Kryesore » 2012 » prill » 16 » Kosova, blerësi më i madh i energjisë në rajon
11:51 PM
Kosova, blerësi më i madh i energjisë në rajon
 Edhe 13 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, furnizimi i rregullt me energji elektrike mungon në Kosovë. Ekspertë të fushës së energjisë vlerësojnë se një problemi i tillë ishte zgjidhur shumë më herët sikur autoritetet kosovare të ishin më të përgatitura dhe të dinin t’i shfrytëzonin resurset natyrore që ka vendi. Ish-ministri Ethem Çeku, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova në nivel evropian, dhe po ashtu radhitet lart edhe në nivel botëror me pasuri të mëdha në fushën e linjitit plumbit, zinkut, arit dhe argjendit, por që këto resurse, siç thekson Çeku, po mbesin të pashfrytëzuara."Kosova i posedon këto resurse të mëdha natyrore, por fatkeqësisht këto resurse nuk po mund të hyjnë në favorin e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe këto resurse sikur po na mallkojnë që vendi ynë të mbetet vend i varfër dhe qytetari ynë në shekullin XXI të përballet me mungesë të energjisë elektrike”, thotë Çeku.

Pavarësisht të gjitha këtyre kritikave për mungesë të energjisë elektrike, që ekspertët e energjetikës i kanë bërë me vite radhazi, në Korporatën Energjetike të Kosovës, thonë se furnizimi me energji elektrike nuk mungon. Sipas tyre, gjatë pesë javëve të fundit të gjithë qytetarët e Kosovës janë furnizuar rregullisht me energji elektrike pa pasur reduktime.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht nuk ka reduktime me energji elektrike për asnjë kategori.

"Nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike tash e 5 javë, nuk ka reduktime në as një cep të Kosovës, për asnjë kategori. Kategorizimi ABC momentalisht është pasiv, kjo si pasojë e mbulimit të kërkesës nga prodhimi vendor që po bëhet. Kemi katër njësi në prodhim që po e mbulojnë kërkesën”, deklaron Buzhala.

Buzhala thekson se Korporata Energjetike e Kosovës është e përkushtuar që të mos ketë reduktime të energjisë elektrike.

"Aktualisht, nuk ka reduktime për asnjë kategori dhe po flasim për një periudhë afatgjate. KEK-u është i përkushtuar që të vazhdojë ta përmirësojë furnizimin me energji elektrike nga dita në ditë, nga java në javë, nga viti në vit - e ka bërë dhe po e bën”, thekson Buzhala.

Pavarësisht kësaj deklarate të zëdhënësit Buzhala, të premten në një komunikatë për media të lëshuar nga KEK-u, thuhet se për shkak të disa problemeve teknike kanë mbetur pa energji elektrike disa lagje në kryeqytet.

Ndryshe, pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë. Ekspertët e energjetikës thonë se pa ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç është realizimi i projektit të shumëpërfolur Termocentrali "Kosova e re”, vështirë se do të mund të shkarkohet vendi nga mungesa e energjisë elektrike.

Ethem Çeku thekson se jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil, i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative vendit.

"Unë mendoj se janë dy probleme të mëdha, kemi një klasë qeverisëse, e cila nuk është e përgatitur për sfidat zhvillimore në konceptin ekonomik të vendit dhe, po ashtu, edhe një pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë të vendosur në Kosovë sikur janë larg këtyre proceseve dhe Kosova gradualisht është shndërruara në blerës më të madh të energjisë elektrike nga vendet e rajonit”, vlerëson Çeku.
Views: 429 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player