Kryesore » 2012 » Korrik » 3 » "Ferronikeli" lë pa punë 85 punëtorë
1:11 PM
"Ferronikeli" lë pa punë 85 punëtorë
Mursel Morina është njëri ndër 85 punëtorët që nuk i është vazhduar kontrata e punës në "Ferronikeli”, dhe ai nuk e di arsyen e largimit. "Të dielën kam shkuar në hyrjen e ndërmarrjes dhe sigurimi më kanë thënë se nuk mund të hysh brenda, sepse nuk je i punësuar më. Nuk kam asnjë njoftim për largim. Kam punuar për 40 vjet në këtë ndërmarrje pa asnjë vërejtje, jam larguar pa asnjë arsyetim. Fshati ynë Çikatovë e Vjetër ka pasur fusha, male e natyrë të mirë, por është dëmtuar e gjitha. Na janë marrë edhe pronat. Le të më kthehet prona nuk kërkoj punësim në Ferronikel”, thotë Murseli. Hakif Morina po nga ky fshat tregon se është njëri nga 40 punëtorët e këtij fshati që nuk i është vazhduar kontrata e punës dhe dyshon se ndaj banorëve të fshatit Çikatovë e Vjetër nga "Ferronikeli” është përdorur hakmarrje në mosarritjen e marrëveshjes për kompensimin e tokave. Zëdhënësi i "Ferronikelit”, Ekrem Tahiri, ka thënë të hënën se nuk u është vazhduar kontrata e punës përafërsisht 85 punëtorëve të fabrikës, me arsyetimin për të krijuar një ndërmarrje të qëndrueshme. "Kompania është duke punuar me një furrë elektrike dhe është në një krizë financiare me uljen e çmimit të nikelit në tregun botëror, dhe si masë për të qëndruar në treg, "Ferronikeli” nuk u ka vazhduar kontratën e punës 80-85 punëtorëve për t’i ikur krejt mbylljes”, ka thënë Tahiri. Ndërsa për qëndrimet e Sindikatës së Punëtorëve që ndihen të tradhtuar nga menaxhmenti, Tahiri ka thënë se janë mbajtur disa herë takime me ta dhe nuk kanë arritur asnjë marrëveshje. "Ky vendim për mosvazhdimin e kontratave të punës për këta punëtorë është për të mirën e shumicës së punëtorëve. Është një vendim i vështirë, kuptohet, por ndërmarrja shpreson që të mos ketë reagime të ashpra për të shkuar edhe në mbyllje totale. "Ferronikeli” është një kompani e qëndrueshme dhe atyre që nuk u është vazhduar kontrata me ngritjen e çmimit në tregun botëror të nikelit mund edhe të kthehen në vendet e tyre të punës”, ka thënë Tahiri. 

Të hënën është mbajtur një konferencë e përbashkët mes BSPK-së dhe Sindikatës së Punëtorëve të "Ferronikelit”. Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka përkrahur çdo qëndrim të sindikatës së "Ferronikelit” dhe vendimin e kësaj të fundit e ka quajtur shkelje të të drejtave të punëtorëve. Dorëheqje morale ka dhënë zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i "Ferronikelit”, Shefik Imeri. Ai nuk ka dashur të prononcohet për gazetën, por një letër në të cilën ka siguruar gazeta, ai përkrah të gjitha mjetet e sindikatës së punëtorëve dhe e çuan vendim të njëanshëm të ndërmarrjes mosvazhdimin e kontratave për 85 punëtorë. "Me 29 qershor, kemi pasur një mbledhje me kryesinë e Sindikatës së "Ferronikelit” në lidhje me mosshkurtimin e vendeve të punës së punëtorëve. U mor vendim që bisedimet të vazhdojnë të hënën për marrëveshje, në këtë mbledhje u vendos që të mos komunikohet asnjë listë me shkurtime eventuale të vendeve të punës deri ditën e hënë. Ju njëanshëm e keni konfirmuar listën me emrat e punëtorëve që nuk do t’u vazhdohet kontrata, nëse ky informacion është i saktë, ju keni bërë tradhti ndaj sindikatës së pavarur të punëtorëve, ndaj meje personalisht dhe ndaj gjithë klasës punëtore, andaj publikisht ju njoftoj se distancohem nga ky akt i turpshëm dhe qyqar juaji dhe në të ardhmen nuk dëshiroj që të kem punë me ju, por do t’i përkrah të gjitha qëndrimet e klasës punëtore dhe se gjërat nuk zgjidhen me tradhti, por me dialog dhe marrëveshje”, kjo është letra që ka siguruar gazeta e që Imeri i është drejtuar drejtorit menaxherial të kompanisë, Ioannis Moutafis. Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të "Ferronikelit” ka thirrur një mbledhje urgjente gjithë kryesinë sindikale dhe Kuvendin e kësaj sindikate dhe nga kjo do të dalin me qëndrimet e tyre.
Views: 508 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player