Kryesore » 2011 » Maj » 19 » Miratohet marrëveshja e borxhit 8.5 milionë USD me Serbinë
12:18 PM
Miratohet marrëveshja e borxhit 8.5 milionë USD me Serbinë
Qeveria miraton kthimin e borxhit prej 8.5 milionë dollarë që Shqipëria i ka Serbisë. Marrëveshja u miratua dje gjatë mbledhjes së qeverisë, ndërkohë që vendimi vjen vetëm pak ditë nga miratimi i tij akt nga qeveria e serbe. Edhe pse vendimi është zbardhur në faqen zyrtare në internet të qeverisë, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me marrëveshjen.
Ueb-i i qeverisë konfirmon vetëm miratimin e marrëveshjes në fjalë duke mos zbardhur termat e marrëveshjes. "Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, të Kushtetutës, me propozimin të Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, për shlyerjen e borxhit të Republikës së Shqipërisë ndaj Republikës së Serbisë", - citohet në vendimin e qeverisë. 
Marrëveshja në fjalë ka të bëjë për një borxh të akumuluar nga Shqipëria gjatë qeverisjes komuniste ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë nga marrëdhëniet tregtare dypalëshe. Borxhi ka një vlerë totale prej 20.7 milionë dollarë nga të cilat 8.5 milionë do t'i marrë Serbia, ndërsa pjesa tjetër do të ndahet ndërmjet Bosnjës, Maqedonisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi. Vlen për t'u theksuar se nga kjo shumë nuk do të përfitojë Kosova edhe pse gjatë akumulimit të këtij borxhi, ajo kaq enë pjesë e ish-Federatës Jugosllave.


Pas miratimit të martën e shkuar, qeveria serbe i kërkoi parlamentit ratifikimin sa më shpejtë të saj me qëllim që të fillojë sa më parë kthimi i parave. Meqenëse marrëveshje të tilla duhet të ratifikohen nga parlamentet reciproke, mbetet për t'u parë koha se kur do të bëhet votimi i saj në Parlamentin Shqiptar.


Marrëveshja në fjalë është mbajtur e fshehtë në Shqipëri, ndërkohë që kanë qenë mediat serbe ato që kanë dhënë lajmin të parat duke zbardhur edhe një pjesë të saj. Agjencia serbe e lajmeve "Tanjug" njoftonte javën e shkuar në lidhje me kërkesën që qeveria serbe i kishte bërë parlamentit të këtij vendi për të ratifikuar sa më shpejtë marrëveshjen në fjalë.


Sipas marrëveshjes dy paleshe Shqipëri-Serbi, vendi ynë ka pesë vjet afat për t'i paguar Serbisë borxhin total prej 8.5 milionë dollarë plus interesat. Gjatë kësaj periudhe, pagesat do të bëhen në data fikse dy herë në vit, në 31 mars dhe 30 shtator. Marrëveshja gjithashtu parashikon edhe penalitete në rast se Shqipëria vonohet në pagesat e detyrimeve. Në rast të vonesave, mbi shumën që duhet paguar do të aplikohen interesa plus.


Marrëveshja midis qeverisë shqiptare dhe shteteve që kanë dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë për kthimin e borxhit nga vendi ynë është nënshkruar në shkurt të këtij viti. Pjesë e saj ishte edhe miratimi i shumave që vendi ynë duhet t'i paguajë secilit prej këtyre vendeve. Nga borxhi total prej 20.7 milionë dollarë, sipas marrëveshjes në fjalë, Shqipëria duhet t'i paguajë Kroacisë 5.5 milionë, Sllovenisë 3.8 milionë dollarë, Bosnjës 3.7 milionë, Malit të Zi 532 mijë dollarë dhe Serbisë rreth 8.5 milionë dollarë. Shuma prej 20.7 milionë dollarë është vetëm principali, ndërsa bashkë me interesat, vendi duhet të paguajë një shumë prej 23.7 milionë dollarë.


Mospërfshirja e Kosovës në listën e shteteve përfituese nga borxhi shqiptar ndaj shteteve të ish-Jugosllavisë shkaktoi pakënaqësi në shtetin tjetër shqiptar në Ballkan. Kjo, me arsyetimin se gjatë kohës kur është mbledhur borxhi, edhe Kosova ka qenë pjesë e Jugosllavisë. Pas miratimit të mbledhje qeveria, pritet që marrëveshja të ratifikohet edhe në parlament dhe më pas hyrjes në fuqi të fillojë të zbatohet.


Ndarja e borxhit sipas shteteve
Serbia 8.5 mln USD
Sllovenia 3.8 "
Kroacia 5.5 "
Bosnja 3.7 "
Mali i Zi 0.5 "



Borxhi publik rritet me 20 miliardë lekë

TIRANË- Borxhi publik i Shqipërisë ka njohur një rritje galopante vetëm përgjatë tre muajve të parë të këtij viti. Rritja e investimeve publike para fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit ka bërë që qeveria të heqë dorë nga politika e ndjekur përgjatë vitit të shkuar për mbajtjen nën kontroll të borxhit duke liruar tashmë dorën. Të dhënat më të fundit zyrtare nga Ministria e Financave raportojnë për një rritje me plot 20 miliardë lekë e borxhit publik vetëm për tre muajt e parë të këtij viti, shifër tejet e lartë krahasuar me treguesit aktual të stokut të borxhit të vendit.


Shqipëria e mbylli vitin 2010 me një borxh publik në nivelin e 715 miliardë lekëve, pas përpjekjeve të qeverisë për të ulur shpenzimet me qëllim mbajtjen e këtij treguesi nën 60 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por kjo gjë nuk mund të thuhet për tre muajt e parë të vitit 2011. Nëse deri në fund të 2010, borxhi total i vendit ishte 715 miliardë lekë, vetëm për një çerek viti ai u rrit në 735 miliardë lekë. Nga të dhënat, mësohet se pjesa dërrmuese e borxhit gjatë kësaj periudhe është marrë në tregun vendas. Kështu, nëse kemi të bëjmë me një rritje totale prej 20 miliardë lekë, plot 18 miliardë lekë janë marrë nga bankat apo individët me anë të bonove të thesarit.


Pjesa më e madhe e borxhit publik të vendit përbëhet nga borxhi i brendshëm. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, rreth 425 miliardë lekë janë borxh i marrë nga qeveria, kryesisht prej bankave vendase, ndërsa 310 miliardë lekë janë borxh i jashtëm. Në këtë borxh hyn edhe ai prej 400 miliardë euro i marrë një vit më parë nga qeveria nëpërmjet eurobondit.


Për sa i përket borxhit të brendshëm, pjesa më e madhe e tij përbëhet nga instrumentet afatshkurtër, siç janë bonot e thesarit. Borxhi i marrë në këtë formë përbën rreth 57 për qind të totalit të borxhit të brendshëm të qeverisë, ndërsa mësohet se më të preferuarat kanë qenë bonot e thesarit me afat maturimi 12 mujor dhe ato me afat gjashtë mujor.
Views: 503 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player