Kryesore » 2011 » Maj » 23 » Reciprocitetit me Serbinë t’i shkohet deri në fund
4:28 PM
Reciprocitetit me Serbinë t’i shkohet deri në fund
Paralajmërimet për vendosjen e tarifës doganore prej 10 për qind të produkteve që prodhohen në Serbi, Bosnjë dhe Moldavi, në rast se këto nuk e njohin vulën e Doganave të Kosovës, nuk shihet me sy të mirë nga shumica e bizneseve kosovare, shkruan sot "Koha Ditore”. Këtë vendim që zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari- Lila e sheh si ndëshkim ndaj eksportuesve serbë, disa nga biznesmenët e shohin si ndëshkim ndaj konsumatorëve, disa si veprim pa ndikim, e disa presin që Serbia të dorëzohet nga presioni kosovar. Ministrja Kusari-Lila u ka dhënë ultimatum njëmujor tri vendeve që u kanë vënë embargo produkteve "Made in Kosova”, që të ndryshojnë vendimin e tyre për mosnjohjen e vulës së Doganave të Kosovës, ngase në të kundërtën produktet që prodhohen në vendin e tyre do të duhej të paguanin doganë në vlerë prej 10 për qind nëse dëshirojnë të eksportohen në Kosovë. "Bizneset kanë kërkuar tash tre vjet të ndërmerren masa të reciprocitetit. Biznesi ka marrë vetëm premtime se do të ndërmarrin masa reciproke ndaj vendeve që nuk i njohin prodhimet e Kosovës dhe tash pas tre viteve, kur kemi miliona euro humbje, na premtohet një masë që sipas nesh nuk ka ndonjë vlerë. Nëse nuk merren masa reciproke ndaj këtyre vendeve, në mosnjohje të doganave, mosnjohje të targave, mosnjohje të pasaportave ne nuk do të arrijmë asgjë”, thotë Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit. 
Ai nuk pret që vendimi i Kosovës të ndikojë tek eksportuesit e Serbisë dhe Bosnjës.
"Ky vendim duhet të analizohet mirë. Nëse merret një veprim i tillë, Serbia do të reagojë duke subvencionuar produktet që eksportohen në Kosovë, do të rritet kontrabanda dhe do të shfrytëzojnë kanalet e tjera për importin e këtij malli në Kosovë nëpërmjet Malit të Zi, Shqipërisë apo Maqedonisë. Ne kërkojmë masa reciprociteti për të gjitha sferat. Vetëm atëherë ne do ta përshëndesim një vendim të tillë”, thekson Shahini.
Vendimin për vendosjen e doganës për tri shtetet që me marrëveshjen e CEFTA-së nuk kanë pasur obligime doganore, Kusari-Lila ua kumtoi të enjten importuesve të produkteve nga këto shtete, të cilëve nuk u erdhi edhe aq mirë. Importuesit e këtyre produkteve kanë ngritur shqetësimin e tyre se vendimi mund të ketë efekt të kundërt në rritjen e çmimeve të produkteve të konsumit.
Të njëjtin shqetësim e ka edhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, deputet në Kuvendin e Kosovës.
"Nëse vendoset doganë prej 10 për qind atëherë edhe çmimet e atyre produkteve pritet të ngrihen për 10 për qind. Dikush duhet të paguajë atë doganë, të paktën deri në periudhën e ardhshme shpresojmë që Qeveria t’i ketë analizuar mirë efektet dhe kundërefektet e këtij vendimi”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, bizneset kosovare është dashur të përgatiteshin shumë më herët për një vendim duke krijuar ambient më të favorshëm për biznes me vendet e tjera.
"Po sikur të kishim një kundërpërgjigje nga Serbia me bllokimin e mallrave që kalojnë transit për në Kosovë? E dimë se një vendim duhet të merret, por duhet pasur kujdes të mos shkaktohen kriza sociale në vend. Bizneset është dashur të përgatiteshin më herët”, mendon Kelmendi.
Qeveria e Kosovës pret që humbësit kryesorë të jenë prodhuesit dhe eksportuesit serbë për shkak se tregu i Kosovës ka qenë i hapur për produktet e tyre, ndërsa produktet e Kosovës nuk kanë mundur të shkonin as transit nëpër këto shtete. Këtë e pret edhe biznesmeni Sylejman Konushefci, menaxher i kompanisë për prodhimin e vajit ushqimor "Inter Company”.
"Jam i sigurt që Serbia do të dorëzohet brenda dy muajve dhe do t’i njohë vulat e Doganave të Kosovës. Tregu i Kosovës nuk varet më kryekëput nga prodhimet e Serbisë. Prodhimet e keksëve janë produktet kryesore që importohen nga Serbia. Produktet bazë të ushqimit edhe ashtu tani i importojmë nga vendet e tjera”, thotë Konushevci.
Për kreun e Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ky vendim është pak i vonuar.
"Nuk kërkojmë asgjë më tepër, pos atë që e bënë Serbia e Bosnja karshi Kosovës. Nëse mendojmë të kemi një zhvillim ekonomik është koha kur duhet t’i shtrëngojmë dhëmbët në këtë kohë”, ka thënë Gërxhaliu.
Ai kërkoi që kjo iniciativë të mos mbetet në hijen e politikës dhe për hir të presioneve të ndryshme të zbehet. Në mbështetje të vendimit u tregua edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
"Ky vendim ndërron konceptin e kësaj ekonomie kosovare që pretendon të jetë partnere e barabartë me vendet e tjera. Kjo është e rëndësishme për mbrojtjen e atraktivitetit të këtij vendi kundrejt investitorëve të huaj”, është shprehur kreu i OEAK-ut, Lekë Musa.
Views: 476 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player