Kryesore » 2011 » Maj » 18 » Firmat s’mërziten për sigurinë e punëtorëve ?
1:17 AM
Firmat s’mërziten për sigurinë e punëtorëve ?
Gjatë këtij viti në Maqedoni 10 punëtorë kanë humbur jetën në vendin e punës. Nga Lidhja e sindikatave të Maqedonisë thonë se kjo shifër duhet të ngrejë alarmin për institucionet kompetente që të marrin masa adekuate për zbatimin e Ligjit për mbrojtje dhe sigurim gjatë punës. Por, kompanitë nuk janë të gatshme të investojnë në këtë drejtim
Elirijana ZILBEARI

Vetëm nga fillimi i vitit dhjetë punëtorë humbën jetën në vendin e punës. Bilanci i vitit të kaluar tregon se 44 punëtorë kanë humbur jetën duke punuar. Ky është alarm i mjaftueshëm për institucionet që të marrin masa plotësuese për zbatimin e Ligjit për mbrojtje dhe sigurim gjatë punës, thonë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) dhe nga Shoqata për mbrojtje gjatë punës.

"Përgjithësisht nuk jemi të kënaqur nga institucionet. Praktika e deritanishme ka treguar se institucionet janë në anën e punëdhënësve. Kur ndodh fatkeqësi, ata, qofshin inspektim, prokurori, organe hetuese, fajtorin e kërkojnë në rrethanat e fatkeqësisë. Asnjëherë fajtori nuk është punëdhënësi ose personi udhëheqës që nuk kanë marrë masa për mbrojtje të punëtorëve”, thotë Peco Ristevski nga LSM-ja.

"Është fakt se ka kompani që investimin në vend pune të sigurt e konsiderojnë për harxhim të panevojshëm, por është koha që të fillojnë edhe ta zbatojnë Ligjin për sigurim dhe mbrojtje gjatë punës, ligj ky i sjellë në vitin 2007. Përderisa në tetor të vitit të kaluar mundeshin të arsyetohen se nuk janë në gjendje vetë ta zbatojnë, tani nuk kanë më arsyetim pasi që 21 firma janë të licencuara që ta kryejnë ne vend të tyre punën”, thotë Lupço Koçovski, referent në Shoqatën për mbrojtje gjatë punës.

Sipas tij, vetëm në rrethana tjera për lëndim eventual mund të konsiderohet se është fajtor vetë punëtori pasi që nuk i ka zbatuar rregullat.

Biznesmenët, nga ana tjetër konsiderojnë se anëtarë të caktuar nga Ligji për sigurim dhe shëndet gjatë punës në mënyrë të panevojshme janë komercializuar dhe ajo ua ka rritur harxhimet. "Kërkohet trajtim i barabartë i të gjitha vendeve të punës, të cilat jo të gjitha janë të nënshtruara rreziqeve të njëjta. Kontabilist dhe punëtor në xeherore, në makina ose ata që punojnë me mekanizim bujqësor, nuk janë të nënshtruar të njëjtave kërcënime për jetë dhe shëndet, por për të gjithë këta punëdhënësi duhet të siguroj masa të njëjta për mbrojtje”, thotë Dimitar Stojanovski, kryetar i organizatës së punëdhënësve.

Nga LSM-ja dhe Shoqata për mbrojtje gjatë punës vlerësojnë ndryshe.

"Nuk ekzistojnë profesione të sigurta. Atë e dëshmojnë edhe të dhënat e fatkeqësive që kanë ndodhur në vendet e punës. Më shumë prej tyre kanë ndodhur në bujqësi. Të dhënat tregojnë se 37 për qind të fatkeqësive kanë qenë në këtë fushë”, shprehet Koçovski.
Views: 499 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player