Kryesore » 2011 » Qershor » 11 » Buxheti, vlera e GDP-së u fry me 245 milionë dollarë
12:32 PM
Buxheti, vlera e GDP-së u fry me 245 milionë dollarë
Që buxheti i shtetit do të ndryshojë në korrik, kjo është tashmë e sigurt. Në Ministrinë e Financave po bëhet rakordimi i fundit i shifrave që do zërë gërshëra e shkurtimeve.Por, buxheti i vitit 2010 duhet të ishte ndryshuar me kohë, sepse që në fillim ai është hartuar "gabim”. Është hartuar mbi shifra të paqena, është bazuar mbi parashikime jo të vërteta, dhe ndoshta është krijuar i tillë pikërisht për t’u korrigjuar në korrik. Në buxhet lëvizin rreth 200 milionë euro, bazë mbi të cilën janë llogaritur investimet, shpenzimet, mbledhja e të ardhurave dhe, sigurisht, treguesi më i rëndësishëm dhe i rrezikshëm: borxhi.
Ndryshimi i GDP-së në parashikim
Qeveria dhe Financat, kur hartuan buxhetin e vitit 2011, thanë se rritja ekonomike për vitin 2010 ishte 4.1 për qind. Mbi këtë shifër u llogarit sa ishte prodhimi i brendshëm. Mbi shifrën e prodhimit u llogarit sa para do të mbledhin Tatimet dhe sa para do të shpenzohen për investime. Mbi GDP-në e vitit 2010, të rritur me 4.1 për qind, u llogarit edhe se sa para do të merren borxh për vitin 2011 dhe sa do të lejohet të shkojë i gjithë borxhi i madh. Por, ndërkohë që qeveria thotë se rritja ekonomike është 4.1 për qind, guvernatori, para dy ditësh, gjatë raportimit në Kuvend, tha një shifër tjetër, më të ulët. Ai theksoi se rritja ekonomike ishte 3.9 për qind. "Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur me 3.9% gjatë këtij viti”, theksoi Fullani përpara ministrit të Financave dhe qeverisë shqiptare. Por çfarë do të thotë ulja me 0.2 për qind e GDP-së? Është shumë e thjeshtë. GDP-ja për vitin 2009 është llogaritur nga Ministria e Financave, 1,145.3 miliardë lekë, ose më thjeshtë 11.453 miliardë USD. Për vitin 2010, sipas Financave, rritja ka qenë 4.1 për qind dhe GDP-ja ka shkuar në 1,228.1 miliardë lekë, ose 12.281 miliardë USD. Në të vërtetë, GDP-ja, pra prodhimi, nuk është rritur me 4.1 për qind, por me 3.9 për qind. Pra 0.2 për qind më pak. Shifra është rreth 24,562 miliardë lekë më pak, ose 245 milionë USD. Në të vërtetë, GDP-ja për vitin 2010 ishte 245 milionë USD më e vogël. Ndërkohë që Financat, të gjitha llogaritjet e tyre i kanë bërë mbi një shifër më të madhe. Kjo do të thotë se shpenzimet janë llogaritur më shumë, si përqindje e një GDP-je më të madhe. Edhe të ardhurat janë llogaritur më shumë. Por shifra më e rëndësishme është ajo e borxhit, që është llogaritur më e lartë, pasi edhe GDP-ja ishte e fryrë, me 245 milionë USD.
Ndryshimi aktual i buxhetit
I gjithë buxheti i vitit 2010, i miratuar nga Kuvendi, sipas shifrave të guvernatorit për rritjen ekonomike, nuk kanë qenë të sakta. Por, duket se Financat kanë gabuar edhe në parashikimin e vetë rritjes ekonomike për këtë vit. Vetë ministri Bode tha para dy ditësh se rritja ekonomike për këtë vit do të jetë 5 për qind. Në buxhetin e miratuar nga Kuvendi është parashikuar 5.5 për qind. Ndryshimi me 0.5 për qind, pra sa dyfishi i gabimit për hartimin e buxhetit, është akoma më shqetësues. Në fakt, ulja e ritmit të rritjes ekonomike është edhe arsyeja pse në korrik buxheti parashikohet të shkurtohet me rreth 5 për qind. Do të ulen rreth 160 milionë USD shpenzimet, nga të cilat, rreth 100 milionë do të jenë investime. Duket qartë se Financat nuk po janë fort të sakta në parashikime. Për fat që këtë e kuptojnë në tre muajt e parë të vitit dhe kanë shansin ta ndryshojnë në mes të vitit. Sidoqoftë, rritja artificiale e GDP-së, në parashikime asnjëherë të sakta, thjesht bën që politikisht, qeveria, ditët e miratimit të buxhetit të tregojë disa shira më të fryra se realisht. Nga ana tjetër, përsëritja e këtyre gabimeve në llogaritje mund të çojë në dyshime të forta për statistikat qeveritare, dhe efektet, në të tilla raste, siç ka treguar eksperienca e vendeve të rajonit, nuk mund të mbulohen me fjalime.

4.1 për qind
Ishte llogaritur rritja ekonomike për vitin 2010 nga Ministria e Financave. Mbi këtë shifër u llogarit edhe buxheti i vitit 2011. Guvernatori e hodhi poshtë duke thënë se rritja e GDP-së ishte 3.9 për qind.

5.5 për qind
Ishte parashikuar në buxhetin e vitit 2011 rritja ekonomike gjatë këtij vitit. Ministri Bode e korrigjoi para dy ditësh këtë shifër, duke thënë se rritja ekonomike do të jetë 5%. Kjo ndryshon edhe buxhetin.
Views: 416 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player