Kryesore » 2011 » Maj » 13 » Lëvizja për Bashkim kërkon kod telefonik për Kosovën
1:04 PM
Lëvizja për Bashkim kërkon kod telefonik për Kosovën
Shfrytëzimi i kodit telefonik të Serbisë, sipas deputetëve të Lëvizjes për Bashkim, që vepron në kuadër të Grupit Parlamanetar Vetëvendosje , i shkakton dëme qindra milionë euro buxhetit të vendit. Në seancën plenare të Kuvendit, të mbajtur të enjten, deputeti nga radhët e Lëvizjes për Bashkim, Afrim Kuleta, ka kërkuar nga organet kompetente shtetërore që të marrin masa drejt sigurimit të kodit telefonik për vendin. Kuleta ka vlerësuar se është më mirë që të bëhet një marrëveshje për shfrytëzimin e kodit telefonik të Shqipërisë derisa Kosova ta fitojë një kod të vetin ndërkombëtar.
"Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë ne vazhdojmë të përdorim prefikse të huaja. Përveç tjerash, ne vazhdojmë ta përdorim prefiksin e një shteti i cili deri dje na ka mbajtur të pushtuar”, ka thënë Kuleta.
Ai ka theksuar se vazhdimi i përdorimit të prefiksit +381 i bën shërbim ekonomik e politik shtetit serb.
"Me këtë shërbim që ia bëjmë këtij shteti, përveç kostos politike, na kushton edhe qindra miliona euro. Pasojat e përdorimit të këtyre prefikseve janë shumë të mëdha.
Në këtë rast ne po pranojmë që jemi pjesë e një tërësie pa qenë të detyruar ta bëjmë këtë përveç humbjes së mjeteve financiare”, ka thënë deputeti Kuleta gjatë seancës plenare të Kuvendit.
Ndërkohë, ndonëse kërkesa për kod telefonik të Kosovës është bërë qysh në kohën kur në vend ka administruar UNMIK-u, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) si agjenci e Kombeve të Bashkuara ende nuk ka marrë asnjë hap në alokimin e kodit telefonik për vendin.
"Kosova ende nuk ka siguruar numrin e mjaftueshëm të shteteve të cilat do të votonin pro alokimit të kodit shtetëror për Kosovën dhe rrjedhimisht marrja e një kodi të tillë ndërlidhet me aktivitetet lobuese dhe gatishmërinë e shteteve të tjera për të njohur dhe ndihmuar Kosovën si shtet”, ka thënë Besnik Berisha, anëtar i bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.
Ai ka theksuar se mungesa e kodit shtetëror për Kosovën bart në vetvete një kosto financiare të diskutueshme.
"Nuk mund të operohet me shifra të sakta të humbjeve, por duhet theksuar se këto ‘humbje’ janë të kushtëzuara dhe nuk kanë karakter absolut në kushtet dhe rrethanat e tanishme. ART-ja është duke mbledhur, analizuar dhe monitoruar të dhënat mbi tregun e telekomunikacionit me intensitet të shtuar dhe shumë shpejt pritet që të dalë me raporte të reja të cilat do të përmbajnë të dhëna të reja të bazuara në lidhje me tregun e telekomunikimeve, prej nga mund të nxirren parametra dhe tregues të tjerë ekonomikë që kanë të bëjnë edhe me çështjen e kodit”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, sjellja e dy kodeve të reja nga Monako dhe Sllovenia së bashku me dy operatorët e telefonisë mobile "Vala” dhe "Ipko” përbën vlerë e shtuar për ekonominë e vendit për shkak të mbulimit të lartë të territorit në masën deri 74 për qind.
"Përpjekjet për marrjen e kodit ndërkombëtar nuk duhet pushuar asnjëherë dhe kjo duhet shikuar si angazhim i institucioneve relevante shtetërore dhe ART-së brenda kontekstit politik në të cilin ndodhet vendi”, është shprehur Berisha.
Ai nuk e sheh si opsion të qëlluar shfrytëzimin e kodit telefonik të Shqipërisë ashtu sipas propozimeve të deputetëve.
"Nëse shihet kjo si një interes nacional strategjik dhe gjithë treguesit flasin për një leverdi mbarëkombëtare, shfrytëzimi i kodit të Shqipërisë do të ishte zgjidhje premtuese me kushtin se pajtohen dy administratat shtetërore dhe nuk ka konsekuenca tjera që politikisht do të reflektonin në disfavor tonin”, ka thënë Berisha.
Për shkak të mungesës së kodit telefonik, sipas ekspertëve të proceseve të transaksionit është vënë në pikëpyetje edhe çmimi i shitjes së Postë-Telekomit të Kosovës. Në bazë të planifikimeve qeveritare çmimi i privatizimit të PTK-së nuk mund të zbresë për shkak të mungesës së kodit telefonik. Planet për privatizimin e kësaj korporate publike nuk e parashohin si problem mungesën e kodit telefonik për të cilin Postë-Telekomi i Kosovës kishte paguar rreth 20 milionë euro në konton e "Monaco Telecomit”. Korporata e Postë-Telekomit për shkak se Kosova nuk është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Telekomit, për të pasur kod të vetin ka shpenzuar dhjetëra miliona euro deri më tash duke shfrytëzuar kodin telefonik të "Monaco Telecomit”, për thirrjet që realizohen nga jashtë drejt operatorit "Vala” dhe anasjelltas. Ndërkaq, sipas parashikimeve të sindikalistëve, shitja e kësaj ndërmarrjeje pa kod telefonik do të ndikonte që çmimi i saj të jetë më i ulët në treg për 80 milionë euro.
Shpërndaje artikullin:
Views: 607 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player