Kryesore » 2011 » Maj » 25 » Kontraktuesi i PTK-së “përfaqësohet” me Haxhën në Londër
2:50 PM
Kontraktuesi i PTK-së “përfaqësohet” me Haxhën në Londër
Përfituesi i 400 mijë eurove nga Postë-Telekomi i Kosovës pritet të prezantohet në Konferencën ndërkombëtare të inxhinierisë në Londër nga kryeshefi i kësaj korporate Shyqyri Haxha, shkruan "Koha Ditore”. Kryeshefi i PTK-së, sipas listës së pjesëmarrësve të kësaj konference ndërkombëtare të publikuar nga Asociacioni Ndërkombëtarë i Inxhinierisë, do të marrë pjesë në cilësinë e pedagogut të Universitetit të Kentit. Kjo konferencë planifikohet të mbahet prej datës 6 deri më 8 korrik të këtij viti. Haxha, i kontaktuar nga gazeta, ka mohuar se do të përfaqësojë këtë universitet në këtë konferencë ndërkombëtare. Sipas tij, mund të ndodhë që ndonjë publikim i tij shkencor të prezantohet nga ndonjë koleg i tij, i cili në këtë rast do të merrte pjesë në Londër gjatë mbajtjes së kësaj konference ndërkombëtare.
"Punimet shkencore prezantohen nga secili autor i publikimit, në këtë rast një koleg apo autor bën prezantimin e punës së përbashkët shkencore. Unë as nuk marr pjesë e as që kam aplikuar për konferencën që ju e cekni dhe as që kam dëgjuar për këtë konferencë”, ka thënë Haxha, duke shtuar se ka mundësi që ndonjë koleg i tij të bëjë ndonjë prezantim të punimeve shkencore që ai ka bërë.
Haxha ka qenë i angazhuar si ligjërues në Universitetin e Kentit edhe para se të vinte në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të korporatës publike të Postë-Telekomit. Pasi ishte emëruar në këtë pozitë, PTK-ja e Universiteti i Kentit kishin lidhur një marrëveshje për trajnimin e stafit të kompanisë publike. Numri i punëtorëve të PTK-së që do të shkonin në Londër ishte mbi 30, ndërsa vlera në euro e marrëveshjes ishte afro 400 mijë euro. Lidhja e kësaj marrëveshjeje ishte njëra nga pistat për të cilat EULEX-i kishte kryer bastisje në korrik të vitit të kaluar në objektet e PTK-së, si dhe në banesën e kryeshefit të kësaj korporate. Haxha pati konfirmuar në një konferencë shtypi se për çfarë arsyeje kishin hyrë në PTK hetuesit e misionit evropian për sundim të ligjit.
"Këto çështje janë Kenti dhe Z-Mobile. Nuk ka as të arrestuar, as të dyshuar dhe as të atillë që janë marrë në pyetje”, pati thënë Haxha, duke shtuar se ka qenë në kontakt me zyrtarë të EULEX-it, por se nuk i ka pëlqyer ardhja e tyre me maska.
Përveç rastit të Kentit, hetuesit e EULEX-it kishin bastisur këtë korporatë për shkak të dyshimeve se kontrata e lidhur mes PTK-së dhe kompanisë "Dardafone” është bërë në mënyrë të kundërligjshme.
Views: 498 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player