Kryesore » 2012 » Korrik » 27 » AKP refuzon 10 milionë € investime të gjermanëve
1:27 PM
AKP refuzon 10 milionë € investime të gjermanëve
Agjencia Kosovare e Privatizimit(AKP) nuk e ka lejuar kompaninë gjermane "Rutlinvest GmbH” që ta marrë pjesë në tenderin për privatizimin e Banjës së Pejës, pavarësisht se ajo premtonte më shumë se dhjetë milionë euro investime në ndërmarrje.Kjo kompani e kishte planin e detajuar për investimet, stafin menaxherial dhe stafin tjetër për zhvillimin dhe modernizimin e "Banjës së Pejës”, përderisa duke e refuzuar këtë kompani më 20 korrik 2012, AKP ka shitur ndërmarrjen e ritenderuar me një çmim dukshëm më të lirë, krahas çmimit që kishte fituar në privatizimin e parë.Në tenderin e fundit, kur u privatizua Banja e Pejës”, ka konkurruar vetëm një blerës dhe oferta më e lartë ka arritur 6.1 milionë euro, ndërsa në privatizimin e parë, përkatësisht më 27 tetor 2010, ndërmarrja ishte shitur me një çmim prej rreth 8.2 milionë euro.

Ylli Kaloshi, zëdhënës i AKP, ka pohuar të enjten për "Zërin” se ndërmarrja e re "Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe sh.p.k” ka qenë tenderuar fillimisht në valën 45A të privatizimit, kur kishte më shumë se tri oferta.

Çmimi më i lartë i ofruar në atë tender, sipas tij, ka qenë 8 milionë e 199 mijë e 999 euro.

"Arsyeja pse tenderi i kësaj ndërmarrje ka qenë anuluar dhe kjo ndërmarrje është ritenderuar nga ana e Bordit të Drejtorëve të AKP-së, është se blerësi i shpallur i ndërmarrjes Hotel ONIX ka dështuar të paguajë në kohën e paracaktuar pjesën e parë të pagesës për blerjen e kësaj ndërmarrjeje. Si pasojë e kësaj, AKP ka ndërmarrë veprimet e duhura dhe ia ka konfiskuar depozitën këtij blerësi”, ka pohuar Kaloshi, duke shtuar se blerësi i dytë me radhë i kësaj ndërmarrje dhe ai i treti nuk kanë qenë të gatshëm të paguajnë çmimin e ofertës më të lartë të ofruar.

Në atë kohë ndërmarrja ishte privatizuar nga biznesmeni pejan, Ekrem Lluka.

U shit 2.1 milionë euro më lirë

Pas dështimit të këtij privatizimi, AKP më 20 korrik 2012 ka nxjerrë në shitje për të dytën herën ndërmarrjen, ku si kusht për tenderim për "Banjën e Pejës” kishte caktuar qarkullimin deri 3 milionë euro për 3 vjetët e fundit dhe gjithashtu ekspertizë të stafit menaxherial së paku 10 vjet në këtë fushë, ndërsa fitues i tenderit u shpall kompania "Intering” është për 2.1 milionë euro më pak se që ishte shitur herën e parë në tetor të vitit 2010.

Bllokimi i pjesëmarrjes në tenderin për Banjën e Pejës nga AKP, kishte dëshpëruar disa investitorë gjermanë, të cilët kishin qenë shumë të interesuar për investime në Kosovë. Bëhet fjalë për kompaninë "RutlInvest GmbH me seli në Hamburg të Gjermanisë. Drejtori menaxhues Hans Martin Ruter ka shkëmbyer disa letra me zyrtarët e lartë të AKP-së, të cilat i posedon gazeta "Zëri”,.

Në letrën dërguar më 18 qershor 2012 Besa Belegu- Bërlajollit, udhëheqëse e Departamentit për Marketing dhe Mardhënje me Investitorë në AKP, Ruter njofton këtë të fundit se deri më tani kanë investuar në projekte të patundshmërisë në rajonin e Pejës.

