Kryesore » 2012 » Korrik » 25 » Çmime të larta, rroga të ulëta
1:35 PM
Çmime të larta, rroga të ulëta
Ngritja së fundmi e çmimit të rrymës dhe ujit ka rënduar edhe më tej xhepin e qytetarit të Kosovës. Jo vetëm rastet e shumta sociale, por këtyre ngritjeve nuk po mund t’u përballojnë as ata që marrin paga mesatare në vend, të cilat sillen rreth 250 euro në muaj. Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur për 1,7 % në muajin qershor 2012, krahasuar me muajin qershor 2011. 
Ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te rryma, gazi dhe lëndët djegëse të tjera për 10,5 %. Ngritjen e çmimit të rrymës, Eglantina Hoxha, nga Korporata Energjetike e Kosovës, e arsyeton me rritje të efikasitetit të kësaj korporate. 
"Në vitin 2007, 2008 si dhe në vitin 2009 KEK-u ka pasur ngritje të tarifave, e cila është afektuar nga rritja e tarifës së KOSST-it, ndërsa në vitin 2010, 2011 KEK-u nuk ka pasur rritje te tarifave deri ne vitin 2012, ku rritja e tarifave ka qenë 8,9 për qind. Në bazë të gjitha parametrave mund të cekim se KEK-u që nga viti 2007 ka rritur efikasitetin e operimeve, duke zvogëluar shpenzimet operative për njësi, si dhe duke zvogëluar humbjet e energjisë elektrike”, ka thënë Hoxha.

Duke përmendur disa faktorë tjerë, të cilët, sipas saj, kanë ndikuar në rritjen e tarifave thotë se është edhe zvogëlimi i granteve qeveritare.

"Eliminimi i donacioneve, zvogëlimi i granteve qeveritare, duke përfshirë edhe importin, ngritja e taksave (p.sh tantiema për thëngjill), investimet kapitale (duke përfshirë edhe ato ambientale) të bëra nga shpenzimet vetanake të KEK-ut, po ashtu edhe ngritja e tarifës për KOSTT, janë faktorët që kanë ndikuar në rritjen e tarifave të cekura më lart”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, ka thënë se katër vitet e fundit ka pasur inflacion mjaft të lartë.

"Vetëm vitin e kaluar niveli i inflacionit ka arritur rreth 8 për qind. 100 euro që kanë vlejtur në vitin 2008 tash vlejnë më pak se 75 euro. Pra kjo është një normë jashtëzakonisht e lartë e inflacionit, e cila tregon për humbjen e fuqisë blerëse të kosovarëve meqenëse tek një pjesë e madhe e kosovarëve pagat kanë mbetur konstante, pra në një situatë ku pagat i kemi konstante dhe kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve kemi varfërim më të madh të qytetarëve”, ka thënë Abdixhiku.

Arsyetim për ngritje të çmimeve, sipas Abdixhikut, është edhe mungesa e prodhimit. "Varfërimi natyrisht ndodh si rezultat i varësisë ekonomike të Kosovës dhe mosaftësisë së saj që të prodhojë. Mungesa e prodhimit natyrisht ofron çmime më të larta të produkteve dhe shërbimeve në Kosovës. Përveç kësaj kemi një ngulfatje të bizneseve me qëllim të mbushjes së buxhetin të shtetit në vazhdimësi. Kemi pasur politika të rënda fiskale siç ishte edhe rasti i fundit i rritjes së tatimit, i cili dikur edhe përkthehet në çmime më të larta”, ka thënë ai.

Statistikat

2005 rënie të çmimit të rrymës, gazit dhe karburanteve për 4 %.

2006 –rënie të çmimeve të rrymës, gazit dhe karburanteve 2,3 %

Nëntor 2007 – nëntor 2008 kishte ngritje të çmimit të rrymës, gazit dhe karburanteve për 8,8 %

2009 - Ngritje e çmimeve në rrymë, gazit dhe lëndëve djegëse për 6,3 %

2010- Ngritje e çmimeve të rrymës, gazit dhe lëndëve djegëse për 3,6 %

2010 - Furnizimi me ujë u shtrenjtua 11,1 %

2012 - Ngritje e çmimit të rrymës për 8,9 për qind
Views: 534 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player