Kryesore » 2012 » Dhjetor » 2 » Kusari Lila: Kosova ka përparësi për investitorët turq
2:42 PM
Kusari Lila: Kosova ka përparësi për investitorët turq
Në Samitin Ndërkombëtar të Ballkanit të mbajtur në Bursa, në një takim me zëvendëskryeministrin e Turqisë Bulent Arinc dhe para të ftuarve tjerë, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila tha se reformat e të bërit biznes në Kosovë duhet të ju shërbejnë bizneseve turke që ta shohin Kosovën si vend me përparësi për investime në rajon."Siç ka treguar raporti i fundit i Bankës Botërore për të bërit biznes, Kosova është duke bërë reforma të thella ekonomike në këtë fushë. Bizneset turke janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë dhe duhet ti shohin këto reforma si përparësi në investimet e tyre në rajon." tha ajo.Ministrja Kusari Lila tha po ashtu që investitorët turq duhet ta kenë të qartë që Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Turqisë kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm ekonomik. "Ekonomikisht, Qeveria e Kosovës e trajton bashkëpunimin në mes të dy vendeve tona si të veçantë për shumë arsye. Si rezultat, kompanitë turke janë pjesë e projekteve më të mëdha në Kosovë, autostradës së re e cila sapo është lëshuar në qarkullim dhe aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës i cili i është dhënë me koncesion një kompanie turke”, tha Kusari Lila.

Tregtia në mes Kosovës dhe Turqisë, sipas saj, është duke u forcuar dhe se kjo është shenjë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ekonomik në mes vendeve tona. "Ne kemi nënshkruar marrëveshjen për mbrojtjen e investimeve dhe para disa muajsh kemi filluar negociatat për marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes Kosovës dhe Turqisë. Turqia po ngritet në listën e partnerëve tanë kryesorë tregtar dhe investimet turke në Kosovë po rriten gradualisht. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Turqisë janë dyfishuar prej 100 milion, në 2007, në rreth 200 milion në fund të vitit 2011. Këto janë tregues të qartë për lidhjet e fuqishme në mes dy shteteve tona dhe unë shpresoj që ato do të forcohen edhe më tutje”, përfundoj zëvendëskryeministrja Kusari Lila.

Zëvendëskryeministri i Turqisë Bulent Arinc tha që Turqia ka interesa në Ballkan dhe është e interesuar që rajoni të prosperojë sa më shumë. "Asgjë nuk është më normale për Turqinë sesa të tregojë interes për Ballkanin me të cilin ne ndajmë lidhjet të thella historike, kulturore dhe humanitare. Turqia nuk ka prioritet tjetër sesa të shoh kombet e Ballkanit të prosperuara dhe të lumtura. Sukseset dhe e ardhmja e vendeve të Ballkanit është përbashkët.”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Arinc shprehu edhe përkrahjen për vendet e rajonit në proceset euroatlantike. "Ne besojmë që paqja dhe stabiliteti i rajonit janë faktorë të rëndësishëm për këto vende të cilat janë dëmtuar shumë nga luftërat. Për këtë arsye ne përkrahim perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit dhe anëtarësimin e tyre në NATO”, përfundoi ai.

Samiti ndërkombëtar për Ballkanin që po mbahet në Bursa është organizim për të forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar në mes të vendeve të Ballkanit dhe Turqisë si dhe të promovojë mundësitë e investimeve dhe bizneseve të reja në rajon.
Views: 389 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player