Kryesore » 2011 » Qershor » 10 » Diga e Komanit, KESH: Duhen financime
11:35 AM
Diga e Komanit, KESH: Duhen financime
Hidrocentrali i Komanit pritet t’i nënshtrohet projektit të sigurisë së digave që KESH dhe qeveria shqiptare parashikon të implementojë.Ndërhyrjet në këtë hidrocentral të konsideruara si të një rëndësie të lartë kërkojnë financime, të cilat Korporata Elektroenergjetike Shqiptare është duke i kërkuar nga donatorët. Dje u zhvillua edhe tryeza e dytë me donatorët, që janë institucione financiare ndërkombëtare, nga të cilat drejtori i Përgjithshëm i KESH, Ëngjëll Zeqo, ka marrë një konfirmim dhe mbështetje paraprake, e cila pritet të finalizohet me një marrëveshje financimi. Në fjalën e tij Zeqo theksoi dje rëndësinë që merr projekti i sigurisë së digave dhe prioritetin që institucioni që ai drejton i ka dhënë kësaj çështjeje. Duke e konsideruar ndërhyrjen në Hidrocentralin e Komanit si të rëndësishëm, Zeqo u shpreh se qeveria shqiptare dhe KESH janë të gatshme që financimin për projektin ta përballojnë me fondet e tyre, nëse përgjigjja nga donatorët do të vonojë. Gjithsesi, për kreun e KESH, në këto momente ku jemi, vlen të theksohet se institucione të tilla si BERZH dhe banka gjermane KfW kanë dhënë mbështetjen e tyre paraprake. "Është i ditur tashmë fakti që trajtimi i bjeftit të poshtëm dhe kanalit të shkarkimit të Komanit ka një rëndësi shumë të lartë për të ulur rrezikshmërinë dhe për të siguruar një punë normale të këtij hidrocentrali dhe të çështjeve të sigurisë së digës. Kjo situatë aktuale, në mungesë të një projekti të detajuar dhe të aprovuar, nuk na lejon në implementimin e projektit. Pritshmëria e qeverisë dhe e KESH-it në këtë takim lidhet me përmasat që duhen ndërmarrë dhe që janë të nevojshme për të filluar me përgatitjen e dokumentacionit për hapjen e tenderit”, tha kreu i KESH. Ai vlerësoi se institucioneve financiare ndërkombëtare të interesuara për këtë projekt u është kërkuar që të japin një konfirmim sa më shpejt që të jetë e mundur lidhur me financimin. "Por, në rast të një vonese në këtë finalizim është menduar që qeveria shqiptare dhe KESH të financojnë me fondet e veta projektin, me qëllim pritjen e sigurisë së digave, sepse dihet që kjo është edhe një nga detyrat kryesore dhe parësore që KESH ka në këtë drejtim, përveç shfrytëzimit dhe marrjes maksimale të energjisë”, tha drejtori i KESH. Ndërkaq, për të implementuar projektin e sigurisë së digave në Hidrocentralin e Komanit KESH-it i nevojitej një studim, i cili është kryer nga inspektimet në terren që ekspertët e KESH kanë zhvilluar pranë këtij hidrocentrali. Ky studim është financuar edhe më herët nga të tjerë donatorë të projektit, ku një prej tyre është edhe Zvicra. Gjetjet e studimit lidhur me pikat se ku duhet t’i mëshohet investimeve në Hidrocentralin e Komanit, përqendrohen në tre aspekte. Në rehabilitimin e veprave shkarkuese. Mirëfunksionimi i këtyre veprave është pjesa kryesore që lidhet edhe me sigurinë e digave në vetvete. Një tjetër pikë lidhet me përmirësimin e planeve të reagimit dhe monitorimit të digave në raste emergjence. Përmirësimi i kësaj pike do të bëjë që strukturat e KESH dhe ato pranë hidrocentralit të reagojnë më shpejt dhe në bazë të një plani të hartuar paraprakisht. Kjo pritet të lehtësojë jashtëzakonisht vendimmarrjen e strukturave në raste emergjente, siç janë prurjet e larta në liqenet e hidrocentraleve apo rritje e shpejtë e niveleve. Pjesa e tretë e këtij studimi lidhet me sistemet e alarmit. Me implementimin total të projektit të sigurisë së digave pritet që të rritet efiçenca në punë si dhe të përmirësohet reagimi në kohë reale i strukturave, përballë çdo situate të jashtëzakonshme, të cilat në fakt dy vitet e fundit kanë qenë prezente.

