Kryesore » 2012 » Mars » 13 » Bujqësia është e ardhmja e vendit tonë
9:32 PM
Bujqësia është e ardhmja e vendit tonë
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci dhe kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, sot kanë vizituar kompleksin "Nëna Naile” në fshatin Kllokot, përkatësisht pronarin Sabri Novosella dhe fermën tij "Driloni” në fshatin Sllatinë të Vitisë, njoftohet nëpërmjet një komunikate.Bujqësia është e ardhmja e vendit tonë, ka thënë Stavileci, duke iu referuar jo vetëm faktit që shumica e popullsisë jeton në zonat rurale, por edhe pjesës së madhe të banorëve të cilët me iniciativat dhe kreativitetin e tyre po ndihmojnë realizimin e projekteve të ndryshme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë. "Ne kemi shumë nevojë për projekte të kësaj natyre, për projekte të tilla të kombinuara, ku siç po e shohim ka disa lloje gjedhesh, ka edhe kafshë të imta, ka një tokë të privatizuar në një sipërfaqe mjaft të madhe, më shumë se 40 hektarë dhe serra e pemishte të ndryshme”, tha Stavileci, duke shtuar se kjo fermë posedon një pjesë të madhe të spektrit të aktiviteteve bujqësore dhe blegtorale, me të cilat përmbyllet një cikël i aktiviteteve të shumta bujqësore, nga e cila përfiton jo vetëm ky lokalitet, por e gjithë kjo rrethinë. 

Ai tha se ferma "Driloni” dhe lidhshmëria e saj me banjën "Nëna Naile” dëshmon se kur ekziston ideja dhe kur ajo kombinohet me dijen, guximin dhe forcën e një sipërmarrësi, atëherë të gjitha projektet mund të bëhen të realizueshme.

Po ashtu edhe kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, tha se kjo është një dëshmi se çfarë efekti mund të sjellin veprimtaritë bujqësore dhe blegtorale. "Unë e analizoj nga një kënd tjetër gjithë këtë kontribut të z. Novosella. Është koha kur secili prej nesh duhet t’i kryejmë detyrat e shtëpisë si në këtë rast. Kosova është ngopur me patriotizmin folklorik dhe tani është koha për vepra konkrete dhe ky duhet të jetë një model që duhet të shfrytëzohet si duhet nga të gjithë, duhet të jemi të orientuar në iniciativa private”, deklaroi Gërxhaliu.

Në anën tjetër, pronari Sabri Novosella tha se kësaj pune ia ka nisur për një arsye shumë të fortë dhe se problemin më të madh e ka pasur furnizimin me ushqime. "Ne i kemi banjat "Nëna Naile” në Kllokot. Kapaciteti aty është për 1 500 pacientë, në të cilin punon një staf prej më shumë se 400 persona dhe problemin më të madh e kemi pasur furnizimin me ushqime, sidomos me mish. Për këtë kemi krijuar fermën, me arsyen e vetme që pacientët dhe punëtorët tanë t’i shërbejmë me ushqim të freskët, me pemë e perime të shëndetshme të vendit tonë”, tha Novosella.

Ferma "Driloni", sipas pronarit të saj, posedon rreth 200 krerë mëzet, rreth 50 lopë, rreth 500 krerë dele dhe 50 krerë dhi, si dhe ka të mbjellë rreth 45 hektarë tokë bujqësore, ku 35 prej tyre i ka të mbjellë me grurë.
Views: 463 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player