Kryesore » 2011 » Maj » 25 » Pushtetarët kanë harruar prindërit, fare nuk skuqen
2:48 PM
Pushtetarët kanë harruar prindërit, fare nuk skuqen
Anëtarët e lëvizjes "Vetëvendosje”, Partisë së Pensionistëve dhe përfaqësuesit e sindikalistëve kanë hedhur kritika ndaj të gjitha qeverive të deritashme të Kosovës për trajtim jo të mirë të pensionistëve. Këto subjekte kanë diskutuar të martën në një tryeze të rrumbullakët të mbajtur në hotelin "Grand” gjetjen e një zgjidhjeje për përmirësimin e sistemit aktual të pensioneve në Kosovë.
Dardan Sejdiu, anëtar i "Vetëvendosjes”, ka theksuar se sistemi pensional radhitet në njërën prej pikave më të rëndësishme të politikave publike, dhe si i tillë ai duhet të jetë i menduar dhe i diskutuar mirë.
"Ky sistem në Kosovë ka qenë i imponuar, qoftë nga rrethanat, apo nga vullneti i një grupi të caktuar njerëzish. Si i tillë ai ka shumë mangësi. Më i theksuar mbetet statusi i pensionistëve aktualë, si dhe nëpërkëmbja e të drejtave të tyre nga sistemi i zbatuar në Kosovë”, ka theksuar Sejdiu.
Sipas "idesë” së kësaj lëvizjeje, çfarëdo ndryshimi apo plotësimi i sistemit pensional në Kosovë duhet të plotësojë mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe garantimin e mirëqenies për punonjësit aktualë, mbrojtjen e të drejtave, interesave dhe garantimin e mirëqenies për pensionistët aktualë, si dhe mobilizimin e kursimeve pensionale në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit.
"Këto tri kritere e garantojnë edhe plotësimin e dy komponentëve të rëndësishme që e përbëjnë sistemin pensional, atë sociale dhe ekonomiko-financiare”, ka theksuar Sejdiu.
Anëtari tjetër i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, ka theksuar se pensionet bazë që financohen nga buxheti i Kosovës nuk i përmbushin kriteret e pensionit e as nevojat financiare për sigurimin e një jete të dinjitetshme për pensionistin.
"Ndryshimi dhe plotësimi i këtij sistemi do të nënkuptonte përmbushje të këtyre dy kritereve përmes rritjes së bazës së financimit të pensionit, duke e futur kontributin si burim i financimit në shtyllën e parë, dhe përmes rritjes së përshkallëzimit të nivelit të pensionit bazuar në përvojën e punës dhe pastrimit të listave të pensionistëve”, ka theksuar ai.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, ka vlerësuar se është krim që edhe dymbëdhjetë vjet pas luftës Kosova të mos ketë ligj për pensionet. Ai ka shprehur bindjen se punëtorët janë të gatshëm të kontribuojnë për gjeneratën aktuale të pensionistëve pasi që të miratohet një ligj i mirë për sistemin pensional.
Përfaqësuesit e partive të pensionistëve kanë kritikuar qeveritë e deritashme që sipas tyre nuk kanë marrë asnjë hap konkret për kthimin e Fondit Pesnional të grabitur nga Serbia.
Ata theksuan, ndër të tjera, se edhe Projektligji për sistemin pensional, që pritet që Qeveria ta sjellë në Kuvendin e Kosovës, është diskriminues për pensionistët aktualë, sepse i përjashton ata në shpërputhje me konventat ndërkombëtare.
Views: 453 | Added by: ksdardania | Rating: 5.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player