituese, pasi që ka ofruar çmimin më të ulët në tender, krahas kompanive të tjera konkurruese.

"Kompania jonë ka qenë më e lira, prandaj është shpallur fituese”, ka potencuar ai.

Në anën tjetër, përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë drejtuesit e institucioneve vendore se po bëjnë shpenzime të panevojshme.

"Ka qenë ndër vendimet e para të Qeverise Thaçi 1 mbi përdorimin dhe shpenzimet qeveritare, në nivelin qendrore dhe lokal, e i cili vendim nuk është zbatuar as brenda atyre ditëve te publikimit te tij. Vendimi i 22 janarit 2008 parasheh të gjitha uljet e shpenzimeve, blerjeve dhe të gjitha shpenzimet e tjera qeveritare të panevojshme nga ana e institucioneve publike”, ka thënë për "Zërin” Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i lëvizjes "Fol”.

Sipas tij, në të gjitha institucionet e vendit, duke përfshirë edhe kryeministrinë, po bëhen shpenzime të paarsyeshme, të cilat janë në kundërshtim me vendimin e sipërpërmendur të kryeministrit Hashim Thaçi.

"Shpenzimet e tilla duhet të reduktohen në maksimum dhe njëkohësisht të ketë një kontroll të rreptë të harxhimit të parasë publike”, ka pohuar Zogaj.

Ai ka shtuar se për shpenzime të tilla të panevojshme nga drejtuesit e institucioneve duhet të ekzistojë një presion më i madh publik, në mënyrë që të kërkohet llogaridhënie nga përgjegjësit.

Përndryshe, rinovimi i përgjithshëm i ndërtesës së kryeministrisë pak vite më parë i ka kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 10 milionë euro.
Views: 558 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player