Kryesore » 2012 » Shtator » 1 » Kosova, vend tërheqës për investitorët turq
2:21 PM
Kosova, vend tërheqës për investitorët turq
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila mori pjesë në panairin ndërkombëtar të Izmirit, ku marrin pjesë ministra, ambasadorë dhe përfaqësues të bizneseve nga 64 vende të botës.Në kuadër të panairit, zëvendëskryeministrja kosovare u takua me ministrin e Shkencës, Industrisë dhe Teknologjisë të Turqisë, Nihat Ergun."Marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe Turqisë janë të mira, por ne shpresojmë që shumë shpejt ky bashkëpunim të thellohet edhe më tutje”, tha Kusari-Lila.

Sipas kumtesës së MTI-së, ajo kërkoi mbështetjen e qeverisë së Turqisë për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë. "Kosova është në vazhdën e reformave të politikave tregtare dhe të ndërmarrjeve të vogla e të mesme, ku ka nevojë për mbështetje. Përvoja e Turqisë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe në zhvillimin e zonave industriale tekno-parqeve janë fushat prej nga ne kërkojmë mbështetjen tuaj”, tha Kusari-Lila.

Ministri turk, Ergun tha se marrëdhëniet tregtare ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë të shkëlqyeshme dhe në ngritje të vazhdueshme. "Ne do të thellojmë marrëdhëniet dhe do të mbështesim Kosovën në rrugën e zhvillimit ekonomik”, tha ai, duke mbështetur kërkesën e Kusari-Lila për ndihmë në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme dhe të zonave industriale në Kosovë.

Ai tregoi se në Turqi është themeluar agjencia shtetërore, e cila shërben për trajnime dhe ngritje profesionale të ndërmarrësve të rinj. "Ne jemi të gatshëm t’i mbështesim ndërmarrësit e rinj kosovar në edukimin, trajnimin dhe ngritjen e tyre. Ne presim që të dy ministritë tona të përcaktojnë detajet e bashkëpunimit në këto fusha”, shtoi Ergyn.

Ministri turk tha se investitorët turq kanë filluar ta shohin Kosovën si vend atraktiv për investime. "Kosova është një treg i vogël por bizneset turke përmes Kosovës tanimë kanë qasje në tregun e madh të Bashkimit Evropian. Unë jam i sigurt që këto investime do të rriten në vitet e ardhshme për të mirën e të dy vendeve”.

Panairin Ndërkombëtar të Izmirit e vizitojnë mesatarisht 1.5 milion vizitorë. Vitet e fundit në panair janë ekspozuar produkte të industrive me trend të zhvillimit, siç janë industria e drurit, e automobilave, ndërtimit, pajisjeve shtëpiake, teknologjisë informative dhe telekomunikacionit.
Views: 708 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player