Kryesore » 2012 » Korrik » 2 » Një shqiptar konsumon sa 1/3 e një europiani
4:15 PM
Një shqiptar konsumon sa 1/3 e një europiani
Një konsumator shqiptar konsumon sa 1/3 e një konsumatori europian. Të dhënat e Eurostat kanë reflektuar një kontrast të fortë lidhur me konsumin e ulët që ekziston në vendin tonë, krahasuar kjo me mesataren europiane të 27 vendeve të BE-së, e cila për referencë merret në vlerën 100 për qind.
Shifrat tregojnë se një konsum i tillë minimal është totalisht i ndërlidhur me fuqinë blerëse që kemi ne si shqiptarë dhe të ardhurat relativisht shumë më të ulëta sesa mesatarja europiane. Nga ana tjetër, këtë e përforcojnë shifrat e GDP-së për frymë për vitin 2011, të cilat sipas Eurostat lidhur me vendin tonë ishin mjaft të ulëta. GDP-ja për frymë e një shqiptari është sa 31 për qind e mesatares europiane që është 100 për qind. Edhe në këtë rast hendeku është më i madh sesa 1/3.
Për çfarë paguajmë më shumë
Të ardhurat janë elementi kyç që nxit ose kufizon konsumin për një individ. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në Shqipëri çmimet për disa grupe produktesh janë relativisht të larta, duke konkurruar madje edhe vendet e BE-së, apo duke kaluar mesataren 100 për qind të 27 vendeve të saj. Në kohën kur GDP-ja është sa 1/3 e një europiani, një shqiptar paguan më shumë sesa ky i fundit, sidomos për pajisjet elektronike, kompjuterë, televizorë, DVD palyers, kamera, aparate fotografikë, printer, monitorë, skaner dhe po kështu edhe për mirëmbajtjen e këtyre të fundit. Niveli i çmimeve në Shqipëri për këtë kategori është 108 për qind, kur mesatarja e çmimit europian vlerësohet me 108 për qind. Relativisht të shtrenjta janë edhe blerja apo mirëmbajtja e automjeteve. Një shqiptar paguan sa 98 për qind e një europiani. Ushqimet duket të jenë gjithashtu të shtrenjta, krahasuar me të ardhurat që gjeneron një shqiptar dhe një europian. Pjesa më e madhe e portofolit të një familjeje i orientohet shpenzimeve për ushqime dhe çmimet e këtyre të fundit janë sa 70 për qind e mesatares evropiane, që është 100 për qind. Edhe veshjet janë sa 72 për qind e kësaj mesatareje.
Për çfarë paguajmë më pak
Shifrat e Institutit Europian të Statistikave, Eurostat, tregojnë se për një sërë kategorish shpenzimesh çmimet janë relativisht të lira në Shqipëri, nëse këtë e krahasojmë me mesataren e BE27-s. Më lirë duket se kushtojnë restorantet dhe hoteleria, që në vetvete përfshijnë kafet, klubet e natës, hotelet, restorantet, kinotekat. Një shqiptar paguan sa 42 për qind e një europiani për të marrë këtë shërbim. Po kështu, më lirë sesa në Europë janë edhe pijet alkoolike apo duhani, që kushtojnë sa gjysma e asaj që kushtojnë në BE27. Mesatarja e krahasimit të të gjitha kategorive të matura nga Eurostat sa i përket nivelit të çmimit është 51 për qind. Pra, për të gjitha shpenzimet e tij në gjitha kategoritë e mundshme, një qytetar shqiptar paguan sa gjysma e asaj që shpenzon një qytetar evropian, por gjithmonë referuar të ardhurave, disniveli thellohet.


Statistikat e Eurostat
GDP-ja për frymë për 2011

Mesatarja e BE-27-s 100 për qind

GDP-ja për frymë, Shqipëria 31 për qind
Konsumi aktual individual 34 për qind

Nivelet e çmimeve për të mirat dhe shërbimet

Mesatarja e BE-27-s 100 për qind

Totali për Shqipërinë 51 për qind
Ushqime dhe pije joalkoolike 70 për qind
Pije alkoolike dhe duhan 50 për qind
Veshje 72 për qind
Pajisje elektronike 108 për qind
Mjete personale transporti 98 për qind
Restorante dhe hotele 42 për qind
Views: 466 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player