Kryesore » 2012 » Gusht » 20 » Kushtëzime të reja për regjistrimin e veturave
11:48 AM
Kushtëzime të reja për regjistrimin e veturave
Përmes një vendimi që është marrë kohëve të fundit nga komunat e ndryshme të Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, qytetarët detyrohen që të paguajnë një varg taksash për të regjistruar veturën. Sipas të njëjtit vendim, për regjistrimin e një makine, kosovarët duhet të paguajnë taksat komunale (bërllokun, tatimin në pronë, ujin), taksat ekologjike, ato rrugore, administrative etj. Ky është një obligim që duhet të respektohet, në të kundërtën veturën mund ta mbash në garazh ose edhe ngasësh pa të drejtë ligjore. Institucionet që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, këtë vendim të dy administratave, lokale dhe qeveritare, e konsiderojnë të padrejtë. Madje sipas Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, kjo parqet shkelje të të drejtave të njeriut, ose thonë ndryshe "është vendim që aplikohet në vendet totalitare”. Bexhet Shala, kryetar i KMDLNJ-së, konsideron se "ky kushtëzim është i kundërligjshëm dhe se nuk ekziston në asnjë konventë ndërkombëtare”. "Ne e denoncojmë këtë kushtëzim që po iu bëhet qytetarëve në disa qytete të Kosovës. Kjo është një gjë e kundërligjshme, e cila nuk eksiston në asnjë vend të botës, që të kushtëzohen qytetarët që të kryejnë obligimet e tyre që kanë. Kjo gjë nuk parashihet në asnjë konventë e në asnjë ligj në asnjë vend, ku ka shtet ligjor e demokratik. Ata që e kanë bërë një gjë të tillë duhet të gjejnë mënyra të treja që qytetarët të kryejnë pagesat në mënyrë e kohë të duhur e jo kështu në këtë masë diskriminuese. Edhe një herë ne e denojmë ashpër këtë shkelje që po iu bëhet qytetarëve”, tha Shala.

Ndërsa Mjalinda Lulaj, zëdhënëse në zyrën e Avokatit të Popullit, këtë vendim nuk e cilëson si cënim të të drejtave të njëriut. Ajo thotë se do të ishe cënim nëse ky kushtëzim do të bëhej për dhënien e dokumenteve të identifikimit apo shërbimeve shëndetësore.

"Vendimet e autoriteteve komunale ose të nivelit qendror që të krijohen kushtëzime me të cilat qytetarët detyrohen të kryejnë obligimet për të pranuar shërbime publike kualitative nga shteti, është praktikë që përdoret nëpër vende të ndryshme. Kushtëzime të tilla nuk mund të bëhen në rastet kur cënohet ndonjë nga të drejtat e njeriut, p.sh kushtëzimi eventual me dhënien e dokumenteve të identifikimit apo shërbimeve shëndetësore etj, të cilat janë të domosdoshme”, tha ajo.

Muhamet Haziri, pronarë i njërës nga kompanitë e sigurimeve thotë se në Prishtinë akoma nuk ka fillu të aplikohet një gjë e tillë mirëpo , sipas tij, po që se fillon të aplikohet ky kushtëzim do të jetë një katastrofë e madhe.

"Deri sot akoma nuk ka filluar ky kushtëzim në Prishtinë, por nëse fillon do të jetë shumë keq... nëse bëhet kjo atëherë shumë qytetarë nuk do t’i paguajnë sigurimet e regjistrimit të automjeteve e atëherë do të ketë aksidente edhe më të mëdha dhe nuk merr askush përgjegjës”, tha ai. Ata që e kanë bërë këtë kushtëzim, sipas tij, duhet të mendojnë një zgjidhje tjetër, jo nëpërmjet detyrimit të pagesës së taksave komunale.

Ata të cilët e pësojnë më së shumti janë padyshim qytetarët. Ata ankohen se me këtë kushtëzim po u cenohet e drejta dhe liria e tyre. F.H, një qytetarë nga Prishtina thotë se kjo gjë nuk ka logjikë, duhet të gjindet një zgjidhje tjeter sa më parë që është e mundur.

"Kjo s’ka kurrëfarë logjike. Unë nuk po e di se ku po i shpikin këto rregullore këta njerëz. Le të bëjnë zgjidhje tjetër e jo të na kushtëzojnë” . Edhe S. Hyseni, qytetarë nga Prishtina shprehet i habitur me këtë vendim. Ai thotë se në këtë vend gjithkush mund të bëj gjithçka.

"Këta njerëz nuk janë normal për këto vendime që i marrin. Këtu te na gjithkush bën çka t’ia donë qejfi dhe nuk i intereson për qytetarët. Kjo që po ndodhë te ne nuk ndodhë në asnjë vend të botës”, tha ai.

Ndryshe, në disa komuna aplikohet praktikë e vjetër e pagesës së takës komunale e cila ka shkuar në korrelacion me pagesën e tatimit në pronë. Ndërsa disa komuna si Gjilani e Fushë-Kosova janë avancuar në këtë drejtim.

Në Gjilan kërkohet pagesa edhe e ujit e bërllokut, ndërsa në Fushë-Kosovë kërkohet pagesa e mbeturinave. Madje në Fushë-Kosovë qytetarët së pari regjistrohen për pagesën mujore të bërllokut, e më pas taksa për mbeturina për regjistrim veturash.

Madje në këtë komuna e cila nuk është larg kryeqytetit, administratës nuk iu intereson se a shkon higjiena-teknika për mbledhje mbeturinash në lagje apo jo, qytetari ku do që jeton në këtë komunë është i detyruar të paguaj taksën. "Kjo është një ligësi e atyre që e kanë fut këtë kushtëzim për qytetarët”, u shpreh Behgjet Shala i KMDLNJ-së.
Views: 685 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player