84 milionë euro
kishte përfituar deri në janar të këtij viti Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nga donatorët, lidhur me projektet e saj. Donatorët kryesorë janë Banka Botërore. Banka gjermane KfW, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria e Zvicrës.

50 milionë euro
pritet që të kushtojë projekti lidhur me sigurinë e digave. Qeveria shqiptare është në bisedime për t’i siguruar financimet nga donatorë si BERZH apo KFW, por në rast se nuk do të merret një përgjigje e shpejtë, KESH dhe qeveria kanë vendosur që financimet e projektit t’i sigurojnë nga fondet e veta.

5.3 milionë euro
ka dhënë Zvicra në formë grantesh përmes Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Çështjet Ekonomike, në favor të projektit për rritjen e sigurisë së digave. Tre janë komponentët kryesorë ku pritet të shkojnë këto para: monitorimi i digave, planet e emergjencës dhe ruajtja nga rënia e shkëmbinjve.

Mbështetja e Zvicrës, grant 4.3 milionë euro

Jo më larg se disa javë më parë u nënshkrua edhe marrëveshja me Zvicrën, lidhur me një grant prej 4.3 milionë eurosh që do të shkojë për projektin e sigurisë së digave. Ky grant do të mbështesë tre komponentët e projektit, duke filluar nga rritja e sigurisë së digave, efikasiteti i parandalimit dhe reagimit në raste emergjencash. I pari është komponenti i monitorimit të sigurisë së digave, çka në vetvete përfshin një përditësim të vazhdueshëm të informacionit që KESH disponon lidhur me gjendjen fizike të digave. Ky informacion do të bëhet i disponueshëm përmes monitorimit të hollësishëm të ndryshimeve në trupin e digave dhe themelet e tyre, ngjarjet sizmike dhe ndryshimet në aktivitetin sizmik pranë digave, si dhe lëvizjet e mundshme të pastabilizuara të shkëmbinjve. Komponenti i dytë që do të financohet nga granti zviceran është ai lidhur me masat për parandalimin e rënies së shkëmbinjve. Kjo do të sigurojë mbrojtje për digat dhe infrastrukturën e nevojshme dhe është me rëndësi të madhe për garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë. Ndërsa komponenti i tretë lidhet me reagimin e strukturave të KESH-it për vendimmarrjen dhe veprimin në raste emergjencash.

Zbatimi deri në 2014
Implementimi i projektit për sigurinë e digave, i cili përfshin një sërë komponentësh, pritet që të përfundojë deri në vitin 2014. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e ka shpallur këtë projekt si një nga më të rëndësishmit që po menaxhohet aktualisht. Projekti është i ndarë dhe pritet që të ndërhyhet në të tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit, si në atë të Fierzës, në atë të Komanit dhe në atë të Vaut të Dejës. KESH ka ndarë punën e projektit në prioritete, të cilat variojnë nga të një rëndësie shumë të lartë, deri në prioritete mesatare. Kështu, rehabilitimi i Hidrocentralit të Komanit cilësohet si prioritet shumë i lartë dhe po kështu edhe përforcimi i kullës së tunelit të shkarkimit nr.3 në Hidrocentralin e Fierzës.

BB 25 milionë euro
Banka Botërore është një nga donatorët kryesorë në projektin e rritjes së sigurisë së digave. Pak kohë më parë, vetë ky institucion financiar ndërkombëtar, përmes përfaqësueses së saj në Tiranë deklaroi se janë dhënë 25 milionë euro për rritjen e sigurisë së digave. Nga 275 milionë dollarë që BB i ka dhënë Shqipërisë, 25 të tjera iu shtuan së fundmi duke e çuar shifrën në 300 milionë euro. Milionat e dhëna nga BB nga Ksenya Lvovsky u deklarua se do të shkonin për ndërhyrjet në Hidrocentralin e Komanit, në rehabilitimin e portave të të tria digave kryesore në kaskadën e lumit Drin si dhe për të optimizuar funksionimin e gjithë kaskadës.
Views: 818 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player