Kryesore » 2012 » Maj » 25 » Kërkojeni kusurin
2:51 PM
Kërkojeni kusurin
Pothuajse shumica e çmimeve në Kosovë përfundojnë më 99 centë, por gati asnjë nga dyqanet, nuk kthejnë për kusur 1 deri 4 centë. Për më tepër, ka qytetarë që nuk dinë as si duken monedhat më të imëta se 5 centë.Vlora Mirena, studente nga Prishtina, thotë se nuk i ka ndodhur asnjëherë që për kusur t’ia kthejnë 1 deri 4 centë. Në të shumtën e rasteve, ajo pa dashje merr çamçakëzë."Çdo dyqan, çfarëdo qoftë ai, i madh apo i vogël, nuk kthejnë kusur deri në dhjetë centë, ndërsa 1 centë - as nuk vjen në konsiderim. Nëse unë nuk kam centë, shitësi apo shitësja nuk më jep diçka që unë dëshiroj të blej. Kjo është shumë keq, dhe për këtë duhet ta marrë parasysh Ministria e Financave”, shprehet Mirena.Por, Dafina Gjekaj, qytetare, thotë se nga kureshtja ka kërkuar kusurin që i takon, por që nuk ka arritur të marrë monedha të imëta."Jo asnjëherë nuk mund t’i kthejnë. Si t’i kërkosh thonë se nuk kemi. Por, përse ata vendosin çmime që duhet të kthejnë kusur deri në 4 centë, kur nuk i kanë”, thekson Gjekaj.  Që të dyja këto konsiderojnë se në një mënyrë, janë vjedhur nga shitësit e dyqaneve.  

Burimi, është pronar në një dyqan në qendër të Prishtinës.

Ai pranon se ka qarkullim të rrallë të monedhave të imëta. Por, sipas tij, këto monedha në disa raste i kërkojnë vetëm konsumatorët ndërkombëtarë, por jo edhe vendorët.

"Jo, shumë pak janë . Nuk i merr askush. Ndërkombëtarët zakonisht i marrin, por nga vendorët, nuk i merr askush 1 dhe 2centë”, thekson ai.

Ndërkaq, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të pandershme, konsumatorëve po iu merret kusuri.

Ibrahim Rexhepi, thekson se në shumicën e dyqaneve në Kosovë, çmimet përfundojnë më 99 centë, ndërsa kusuri nuk kthehet.

"Është problemi tjetër, çoftë për efekte marketingu apo atraktivitetit, shpesh nëpër dyqane vërehet se çmimet përfundojnë me 9.9. Mirëpo, ai 9.9 rrumbullakohet, i merret 1 cent, që realisht në mënyrë të padrejtë dhe të pandershme i merret konsumatorit”, bën të ditur Rexhepi.

Në anën tjetër, Banka Qendrore e Republikës se Kosovës, është kompetente për sigurimin e një furnizimi të duhur të ekonomisë vendore me kartëmonedha dhe monedha euro.

Zyrtarë në këtë institucion, pohojnë se BQK-ja, ka sasi të mjaftueshme të të gjitha monedhave të imëta, por kërkesa për monedha 1 dhe 2 centë është shumë e ulët.

Furnizimin e tregut kosovarë më këto monedha, ky institucion e kryen në mënyrë indirekte përmes bankave komerciale, të cilat janë drejtpërdrejt të ndërlidhura me ndërmarrjet, bizneset dhe qytetarët.

Besnik Kada, zëdhënës në këtë institucion, tha se vetëm gjatë vitit 2011, bazuar në kërkesat e bankave komerciale, BQK-ja ka furnizuar këto të fundit me mbi 1.4 milionë copë monedha euro të të gjitha vlerave, prej të cilave afër 1 milion copë kanë qenë të dominimeve 5, 2 dhe 1centë.

"Furnizimi i bankave komerciale me monedha nga BQK-ja bëhet duke u bazuar në kërkesat që kanë këto të fundit për sasinë e monedhave. Për kryerjen e këtij funksioni BQK-ja mban sasi optimale të kartëmonedhave dhe monedhave euro, dhe i furnizon bankat komerciale në mënyrë të vazhdueshme”, thekson Kada.

Ndryshe, sipas disa të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, thuhet se në vitin 2007, kjo bankë ka furnizuar tregun bankar me 50 copë të monedhave nga 1 cent; në vitin 2008, 74 copë; në 2009 nuk ka furnizuar më asnjë cent.
Ndërkaq, në vitin 2010, bankat komerciale kanë kërkuar 69 copa nga 1 cent dhe në vitin 2011 ka pasur 251 copë nga 1 centë.

Mungesa e gatishmërisë për përdorim të euro centëve, sipas zyrtarëve të BQK-së, manifestohet në të dy anët qytetarët dhe ndërmarrjet.

Qytetarët, për shkak të vlerës se vogël, janë të prirë që mos të përdorin dhe paguajnë shërbime më këto monedha të imëta, ndërsa bizneset, sipas tyre, janë të të prirë gjithashtu të mos bëjnë kthimin e monedhave të kuqe, gjatë transaksioneve, duke bërë rrumbullaksime në vlerën e faturës me rastin e pagesës.

"Kjo dukuri është evidente në mbarë territorin e Republikës së Kosovës, dhe me këtë rast do duhej që qytetarët të jenë më këmbëngulës në kërkesën e tyre për kthimin e saktë të vlerës gjatë blerjes, që rrjedhimisht do i shtynte bizneset që të rrisin kërkesën për këto vlera te bankat komerciale”, thotë Besnik Kada.

Edhe eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se konsumatorët duhet me këmbëngulje të kërkojnë kusurin që i takon, pavarësisht se sa i vogël është.

Ai thotë se vlera 1 deri 4 centë për një individ nuk është shumë e madhe, por bizneset përfitojnë nga kjo, kur llogaritet qarkullimi total, pasi çdo konsumatori iu ndalet nga 1 deri në 4 centë.

"Mungesë e kulturës se tregtarëve, njerëzve që kujdesen për furnizimin e tregut dhe konsumatorëve, dhe mungesë e kulturës apo edhe guximit të vetë konsumatorëve, që të kërkojnë paranë apo kusurin që iu takon”.

"Kur bëhet fjalë, individualisht 1, 2, 5 centë nuk janë diçka shumë e madhe për një individ, por kur merret parasysh totalin e qarkullimit që kanë bizneset, atëherë këto bëjnë një sasi bukur të madhe të parasë”, shprehet Rexhepi.

Sidoqoftë, zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, konkludojnë se nuk ka mungesë të 1, 2 dhe 5 euro centëve në Republikën e Kosovës, por ka jo gatishmëri për përdorim të tyre nga ana e bizneseve dhe qytetarëve
Views: 438 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player