Kryesore » 2011 » Maj » 27 » Privatizohet Rruga e Kombit
4:25 AM
Privatizohet Rruga e Kombit
"Pjesa shqiptare e Rrugës së Kombit shumë shpejt privatizohet. Krejt kjo në mungesë të kapaciteteve për mirëmbajtje. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Evropës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ua japin kompanive të mëdha për t’i mirëmbajtur”, argumentoi kryeministri Berisha në mbledhjen e qeverisë
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka kërkuar të mërkurën në mbledhjen e qeverisë privatizimin e Rrugës së Kombit, pasi që Shqipëria nuk ka kapacitete për mirëmbajtjen e saj. Kreu i ekzekutivit shqiptar ka pohuar se Shqipëria do ti nënshtrohet një privatizimi thuajse tërësor, ku si pronë publike do të mbeten vetëm digat e mëdha, shkollat, spitalet, parqet kombëtare, tokat pa pronarë, të cilat janë publike, ndërsa të tjerat do të jenë tërësisht në zotërimin, administrimin, menaxhimin e sektorit privat.

"Në 4-vjeçarin që shkoi, u ndërtua vepra më e madhe publike në historinë e këtij vendi. Ne e ndërtuam atë, por Shqipëria nuk ka kapacitete publike për mirëmbajtjen e kësaj autostrade. Ministria e Punëve Publike dhe e Transportit ka kontraktuar me IFC-në për ta dhënë sa më shpejt në menaxhim privat autostradën Durrës-Kukës-Morin, deklaroi Berisha. Ndërkohë që kryeministri paralajmëroi për menaxhim të sektorit privat edhe të akseve të tjera rrugore në Shqipëri.

”Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky proces të ecë, por unë mendoj se duhet të konsiderohen në këtë aspekt edhe akse të tjera rrugore. Sapo të përfundojë segmenti Shkëmbi i Kavajës – Rrogozhinë, atëherë dhe autostrada Tiranë - Fier, Tiranë- Durrës, të shqyrtohet, të jepet për menaxhim. Këto janë vepra të mëdha. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk disponon kapacitete njerëzore dhe materiale për mirëmbajtjen e tyre. Mirëmbajtja e tyre është një proces shumë i ndërlikuar. Vende të tjera të mëdha, ndër më të mëdhatë e Evropës, nuk marrin përsipër mirëmbajtjen, por ua japin kompanive të mëdha për t’i mirëmbajtur”, argumentoi kryeministri Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ndryshe, mirëmbajtja e rrugës kërkon fonde të shumta, të cilat arka e shtetit shqiptar nuk mund t’i përballojë, pasi llogariten kosto që shkojnë të paktën deri në 20 milionë euro në vit. Mundësi tjetër për të garantuar këtë shumë, shikohet edhe vendosja e taksës, që mendohet të jetë duke filluar nga 5 euro dhe ku IFC-ja do të marrë pjesën që i takon në rast se zgjidhja që do të ofrohet jep rezultat.

Qeveria shqiptare nuk ka pranuar kurrë zyrtarisht ose në mënyrë të hapur që udhëtimi në rrugën Durrës-Kukës do të bëhet me pagesë, por ka paralajmëruar indirekt se mirëmbajtja e saj kushton shumë dhe se duhen gjetur forma sesi do të mbulohet kostoja. Gjykohet që tarifa më e mundshme të jetë 5 euro, megjithatë pritet të ketë diferencime në varësi të mjetit që do të kalojë aksin.
Views: 1456 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player