Kryesore » 2011 » Maj » 31 » Prishtina – kampione në çmime të larta
9:55 PM
Prishtina – kampione në çmime të larta
Kastriot Rushitit nga Mitrovica pushimi njëditor në hotelet e Ulqinit, afër bregdetit, duke përfshirë edhe një shujtë ushqimi, i ka kushtuar 25 euro. Por, për një qëndrim një natë në njërin nga hotelet në Prishtinë ai është dashur të paguajë 50 euro."Çmimi prej 25 eurove në hotelet e Ulqinit ka qenë çmim mesatar, kam mundur të gjeja edhe me 15 euro qëndrim njëditor, ndërkaq më ka rastisur që një natë të rri në Prishtinë dhe për këtë kam paguar 50 euro një hotel në periferi, pa u përfshirë këtu ndonjë shujtë ushqimi. Po të doja të merrja edhe shujtën, çmimi lëvizte nga 70 deri në 80 euro”, është shprehur Rushiti. Çmimet astronomike në kryeqytetin kosovar nuk prekin vetëm sferën e hotelerisë, por edhe atë të patundshmërive apo qirasë mujore, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Edhe çmimi i transportit të udhëtarëve nuk duket të jetë i lirë në Prishtinë nëse krahasohet me vendet përreth.
Bashkia e Sarandës në ueb faqen e saj zyrtare ka të postuar çmimoren për udhëtim me autobus urban në qytet dhe, sipas saj, për një udhëtim duhet paguar 25 centë, ndërkaq në kryeqytetin kosovar 40 centë. Kurse në kryeqytetin maqedonas – Shkup, një biletë e trafikut urban kushton 30 centë.

Në kryeqytetin kosovar s`mund të ushqehesh lirë

Çmimi për të marrë një hamburger në Gjakovë apo Gjilan të kushton vetëm 70 centë, përderisa në Prishtinë i njëjti është ndërmjet 1.30-1.50 euro. Edhe çmimi i artikujve të domosdoshëm ushqimorë është më i lartë në Prishtinë krahasuar me qytetet e tjera të Kosovës. Përderisa në Gjakovë një litër vaj kushton 85 centë, i njëjti në Prishtinë ka çmimin e 1.07 centë. Sipas shitësve në dyqanet e Prishtinës, janë duke bërë ngritje çmimesh për produktet e imta. "Në tremujorin e këtij viti kemi pasur ngritje të lartë çmimi në produktet e miellit, sheqerit dhe vajit. Ndërsa tani janë duke u shtrenjtuar produktet e imta, të cilat prodhohen nga mielli dhe sheqeri apo produkte të ngjashme. Kështu deri vonë një kile makarona ka kushtuar nga 0.45 centë deri në 60 centë, ndërsa tani çmimi sillet ndërmjet 0.85 centë dhe 1.00 euro”, ka thënë Izet Beholli, pronar i një dyqani në kryeqytet. Sipas tij, i vetmi produkt, i cili ka pësuar rënie të lehtë në krahasim me muajit e parë të këtij viti është sheqeri. "Sheqeri në fund të vitit 2010 ka qenë 23 euro për 50 kile, ndërsa tani është 37 euro, përderisa tre muaj më herët ka qenë 44 euro. Mielli është shtrenjtuar mes muajit maj dhe shkurt dhe çmimi i atëhershëm është edhe sot, përkatësisht për 100 kile miell çmimi është nga 55 deri në 58 euro, ndërsa vaji është 22 euro për një pako 15 litërshe”, ka treguar Beholli. Nga ana tjetër, çmimi për një bukë në të gjitha zonat e Prishtinës sillet nga 0. 40 deri në 0. 45 centë, nga 0.25 sa ka qenë në fillim të vitit. Ndërsa çmimi për një kilogram oriz, varësisht nga prodhuesit, mund të blihet nga 0.90 centë deri në 1 euro e 30 centë, përderisa çmimi më i lartë në fillimvit për këtë produkt ka qenë 0.80 centë. Një karakteristikë tjetër e çmimeve të larta në Prishtinë krahasuar me ato të qyteteve të tjera të Kosovës është edhe çmimi i pemëve dhe i perimeve. Përderisa në Gjakovë një kile domate blihet me çmimin 0.60 centë, në tregun e Prishtinës të hënën çmimi për një kile domate është sjellë ndërmjet 0.80 centë dhe 1.00 euro. Çmim përgjysmë me shtrenjtë për një produkt Prishtina ka edhe në krahasim me komunat me të cilat kufizohet. Kësisoj, për një kilogram dredhëza që blihen në Fushë= Kosovë duhet paguar 0.80 centë, në kryeqytet për të njëjtën sasi duhet paguar 1.5 euro.

Papunësia dhe çmimet në rritje

Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës të publikuara pak ditë më parë flasin për një shkallë më të madhe të inflacionit për 10.7 %, krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Raporti zyrtar i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, i cili flet për shkallën e papunësisë (të regjistruar si të papunë) në pjesën për Prishtinën, tregon që aktualisht në Prishtinë punë kërkojnë 64 mijë e 865 persona, përderisa në prill të vitit të kaluar punë kanë qenë duke kërkuar 63 mijë e 676 persona, apo 1.9 % më pak se në këtë vit. Një karakteristikë tjetër e Komunës së Prishtinës krahasuar me komunat e tjera të Kosovës, sipas raportit të MPMS-së është që në kryeqytet ka rënie evidente të punësimit të atyre që deklarohen të papunë. "Mundësia për të gjetur punë në Prishtinë llogaritet dukshëm më e vështirë sesa në komunat e tjera të vendit dhe kjo vjen para së gjithash nga numri i madh i të interesuarve për të ardhur deri te një vend i punës”, thuhet në raportin e MPMS-së. E veçanta tjetër, sipas MPMS, te rasti i Prishtinës është që dukuria e papunësisë të rastet e qytetarëve të kualifikuar ka shënuar rritje. "Nga gjithsej 64 mijë e 865 persona sa kërkojnë punë përmes entit të punësimit, 3 mijë 634 prej tyre vlerësohen me përgatitje superiore të arsimimit dhe kjo shifër është për rreth 8 % më e lartë, krahasuar me vitet paraprake”, thuhet në raportin e MPMS-së. Nga ana tjetër, prishtinasit e intervistuar të hënën thonë se janë duke u varfëruar çdo ditë e më shumë. "Këtë vit e vetmja gjë që nuk është ngritur janë pagat tona dhe kjo tregon edhe anën tjetër që institucionet në vend që të shikojnë modalitetet e krijimit të lehtësirave, ata e bëjnë të kundërtën e kësaj”, ka thënë Ibrahim Abdullahu. Sipas tij, gjendja ekonomike aktualisht është e papërballueshme. "Është e pamundur t’i përballosh shtrenjtimit aktual të çmimeve, gjithçka është shtrenjtuar dhe kjo gjendje të shtyn që të bëhesh qytetar i pandershëm karshi shërbimeve publike, ngase nuk arrin që t’i mbulosh të gjitha shpenzimet që kërkohen”, ka potencuar Abdullahu.
Views: 523 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player