Kryesore » 2012 » Qershor » 20 » Graçanica e Lipjani bëhen me “One Stop Shop”
1:57 PM
Graçanica e Lipjani bëhen me “One Stop Shop”
Biznesmenët e Komunës së Graçanicës dhe të Lipjanit nuk kanë më nevojë të udhëtojnë drejt Prishtinës për të regjistruar bizneset e tyre. Në dy komunat janë hapur qendrat e reja të biznesit të njohura si "One Stop Shop”. Në objektin e Komunës së Graçanicës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, së bashku me kryetarin e Graçanicës, Bojan Stojanoviq, hapën Qendrën Komunale të Biznesit. Ministrja Kusari-Lila me këtë rast tha se qendra do të lehtësojë procedurat e regjistrimit të biznesit të kësaj komune. "Qysh nga fillimi i marrjes së postit të ministres jam zotuar se do të punoj me përkushtim të plotë për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes. Sot po prezantojmë një rezultat konkret për këtë. Reformat që kemi ndërmarrë deri më tani kanë shkurtuar kohën e regjistrimit të biznesit nga 58 ditë në më pak se 5 ditë”, tha ministrja Kusari – Lila. 

Hapja e kësaj qendre u mirëprit nga kreu i Graçanicës.

"Nga sot bizneset në këtë qendër mund të pajisen me certifikatë të biznesit për 72 orë, gjithashtu certifikata e biznesit bashkë me numrin fiskal mund të merren në një dokument për një periudhë shumë të shkurtër kohore, si dhe bizneset mund të marrin këshilla nga zyrtarët e kësaj qendre”, tha ai.

Ministrja e Tregtisë më pas ka udhëtuar për në Lipjan ku së bashku me kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kanë hapur zyrën e regjistrimit të bizneseve "One Stop Shop”, një zyrë që është vlerësuar se do të jetë e rëndësishme për biznesin komunal. Kusari – Lila ka thënë me këtë rast se kjo zyrë do të luajë rol jashtëzakonisht të madh për biznesin, sepse tani e tutje afaristët nuk e kanë nevojën të udhëtojnë disa herë për në Prishtinë. Ajo njëherësh edhe ka ndarë certifikatën e parë nga kjo zyrë në Lipjan, që është lëshuar për afaristin Ali Mejzinolli.

"Për ne është me rëndësi që ta bëjmë më të lehtë ambientin e biznesit, që të mundësojmë për bizneset nëpër komuna që ta bëjnë regjistrimin drejtpërdrejtë në zyrat e komunave të tyre. Është me rëndësi që gjatë regjistrimit të biznesit po merret njëkohësisht edhe numri fiskal, që kursen kohën dhe mundin duke i bërë këto në një vend. Deri më tani në ARBK janë regjistruar 3196 biznese nga Lipjani. Mund ta imagjinoni sa e mundimshme ishte ardhja deri në Prishtinë, ndërsa nga sot qytetarët nga Lipjani kanë qendrën e tyre, ku mund të regjistrohen dhe të pajisen me informata të nevojshme”, ka thënë Kusari – Lila.

Ndërkohë kreu komunal, Buja, ka thënë se krahas kësaj zyre Lipjani pret edhe më shumë buxhet nga ministria që drejton Kusari – Lila.

"Ne presim që Ministria e Tregtisë dhe Industrisë krahas kompetencave për regjistrim biznesi të ndajë edhe më shumë buxhet për komunat, sepse komunat pos përgjegjësive duhet të marrin edhe fonde”, ka thënë ai.

Në shifrat zyrtare në Komunën e Lipjanit figurojnë 1.078 biznese aktive.

Pjesë e planit të hapjes së qendrave "One Stop Shop” janë edhe 4 qendra të tjera në Shtime, Fushë-Kosovë, Prishtinë dhe Obiliq.
Views: 488 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player