Kryesore » 2011 » Tetor » 5 » Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit mund ta bankrotojë Kosovën
3:43 PM
Autostrada Prishtinë-Hani i Elezit mund ta bankrotojë Kosovën
Insistimi për fillimin e projektit të ndërtimit të rrugës së re që pritet të lidhë Prishtinën me Shkupin nga fundi i vitit 2012, do të ishte vendim i pamatur i Qeverisë së Kosovës. Ky hap do ta çonte vendin në një katastrofë financiare, kanë vlerësuar të hënën pjesëtarë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë, shkruan "Koha Ditore”. 
 "Qeveria nuk guxon të nisë rrugën 6, Prishtinë-Shkup, para se të përfundojë projekti i rrugës 7. Ky hap, po qe se ndodh në fund të vitit 2012, do ta dërgojë vendin në falimentim të plotë financiar”, kanë thënë të hënën për gazetën burime ndërkombëtare nën kushte anonimiteti.Në bazë të kostos vjetore të shpenzimeve që aktualisht janë duke u bërë në ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, kufiri buxhetor nuk e lë Qeverinë që të bëjë më tepër shpenzime në investimet kapitale. Në buxhetin e sivjetshëm, Qeveria ka ndarë 225 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të autostradës drejt Shqipërisë, e po aq duhet që të shpenzohen edhe në fillimin e punimeve në rrugën që çon drejt Shkupit.

"Buxheti i Kosovës nuk mund t’i përballojë këto shpenzime”, kanë potencuar të njëjtët zyrtarë ndërkombëtarë. Të njëjtët zyrtarë kanë vënë në pah edhe problemet e shpronësimit të tokave që kanë ndodhur gjatë realizimit të projektit në ndërtimin e "rrugës së kombit”.

"Fillimisht duhet të bëhet shpronësimi i tokave e pastaj të nisë projekti. Nuk është e drejtë të bëhet i njëjti gabim sikurse në autostradën e tanishme, për shkak se kostoja e shpronësimeve mund të jetë shumë e lartë”, kanë bërë të ditur të njëjtët zyrtarë.

Ndërkohë, të dielën, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka paralajmëruar mënyrën e financimit të këtij projekti nëpërmjet përcaktimeve të Qeverisë. Ai nuk ka dhënë asnjë detaj në lidhje me afatin dhe ecurinë e zhvillimit të projektit, por ka thënë se forma e koncesionit nuk është treguar e suksesshme në disa vende të tjera.

"Po qe se investimet në ndërtimin e autostradave dyfishohen, nga do t’i marrë Qeveria mjetet që të investojë në projekte të tjera kapitale”, kanë ngritur çështjen zyrtarë ndërkombëtarë.

Në fillim të qershorit, FMN-ja kishte vendosur që Qeverisë së Kosovës të mos ia jepte asnjë cent nga kreditë dhe donacionet e premtuara, përfshirë edhe nga institucionet e tjera financiare. Fondi Monetar Ndërkombëtar pati ngrirë fondet prej mbi 135 milionë eurosh, që është dashur t’i dilnin në konto këtë vit Qeverisë se Kosovës
Views: 407 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player