"Projekti i ONIX do të jetë gurëthemeli ynë në rrjetin tonë të cilësisë sonte të lartë”, shkruante ai.

Sipas tij, kjo kompani parasheh investime në ndërtesa dhe dizajnin e Banjës.

Hotelet ekzistuese do të rinovohen, ku do të shndërrohen në hotele me 3-4 yje, thotë ai ndër të tjera në letrën e dërguar më 18 qershor.

Në këtë letër ai përmend se në projekt po futet bashkarisht me partnerin që ka një ekspericencë të lartë Roland Berlinger për menaxhimin e ndërmarrjes.

Përgjigja e Llukës

Pas kësaj zyrtarët e AKP-së e njoftojnë udhëheqësin e kompanisë gjermane se nuk i plotësojnë kushtet për parakualifim në tenderin për privatizimin e "Banjës së Pejës.

Pas këtij njoftimi, Ruter u dërgon një letër tjetër zyrtarëve të AKP-së më 3 korrik 2012, ku shprehet i zhgënjyer rreth vendimit të fundit të AKP-së, me ç’rast kërkon rishikimin e tij.

Sipas tij, Rutlinvest grup ka qarkullim më të lartë sesa që kërkohet në tender.

Në Pejë, sipas tij, në projektin "Sonnenterrasen” kanë planifikuar investime në vlerë prej më shumë se 50 milionë euro, të cilin projekt do ta realizojnë pa hyrë në asnjë borxh.

Poashtu, siç ka thënë ai, së bashku me partnerët e kontraktuar, kanë potencial të mjaftueshëm menaxherial për menaxhimin e hotelit, Banjës dhe spitaleve.

"Rutlinvest dhe partnerët dëshirojnë të investojnë mbi 10 milionë euro në projekt, në mënyrë që ta ndërtojnë një ndërmarrje moderne për gjithë rajonin”, thotë ai.

Pas kësaj, Ruter-it i përgjigjet nëpërmjet një letre zyrtare më 10 korrik drejtori menaxhues i AKP-së, Shkelzen Lluka, ku thekson se menaxhmenti i AKP-së ka krijuar një Komitet Shqyrtues të Ankesave për shqyrtimin e kërkesës suaj, të cilët e kanë refuzuar pjesëmarrjen e juaj në tender.

"Rregullat e tenderit për privatizim thotë se kompania duhet të ketë historik të dëshmuar në zhvillim, menaxhment dhe operacione hoteliere për qarkullim vjetor minimal prej 3 milionë euro dhe minimumi i 20 për qind të të ardhurave duhet të vijnë nga aktivitetet e Banjës për së paku 3 vjet. Kjo nuk është dëshmuar nga dokumentacioni juaj”, potencon Lluka në letrën e tij.

Kontaktet me Ambasadën Gjermane

Pas kësaj, investitori gjerman i dërgon letër tjetër Llukës nga AKP më 19 korrik 2012, një ditë para se ndërmarrja të del në shitje, ku shpreh keqardhje për vendimin e kësaj të fundit dhe insiston se kushtet e parakualifikimit i kanë plotësuar. Prandaj, kërkojnë rishqyrtimin e vendimit.

Ai e paralajmëron Llukën për ankesë në Odën Speciale dhe e njofton se për këtë çështje janë në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën Gjermane në Kosovë.

Përndryshe, ndërmarrja e Re Hotel Onix Banja e Pejës dhe Ilixhe Sh.P.K. në Pejë është resort Shëndetësor me të drejtën e shfrytëzimit të burimit të ujit mineral me fuqi shëruese për sëmundjet e reumatizmit, kancerit, artritit, zemrës si dhe sëmundjeve tjera të ngjashme.

Hoteli Onix me katër objekte të vendosura në 26 hektarë tokë të njohur ndryshe si Banja e Pejës.
Views: 634 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player