Kryesore » 2012 » Qershor » 20 » Buka dhe drithërat, ushqimi kryesor i kosovarëve
1:58 PM
Buka dhe drithërat, ushqimi kryesor i kosovarëve
Kosovarët parapëlqejnë produktet nga drithërat si ushqimin kryesor. Anketa e realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e publikuar në qershor, tregon se ushqimi në Kosovë dominohet nga buka dhe drithërat, mishi, qumështi, djathi dhe vezët. Pas këtyre produkteve ushqyese radhiten perimet dhe pijet joalkoolike.Sipas publikimit të Agjencisë së Statistikave, pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shpenzohet në ushqim dhe banim, shkruan "Koha Ditore”. Më saktësisht, 38 për qind e buxhetit familjar shpenzohet për ushqim, ndërsa 31 për qind për banim. Pjesa tjetër shpenzohet për transport në masë prej 6 për qind dhe për veshmbathje 5 për qind. Të gjitha këto së bashku përbëjnë 84 për qind të konsumit të përgjithshëm dhe shpenzimit të parasë në familje. E pjesa tjetër e shpenzimeve, sipas publikimit, përbëhet nga shpenzimet që bëhen për alkool dhe duhan, dhe kryesisht për çështje të argëtimit. 

Statistikat që i referohen në përgjithësi vitit 2011, tregojnë se vetëm rreth 7 për qind e konsumit të përgjithshëm përfshin ushqimin nga prodhimi vetjak.

"Të dhënat për konsum merren nga ekonomitë familjare, përderisa të ardhurat fitohen nga individët. Alkooli dhe duhani, veshmbathjet, argëtimi dhe disa gjëra tjera specifike mund të konsumohen individualisht, por pjesa më e madhe, si ushqimi, banimi dhe furnizimi shfrytëzohen së bashku nga pjesëtarët e ekonomive familjare”, thuhet në dokumentin e Agjencisë së Statistikave. Shumica e konsumit bazohet në mallrat e blera dhe shërbimet e paguara gjatë periudhës së referuar, dhe një pjesë më e vogël në mallrat të prodhuara vetë. Sipas dokumentit, ekonomitë familjare me arsim të lartë dhe ekonomitë familjare urbane mund të shihen si treguese për zhvillimin e ardhshëm të konsumit. Brenda vitit 2011, një ekonomi familjare mesatarisht ka shpenzuar 7 mijë euro për jetesë normale. Nga kjo vërehet se ka pasur zbritje prej 0.5 për qind të fuqisë blerëse në krahasim me vitin 2010. Statistikat tregojnë se kosovarët kanë shpenzuar rreth 6 për qind më shumë për ushqim brenda vitit 2011, në krahasim me vitin 2010. Por, të njëjtit kanë reduktuar shpenzimet për veshmbathje për 11 për qind. Trend i njëjtë e ka përcjellë edhe sektorin e shëndetësisë. Sipas të dhënave, kosovarët që jetojnë në zona urbane gjithnjë e më pak po shpenzojnë për shërbimet spitalore. Por, ndryshe nga ta, rreth 4 për qind janë më të larta shpenzimet e banorëve që jetojnë në zona rurale për shërbimet shëndetësore. Mesatarisht një familje në Kosovë shpenzon 173 euro në vit për shëndetin. Me gjithë zbritjen e vazhdueshme të çmimeve për komunikimin me telefon, statistikat tregojnë se ka pasur rritje të shpenzimeve për këto shërbime. Në vitin 2011 shpenzimet për komunikim kanë pasur një rritje prej 5 për qind krahasuar me vitin 2010. Në vendbanime urbane po vërehet rritja e shpenzimeve për komunikim ndërsa në ato rurale nuk ka ndryshime të mëdha. Sipas të dhënave, një familje kosovare mesatarisht shpenzon 200 euro në vit në shërbimet hoteliere e restorante, përderisa shpenzon vetëm 66 euro në arsim. E të dhënat flasin se rreth 13 për qind e numrit të banorëve në vend janë duhanpirës. Në buxhetin e përgjithshëm të ekonomisë familjare për vitin 2011, alkooli dhe duhani marrin pjesë rreth 4 për qind, apo 259 euro në vit. Është evidente një rritje e lehtë prej 2 për qind në shpenzimet për konsum të alkoolit dhe duhanit në krahasim me vitin 2010.
Views: 508 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player