Kryesore » 2012 » Janar » 23 » Konferencë për kompleksin turistik “Brezovica”
10:07 PM
Konferencë për kompleksin turistik “Brezovica”
Gjatë muajit të ardhshëm Ministria e Tregtisë dhe Industrisë pritet të organizojë një konferencë të investitorëve për kompleksin turistik "Brezovica”. Njëkohësisht Komisioni Evropian do të publikojë masterplanin për revitalizimin e këtij kompleksi. Kështu konfirmojnë zyrtarë të Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian dhe ministrisë së tregtisë dhe industrisë. Privatizimi i kompleksit turistik "Brezovica” në komunën e Shtërpcës mund të bëhet gjatë këtij viti. Komisioni Evropian (KE) ka hartuar një masterplan për revitalizimin e kompleksit, të cilin e prezanton në shkurt. Zyrtarja për informim në Zyrën Ndërlidhëse të këtij Komisioni, Fjolla Çeku, tha për Radio Kosovën se gjatë studimit është vlerësuar se një hapësirë pranë qendrës aktuale të skijimit ofron më shumë potencial për zhvillim. "Prezantimi i masterplanit pritet të bëhet në shkurt dhe parashihen dy faza të zhvillimit: faza e parë parasheh zhvillimin e zonave të reja malore, të përshtatshme për një qendër të re turistike dhe faza e dytë shikon mundësitë e rehabilitimit të qendrës ekzistuese skitare në Brezovicë”, tha Çeku.

Brezovica është ndër ndërmarrjet më të mëdha kosovare, që nuk është privatizuar ende, për shkak të natyrës tejet komplekse. Por privatizimi do të bëhet sivjet, thotë Drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Shkëlzen Llukaj.

"Besoj që gjatë vitit 2012 ne do e bëjmë privatizimin e aseteve të ndërmarrjes shoqërore të Brezovicës, kurse për pjesën tjetër, besoj që qeveria e Kosovës do të nxisë investitorët e huaj, të cilët mund të jenë të interesuar për asetet e ndërmarrjes shoqërore”, theksoi Llukaj.

Ndërkohë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që kryeson grupin ndërministror për këtë kompleks, është duke përgatitur mbajtjen e një konference të investitorëve, thotë zyrtarja për informim në këtë Ministri, Arta Istrefi.

"Sipas përgatitjeve dhe parashikimeve, besojmë që në fillim të shkurtit do të mbahet konferenca, për shkak se kjo nuk varet vetëm nga ana jonë e ministrisë por edhe e donatorëve me të cilët jemi duke punuar deri në finalizimin e masterplanit”, tha ajo.

Istrefi shfaq shpresën se investitorët nuk do të mungojnë pavarësisht krizës në vendet e Eurozonës.

Zbatimi i masterplanit për revitalizimin të Brezovicës pritet të ndikojë në zhvillimin e zonës së Shtërpcës, në nxitjen e punësimit si dhe në përmirësimin e raporteve ndëretnike. Por, derisa ky masterplan nuk është përfunduar ende, nuk bëhet e ditur as kostoja e përgatitjes së tij.
Views: 456 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player