Kryesore » 2011 » Maj » 13 » Papunësia, varfëria dhe korrupsioni mundojnë Kosovën
1:05 PM
Papunësia, varfëria dhe korrupsioni mundojnë Kosovën
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka përfunduar edicionin e parë të raportit "Pulsi Publik”, i cili është një analizë e zgjeruar e fakteve të shpejta të publikuara në dhjetor 2010. "Pulsi Publik” është një vazhdim i raporteve të mëparshme të Paralajmërimit të Hershëm (EWS) dhe qëllimi kryesor është të sigurojë një platformë të perceptimeve dhe një mekanizëm për të lehtësuar procesin e bërjes së politikave publike, raporton agjencia e lajmeve "Ekonomia”.
Ky mekanizëm i ri kalon nga analiza e paralajmërimit të hershëm dhe e parandalimit të konflikteve, në dialog demokratik dhe monitorimin e stabilitetit institucional.
Si një risi në krahasim me raportet e mëparshme, UNDP-ja ka prezantuar edhe indeksin e demokratizimit dhe indeksin e besimit ekonomik.
Indeksi i demokratizimit me vlerë 0,92 tregon se kosovarët vetëm pjesërisht besojnë se proceset demokratike në Kosovë janë duke shkuar në drejtim të duhur.
Në mënyrë të ngjashme edhe treguesi ekonomik prej 0,61 tregon se të anketuarit në përgjithësi kanë mendim të pafavorshëm mbi gjendjen ekonomike.
Parviz Fartash, drejtor i UNDP-së në Kosovë, ka thënë se rezultatet e fundit të anketës tregojnë një rënie të përgjithshme të kënaqshmërisë së njerëzve me punën e institucioneve kryesore ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore të Kosovës.
"72% e të anketuarve të të gjitha etnive duket të jenë të pakënaqur me drejtimin ekonomik në të cilin Kosova është duke shkuar. 72% e kosovarëve duket të jenë të gatshëm dhe të kenë vullnet për t’iu bashkuar protestave publike të organizuara për shkak të arsyeve ekonomike, në krahasim me 59% e tyre që do ta bënin të njëjtën gjë për arsye politike".
Sipas të dhënave të anketës, kosovarët identifikojnë papunësinë (30%) dhe varfërinë (29%), si dy problemet kryesore me të cilat ballafaqohet Kosova. Problemi i tretë kryesor me të cilin ballafaqohet Kosova është korrupsioni (11%).
Sa i përket perspektivës për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, sipas tij, rreth një e treta e të gjithë të anketuarve besojnë se këto marrëdhënie do të normalizohen në të ardhmen e largët.
Fartash ka theksuar se shqiptarët vazhdojnë të jenë shumë të kënaqur me punën e institucioneve të sigurisë në Kosovë. Në mesin e serbëve, shkalla e kënaqshmërisë me punën e institucioneve të sigurisë në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme që nga prilli i vitit 2010.
Në lidhje me atë se cilat nga institucionet e mëposhtme zbatojnë rekrutimin në mënyrë të drejtë, sektori privat (21%), pasuar nga organizatat ndërkombëtare (11%) dhe në komunat (8%) besohet të jenë tri institucionet kryesore që zbatojnë rekrutimin e drejtë. Vetëm 4% e të anketuarve besojnë se Qeveria e Kosovës dhe sektori publik (KEK-u, PTK-ja, etj.) zbaton rekrutim të drejtë me rastin e punësimit të punonjësve të rinj.
Megjithatë, të dhënat e studimit na japin disa rezultate shqetësuese sa i përket asaj se çfarë është më e rëndësishme kur një person kërkon të punësohet në sektorin publik.
Mesatarisht, 32% e kosovarëve besojnë se lidhjet familjare janë faktori më i rëndësishëm,
pas kësaj 24% besojnë se ryshfetet janë faktori më i rëndësishëm për të shtuar mundësitë e punësimit në sektorin publik. Vetëm 12% e të anketuarve besojnë se arsimimi është i rëndësishëm kur një person kërkon të punësohet në sektorin publik, ndërsa 10% besojnë se besnikëria ndaj partisë është gjëja më e rëndësishme.
Sipas të dhënave të studimit, problemi i tretë më i madh me të cilin përballet Kosova, pas papunësisë (30%) dhe varfërisë (29%), është korrupsioni (11%).
Sa i përket perceptimit të popullsisë për shkallën e lartë të korrupsionit, KEK-u, AKP-ja (Agjencia Kosovare e Privatizimit) dhe gjykatat janë tri institucionet kryesore me perceptimin më të lartë publik për korrupsion në shkallë të madhe.
Institucionet me perceptimin më të ulët publik për korrupsion janë bankat, sektori i arsimit dhe OJQ-të. Projekti "Pulsi Publik” mbështetet financiarisht nga USAID-i.
Shpërndaje artikullin:/koha/
Views: 500 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player