Kryesore » 2012 » Shkurt » 18 » Regres ekonomik
12:19 PM
Regres ekonomik
Ekonomia e Kosovës nuk ka përparuar aspak që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Pas katër vitesh, anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore njihet suksesi i vetëm i Kosovës në aspektin ekonomik. Njohësit e kësaj fushe thonë se realisht treguesit makroekonomikë tregojnë se gjatë kësaj periudhe ekonomia e Kosovës ka shënuar rënie. Pas katër vitesh shtet, Kosova nuk ka shumë me çfarë të krenohet në aspektin ekonomik. Përveç anëtarësimit në organizatat financiare ndërkombëtare FMN dhe Bankë Botërore, gjatë kësaj kohe, njohësit e ekonomisë thonë se nuk është shënuar ndonjë e arritur tjetër.Përkundrazi, ekonomistët vlerësojnë se në shumë aspekte vendi ka shënuar regres.Muhamet Mustafa vlerëson se që një kohë të gjatë Kosova ka një status quo ekonomik."Nga 2006 nuk ka ndryshime sociale dhe ne përqendrohemi në krijimin e ligjeve, por përqendrimi kryesor duhet të jetë në zbatimin e tyre”, thekson Mustafa.

Rezultatet më të rëndësishme për katër vjet pavarësi, sipas tij, janë në funksionimin e institucioneve, njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe infrastrukturë.

Por, edhe në këtë aspekt ai thotë se po ka përparim të ngadaltë.

"Në të tri këto fusha problemet janë shumë të mëdha dhe është plotësisht e kuptueshme që për 4 vite të mos kemi një funksionim të kënaqshëm”, vlerëson Mustafa.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se në katër vjetët e shtetësisë, zhvillimet ekonomike nuk kanë munguar, por jo në nivelin e pritjeve dhe të premtimeve.

"Në këtë rrafsh ka shumë kontraste, pasi është vështirë të thuhet se a ka pasur rritje apo jo. Nëse shikohen disa indikatorë, rezulton një rritje, por nëse shikohet ambienti i përgjithshëm, atëherë realisht është vështirë të thuhet se ka pasur një ecje, e cila është në përputhje me nevojat dhe pritjet e popullatës”, thotë Rexhepi.

Gjatë kësaj periudhe, sipas tij, nuk ka pasur ulje të shkallës së varfërisë dhe papunësisë. Ai pohon se kontrabanda, krimi i organizuar, korrupsioni ende mbesin në nivel të lartë dhe këto dukuri kanë zbehur imazhin e vendit karshi investuesve ndërkombëtarë, por edhe atyre vendorë.

Sipas drejtorit të Institutit për hulumtime zhvillimore Riinvest, Lumir Abdixhiku, raportet mbi zhvillimin ekonomik në Kosovë tregojnë se ende është një ekonomi e brishtë.

"Realisht treguesit makroekonomikë dëshmojnë se Kosova ka pas rënie. Inflacioni është rritë, ashtu edhe deficiti tregtar, kemi pas rënie në pozitë sa i përket të bërit biznes dhe papunësia ka mbetur në nivel të lartë”, pohon Abdixhiku.

Sipas tij, e gjithë ekonomia e Kosovës këto vite të fundit rrumbullakohet me asfalt dhe privatizim.

Por, ai thotë se në këtë vend duhet të punohet më tepër, sidomos në luftimin e korrupsionit, të cilin e vlerëson si pengesë kryesore të zhvillimit në Kosovë.

"Po e hoqëm korrupsionin, besoj se kemi kriju një ambient të mirë për zhvillimin e biznesit”, thotë Abdixhiku.

Në përgjithësi, njohësit e ekonomisë vlerësojnë se në këto vite të pavarësisë së Kosovës, ekonomia e vendit nuk ka shënuar ndonjë përparim të dukshëm. Madje, Kosova është kritikuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare për një ambient të pafavorshëm të të bërit biznes.
Views: 404 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player