Kryesore » 2011 » Maj » 9 » Pacolli me model ndryshe nga Thaçi të zhvillimit ekonomik
11:56 AM
Pacolli me model ndryshe nga Thaçi të zhvillimit ekonomik
Zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë, Behxhet Pacolli, nuk është duke i pëlqyer modeli aktual i zhvillimit ekonomik të vendit. Ai do të kërkojë nga udhëheqësi i Qeverisë, Hashim Thaçi, t’ia lërë në dorë këtë resor. Nisur nga përvoja e tij në biznes, ai synon që nëpërmjet një plani të hartuar nga ekspertët e tij ta zhvillojë ekonomikisht vendin, që sipas tij ka më shumë tipare të një vendi të varfër dhe me shumë probleme ekonomike. Për ta realizuar planin ai kërkon edhe kompetenca shtesë në ushtrimin e detyrës së tij si zëvendëskryeministër i parë i Kosovës.
Në projektin e Pacollit, siç shkruan sot "Koha Ditore”, thuhet se në rritjen ekonomike, që është realizuar kryesisht nga investimet e tepricës buxhetore të akumuluar, shfaqen dobësi të mëdha në transformimin e rritjes ekonomike, në zhvillimin nga i cili do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët.
"Modeli aktual i zhvillimit ekonomik ka nevojë të ndryshohet tërësisht. Ai duhet të përqendrohet në nxitjen e sektorit privat të ekonomisë, me theks thithjen e investimeve të huaja që sjellin punësim dhe zhvillim ekonomik të sigurt”, thuhet në projektin e Pacollit.
Njeriu që shijoi për disa javë postin e presidentit të vendit, ndërkohë që jep idenë e tij për ndryshime, ai nxjerr në shesh dështimet, e që "pa dashjen” e tij kanë për adresë udhëheqjen e partnerit të tij në koalicion, për më tepër që ky partner ka administruar vendin, të paktën në tre vjetët e fundit.

Agjencia e Privatizimit dhe ajo e Promovimit të Investimeve - të dështuara

Për Behxhet Pacollin, rritja e varfërisë dhe e papunësisë në kushtet e rritjes ekonomike është një problem serioz, që nuk është adresuar si duhet nga Qeveria, Kuvendi, por edhe nga aktorët e tjerë.
"Stabiliteti makroekonomik që konsiderohej si një rrethanë pozitive tani është i kërcënuar me deficitin buxhetor (9-11 për qind e GDP-së), deficitit të lartë tregtar (eksporti mbulon importin rreth 10 për qind) dhe situatës së rëndë sociale të të papunëve, pensionistëve, si dhe disa kategorive të shërbyesve publikë, me gjithë rritjen e rrogave në fillim të mandatit të kësaj Qeverie”, thuhet në memorandumin përshkrues për angazhimin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli.
Sipas tij, Kosova mbetet një vend me ekonomi të pakonsoliduar. Si faktor i rëndësishëm në përcaktimin e kësaj gjendjeje është dhe mosintegrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, numri ekzistues i njohjeve, mosnjohja prej të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, etj.
"Kosova nuk merr pjesë në tregjet botërore të kapitalit. Kosova ka nivel të ulët të investimeve të huaja. Pesha e kapitalit privat në ekonomi mbetet ende e vogël, ai nuk është konkurrent dhe në shumicën e tij jo i formalizuar”.
Pacolli kritikon procesin e privatizimit, i cili në këtë projekt përshkruhet si përgjithësisht i dështuar.
"Agjencia e angazhuar për këtë punë ka dështuar të arrijë objektivat e veta. Edhe për ato ndërmarrje të privatizuara nuk po arrihet likuidimi, d.m.th transferimi në ekonomi i parave të arritura nga privatizimi, diçka që dëshmon dështimin e formulës”.
Edhe Agjencia për Promovim të Investimeve, për të është e dështuar. Faj për dështimet në sektorin ekonomik për zëvendëskryeministrin e parë kanë edhe institucionet e drejtësisë.
"Mungon një sistem i plotë efektiv i garancive ligjore për investimet e huaja, për kontratat, për të drejtat pronësore që në pjesën më të madhe të tyre mbeten në letër. Mungojnë stimujt e përshtatshëm ligjorë, rregullues për ta, sipas modeleve më të dëshmuara perëndimore. Mungojnë politika që të ulin koston dhe riskun e investimeve të huaja. Mbetet problem lufta ndaj korrupsionit. Sektori i prokurimit mbetet problematik dhe shumë kontrata me sipërmarrjen janë të negociuara dhe pa sens gare. Tregu i tokës ka probleme. Mungon infrastruktura fizike. Bujqësia që mund të ishte sektor tërheqës i ekonomisë mbetet e pazhvilluar. Sektori financiar nuk është efikas. Furnizimi me energji është problematik. Shërbimet që mund të ofrojë administrata publike në përgjithësi s’janë në nivelin e duhur”, thuhet në këtë projekt të Pacollit.

Gjakova dhe Mitrovica propozohen të kthehen në zona të lira ekonomike

Për të ndryshuar modelin e zhvillimit ekonomik të vendit, Pacolli kërkon të jetë në krye të Task Forcës së posaçme për nxitjen e investimeve të huaja, që do të koordinonte punët ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë dhe asaj të Punëve të Jashtme.
"Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të huaja me suksese të dukshme brenda këtij mandati të Qeverisë”, thuhet në projektin e Pacolli me të cilin thuhet se është pajtuar edhe Thaçi.
Në këtë kuadër ai ka të drejtë të propozojë në kabinet projektligje dhe projektvendime që synojnë krijimin e kushteve të reja ligjore, infrastrukturore, pronësore, të shërbimeve për investimet e huaja, si dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës.
Gjatë mandatit të tij si zëvendëskryeministër ai synon të rikonceptojë Agjencinë për Investime, krijimin e Zyrës së Ombudspersonit për investimet e huaja pranë zëvendëskryeministrit, si dhe krijimin e një inspektorati që mbikëqyr ecurinë e investimeve të huaja dhe lehtëson funksionimin e tyre.
Në plan të Pacollit janë edhe reformat në fushën e drejtësisë dhe reformimi sa më i shpejtë i Agjencisë së Privatizimit.
"Në rastet kur investitorët e huaj kanë interes për një aset që administrohet prej Agjencisë së Privatizimit, atëherë të parashikohet ligjërisht se ai mund të kalojë në administrimin e Agjencisë për Promovimin e Investimeve”, thuhet në planin e Pacollit.
Plani parasheh që në Bordin e Agjencisë së Privatizimit të dërgohet një përfaqësues i Task Forcës së tij.
Në koordinim me Zyrën e zëvendëskryeministrit të parë parashihet të krijohet një institucion privat i angazhuar për gjetjen në tregun e punës së profesionistëve, zanatçinjve, që kërkohen prej investitorëve të huaj.
Ai pret që në afat të shkurtër të hartohet dhe miratohet ligji për zonat e lira ekonomike në territorin e Kosovës, fillimisht dy, përkatësisht në Gjakovë dhe Mitrovicë.
Për të realizuar projektin e tij, Pacolli ka kërkuar një staf administrativ prej rreth 10 personave, si dhe të ketë të drejtë të mbështetet në shërbimet e stafit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Jashtme, të Tregtisë dhe të Industrisë etj.
Views: 702 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player