Kryesore » 2011 » Maj » 20 » EK-u: Edhe investime, edhe reduktime
2:37 PM
EK-u: Edhe investime, edhe reduktime
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ballafaqohet me mungesë të energjisë, pavarësisht faktit se në këtë sektor janë bërë shumë investime të huaja dhe vendore. Sipas njohësve të kësaj fushe, në 11 vjetët e fundit, në këtë sektor janë investuar mbi 1 miliard euro, kryesisht për riparime të termocentraleve dhe import të rrymës.
KEK-u, siç duket, nuk mund të mbijetojë pa investime dhe reduktime të vazhdueshme të energjisë elektrike. Për të përmirësuar gjendjen, në 11 vjetët e fundit, janë investuar qindra miliona euro. Megjithatë, reduktimet vazhdojnë ende.

Viktor Buzhala, zëdhënës në KEK, thotë se kompania operon me një teknologji prodhuese të stërvjetruar, e cila, sipas tij, nuk arrin të prodhojë energji të mjaftueshme për të gjithë konsumatorët. "Pra, kapacitetet prodhuese janë më të ulëta sesa kërkesat për energji elektrike. Kjo shkakton edhe mungesa direkt. Ne po mbulojmë një pjesë nga importi, mirëpo për pjesën tjetër nuk mundemi”, thotë Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

Ky problem nuk i arsyeton investimet enorme në këtë kompani, thotë ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Ethem Çeku. Që nga përfundimi i luftës, sipas tij, në këtë sektor janë investuar mbi 1 miliard euro. Investimet e bëra në KEK janë nga donatorët ndërkombëtarë dhe buxheti i Kosovës.”Të gjitha këto investime që janë bërë, nuk kanë arritur të japin atë që është pritur – stabilizimi i situatës energjetike. Me arnime, me investime ‘ad hok’ nuk mund të zgjidhet problemi”, thotë Çeku.

Anëtarja e Komisionit për Tregti dhe Energjetikë në Kuvendin e Kosovës, Myzejene Selmani, pranon se riparimet e bëra në termocentralet aktuale nuk mund të sjellin përmirësim të furnizimit me energji elektrike.”Kjo është nga mosdija e njerëzve, të cilët kanë qeverisur me vendin. Tashmë është momenti i fundit që kjo qeveri të startojë menjëherë me projektin ‘Kosova e Re’ dhe paraja e qytetarit të dihet kah shkon”, shprehet Selmani.

Zyrtarë të qeverisë kanë planifikuar që deri në fund të vitit 2012 të përmbyllet marrëveshja me investitorin e ri për projektin "Kosova e Re”, ndërsa në 2017-ën ky termocentral të fillojë me prodhimin e energjisë.

Mungesat aktuale të energjisë elektrike, Viktor Buzhala i arsyeton me riparimet që po bëhen në disa blloqe. "Kemi problem me prodhim të energjisë elektrike. Aktualisht janë dy blloqe në sistem - është njësia B1 dhe njësia A4 që prodhojnë 400 megavate orë energji elektrike”, thotë ai.

Reduktimet janë duke u realizuar sipas planit ABC. Kategoria C, në të cilën llogariten konsumatorët që më së paku i paguajnë faturat e energjisë së shpenzuar, ballafaqohet me reduktime 2 me 4 në favor të territ.
Views: 464 | Added by: ksdardania | Rating: 2.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player