Kryesore » 2011 » Tetor » 18 » Biznesi me gjysmë miliardi qarkullim në vit jashtë kontrollit
2:31 PM
Biznesi me gjysmë miliardi qarkullim në vit jashtë kontrollit
Kompanitë e licencuara për shitjen e arkave fiskale ende nuk e kanë dërguar asnjë pajisje elektronike për certifikim në laborator, të cilat do të montoheshin në pikat e karburanteve. Administrata Tatimore e Kosovës në fillim të muajit shtator i kishte dorëzuar specifikacionet teknike që duhet t’i kenë pajisjet fiskale. Kjo e fundit shpresonte që në mesin e muajit tetor do të fillonte procesi i montimit të këtyre pajisjeve në pikat e shitjes së karburanteve, të cilat kanë pasur një qarkullim prej 335 milionë eurosh në periudhën janar – gusht.
 Lavdim Kurtaj, anëtar i Komisionit për certifikimin e arkave fiskale në kuadër të Fakultetit Teknik, ka thënë se deri më tani nuk ka shkuar në laborator asnjë pajisje për pompat e benzinës për certifikim. Por, në bazë të paralajmërimeve, Kurtaj ka thënë se të martën pritet të vijë pajisja e parë fiskale për pompat e benzinës. 
 "E kemi pasur një takim me ATK-në dhe me këta të konkurrencës dhe i kemi lajmëruar kompanitë që mund t’i sjellin pajisjet për certifikim, mirëpo javën që shkoi nuk na ka ardhur asnjë pajisje”, ka thënë ai, duke shtuar se pritet që gjatë kësaj jave të vijnë pajisjet për karburantet. Kurtaj ka shpjeguar procesin e certifikimit të një pajisjeje fiskale. 
"Pajisjet që janë për pompat fiskale teknikisht janë më ndryshe, ato janë më komplekse, pasi janë të lidhura teknikisht edhe me pjesën e pajisjes së pompës së benzinës, atë mekanizmin mbushës. Mirëpo, ata e sjellin dokumentacionin dhe një pajisje të tillë dhe për disa ditë do të zgjatë analiza e këtyre pajisjeve. Pastaj ata vijnë në demonstrim teknik dhe pastaj, nëse teknikisht është në rregull nevojitet një javë për përfundimin e raportit”, ka thënë Kurtaj. "Nëse nuk është teknikisht në rregull, ata duhet t’i korrigjojnë gabimet dhe të vijnë sërish në prova”.

Duke folur për procedurat, ai ka thënë se dinamika e certifikimit të një pajisjeje varet kryekëput nga kompanitë dhe kapacitetet e tyre humane dhe teknike që t’i korrigjojnë gabimet eventuale që mund t’i kenë bërë.

"Sa zgjatë certifikimi do të varet prej kompanive, sepse dikush i kryen ma shpejt, dikush ma vonon, e dikush nuk i certifikon asnjëherë”, ka thënë Kurtaj.

E në Administratën Tatimore të Kosovës vazhdojnë të shpresojnë se gjatë muajit tetor të nisë montimi i këtyre pajisjeve në pompat e benzinës. Drejtori për Modernizim dhe Planifikim Strategjik, Nahit Sharku, ka thënë të ketë pasur takime me të gjitha kompanitë e certifikuara për shitjen dhe montimin e arkave fiskale.

"Javën e kaluar i kam vizituar të gjitha kompanitë për këtë çështje. Njëra kompani është në prag të dorëzimit për certifikim dhe tjetra është në përgatitje. Shpresojmë që brenda këtij muaji të certifikojmë laboratorin dhe të fillojmë me pompat e para”, ka thënë Sharku.

Ai ka thënë se ky është një proces kompleks dhe teknikisht shumë strikt.

"Disa vjet më parë ka nisur fiskalizimi i pompave të benzinës nëpër rajon dhe ka pasur shumë gabime. Ne kemi dashur që gabimet e tyre mos t’i përsërisim dhe kjo ka ndikuar që të shkojmë më ngadalë, por me sigurt”, ka thënë drejtori për modernizim në ATK.

Naftëtarët, sipas tij, pranojnë që të fiskalizohen, por kanë një kusht.

"Ata po kërkojnë që të kompensohet nga shteti shpenzimi për fiskalizim. Ne e kemi dërguar një shkresë në ministri, mirëpo ne nuk jemi institucion që duhet të kërkojmë tash llogari nga MF-ja nëse e ka shqyrtuar kërkesën. Një gjë të tillë duhet ta bëjë Oda Ekonomike apo shoqatat që i mbrojnë interesat e bizneseve”, ka thënë Sharku.

Biznesi me naftë është një nga bizneset më të popullarizuara në Kosovë. Numri i pompave të benzinës për kokë banori ndoshta është më i larti në Evropë. Vetëm nga karburantet qarkullimet mujore janë rreth 50 milionë euro, apo afro 600 milionë euro në vit. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës vetëm gjatë muajit gusht në Kosovë janë importuar 38 milionë e 2 mijë e 110 litra naftë. Baza doganore, apo vlera e kësaj nafte në bazë të çmimit të bursës ka qenë 23 milionë e 823 mijë euro. Duke ia shtuar kësaj shifre edhe pagesën që i kanë bërë naftëtarët për akciza -13 milionë e 426 mijë euro dhe pagesën e TVSH-së 5 milionë e 959 mijë euro dhe profitin, atëherë del që qarkullimi mujor vetëm nga nafta është rreth 50 milionë euro.

Ndërsa, prej muajit janar deri në gusht janë importuar hiç më pak se 214 milionë e 420 mijë litra naftë. Vlera e kësaj nafte, duke llogaritur çmimin e bursës dhe pagesat që janë bërë për akcizë dhe TVSH, është 239 milionë euro. Nëse kësaj shume ia shtojmë edhe fitimin minimal prej 6 centë/euro, atëherë del që fitimi ka qenë 12 milionë e 865 mijë euro. Pra, në total në periudhën janar-gusht kemi pasur një qarkullim rreth 250 milionë euro.

Përveç naftës në Kosovë, sipas Stavilecit, gjatë këtyre muajve janë importuar edhe 68 milionë e 875 mijë litra benzinë. Duke llogaritur bazën tatimore apo çmimin e bursës dhe pagesat që janë bërë për TVSH dhe akcizë, kemi pasur një qarkullim prej 75 milionë e 735 mijë eurosh. Nëse ia shtojmë profitin që është më i lartë se tek nafta, atëherë kemi afërsisht 85 milionë euro qarkullim. Pra, afërsisht kemi pasur 335 milionë euro qarkullim nga naftëtarët duke mos llogaritur këtu qarkullimin nga gazi-plini.

Sistemi që do të montohet në pompat e benzinës do të përbëhet nga një ndërlidhje pajisjeje fiskale-kontrollues-dispenser. Pajisjet që pritet të montohen në mekanizmin mbushës të pompave të benzinës pritet të regjistrojnë të gjitha hyrjet dhe shitjet në çdo pikë. Në vazhdimësi ka pasur dyshime për keqpërdorime nga pompat e benzinës si në sasi ashtu edhe në kontrabandë.
Views: 371 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player