Kryesore » 2012 » Nëntor » 20 » Qeveria intervenon për ta shpëtuar Prishtinën nga bërlloku
10:24 AM
Qeveria intervenon për ta shpëtuar Prishtinën nga bërlloku
Qeveria e Kosovës është dashur të ndërhynte të hënën pasdite për ta shpëtuar Prishtinën nga vërshimi me mbeturina. Prej tri ditësh mbeturinat në kryeqytet nuk janë mbledhur, ngase kompanisë "Pastrimi” ia ka bllokuar qasjen në deponi, shkaku i një borxhi prej 1.4 milionë eurosh Kompania për menaxhimin e Deponisë (KMDMK).Agim Gashi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, ka deklaruar se të dy kompanitë kanë arritur një marrëveshje mes tyre, e cila i hap rrugë kthimit të normalitetit në Prishtinë.  
"Kompania ‘Pastrimi’ ka lidhur marrëveshje me Kompaninë e Deponive për t’ia lejuar qasjen në deponi në mënyrë që të mos lejohet që të vijë deri tek situata që bërlloku të lihet pa u mbledhur nëpër qytet, pasi që s’kishte ku të hidhej pastaj”, ka thënë Gashi. Por, për të arritur këtë marrëveshje, ai vetë ka konfirmuar se është dashur që të ndërhynin strukturat qeveritare, ndonëse nuk ka pranuar të thoshte se kush nga Qeveria ka ndërhyrë. 

"Është dashur të ndërhynin strukturat e Qeverisë për të arritur këtë marrëveshje, dhe vetëm kaq mund të them”, ka potencuar Gashi.

Ai ka shtuar se më e rëndësishmja është se kompanitë kanë arritur marrëveshje të re dhe nuk do të ketë bllokim të qasjes në deponinë sanitare të mbeturinave.

Ndërsa, ka pranuar se Komuna do të paguajë një faturë prej 85 mijë eurosh, që "Pastrimi” vetëm gjatë këtij viti i ka mbetur borxh KMDM-së, ndonëse i ka edhe një borxh tjetër prej 1.4 milionë eurosh që i janë grumbulluar prej vitit 2002 deri tash.

"Ne kemi ndërhyrë për të mos ardhur deri te katrahura në qytet, mirëpo ‘Pastrimi” do t’i kryejë edhe punë shtesë Komunës”, ka thënë Gashi.

E arritjen e marrëveshjes e ka konfirmuar për gazetën edhe kryeshefi ekzekutiv i KMDM-së, Abdullah Haxhiu.

"Jemi pajtuar në disa pika, dhe ‘Pastrimi’ është zotuar se të gjitha obligimet që janë grumbulluar për vitin 2012 në vlerë prej 85 mijë eurosh, do t’i paguajë deri me 17 dhjetor, me gjithë faturën e muajit dhjetor”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai ka thënë se të martën ata e kanë marrë obligim të bëjnë një pagesë prej 30 mijë eurosh, e të tjerat do të paguhen deri me 17 dhjetor.

Haxhiu ka pohuar se çështja e borxhit të vjetër prej 1.4 milionë eurosh mbetet hapur, dhe nëse drejtues të "Pastrimit” nuk do të jenë të gatshëm të bëjnë marrëveshje për riprogramimin e borxhit, atëherë për këtë duhet të vendosë gjykata.

Para se të arrihej kjo marrëveshje, të hënën paradite, Haxhiu ka thënë për gazetën se që nga e premtja "Pastrimit” i është shkëputur kontrata, për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj Kompanisë së Deponive.

"Asaj i është shtuar, edhe një obligim i ri në vlerë prej mbi 85 mijë euro, përveç borxhit të vjetër prej 1.4 milionë euro, të cilat janë krijuar prej muajit maj deri në tetor”, ka thënë Haxhiu.

Drejtori i kompanisë "Pastrimi” Feim Salihu, fajin për një gjendje të tillë ua ka lënë konsumatorëve.

"Pasi që qytetarët nuk po paguajnë ne s’kemi çfarë të bëjmë në këtë situatë”, është shprehur Salihu.

Ai ka bërë të ditur se kryetari i Komunës ka marrë vendim që borxhin e ri të faturës, në vlerë prej 85 mijë eurosh ta kryejë vetë. Në këtë kontekst, Salihu ka thënë se kryetari Mustafa ka kërkuara të bëhet një zgjidhje për afro 5.700 raste sociale në Prishtinë fatura e të cilëve, sipas tij është 27 mijë euro në muaj, e ajo vjetore është afro 300 mijë euro.

"Dhe borxhi i tyre për periudhën prej 2002-2012 e kalon shumën prej 3 milion eurosh, që është dyfish më e madhe se sa borxhi që ne i kemi kompanisë së Deponive”, ka nënvizuar Salihu.

Kurse, ndaj konsumatorëve të tjerë borxhlinj, ai thotë se janë proceduar në gjyq mbi 400 lëndë.
Views: 664 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player