Kryesore » 2011 » Maj » 27 » Rrugët kombëtare me pagesë, nis hartimi i kuadrit ligjor
3:30 PM
Rrugët kombëtare me pagesë, nis hartimi i kuadrit ligjor
Mirëmbajtja e rrugëve kombëtare tashmë pritet t'u besohet kompanive private, ndërsa mjetet do të jenë të detyruara të paguajnë për përdorimin e tyre.
Sipas burimeve nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, po negociohet me Koorporatën Financiare Ndërkombëtare (IFC), për hartimin e termave ligjore, teknikë dhe financiare të projektit për pagesën në rrugët kombëtare.
"Pagesa për rrugët kombëtare është akoma një projekt, i cili mund të bëhet efektiv vitin tjetër", deklaroi Këshilltare e Kryeministrit për Ekonominë, Suzana Guxholli, në një prononcim për ATSH-në.

Dhënia me koncension e shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve, sipas saj, do të shërbejë jo vetëm për uljen e kostos së këtij shërbimi në buxhetin e shtetit, por edhe për një cilësi më të mirë shërbimi, ndërsa siguroi se pagesa për çdo automjet që do të përdorë rrugën do të jetë minimale.
Dhënien më koncension të shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare e paralajmëroi edhe Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e fundit të qeverisë. Ai deklaroi se tashmë ka ardhur koha që veprat infrastrukturore publike t’i kalohen sektorit privat, pasi kanë një performancë më të mirë menaxhimi.
Por burimet e MPPT-së thanë se vepra e parë infrastrukturore, ku mirëmbajtja do t'i besohet kompanive private, do të jetë rruga Durrës-Kukës-Morinë, e njohur si "Rruga e kombit".
Për këtë theksuan burimet, qeveria i ka kërkuar IFC-së që t'a ndihmonte për përzgjedhjen e operatorit privat për autostradën, duke qënë se Banka Botërore ka financuar ndërtimin e një segmenti të rrugës Milot-Rrëshen.

Burimet theksuan se IFC-ja po bën një studim të përgjithshëm, për të parë mundësitë se si mund të përmirësohet, funksionojë dhe mirëmbahet rruga dhe se si mund të futet taksa e rrugës si një nga zgjidhjet e mundshme.

Sipas tyre, akoma nuk eshte arritur në një konkluzion përfundimtar dhe niveli i taksës nuk është përcaktuar ende. "Kjo do të përcaktohet pas disa muajsh, në vijim të analizës së projektit të propozuar, intervistat në rrugë me shoferë të rastësishëm, analiza të mundësisë së pagesës dhe dëshirës për të paguar, si edhe krahasime të këtyre analizave dhe rezultateve me praktikat më të mira ndërkombëtare", thanë burimet.

IFC, anëtar i Grupit të Bankës Botërore, ka një përvojë të njohur si këshilltar kryesor në fushën e partneriteteve publike-private në infrastrukturë, falë eksperiencës në vende të ndryshme dhe reputacionit të saj për paanshmëri dhe transparencë. Misioni i IFC-së është nxitja e investimeve të qëndrueshme të sektorit privat në vendet në zhvillim.

Në bazë të Kodit Rrugor Shqiptar, entet pronare të rrugëve, për garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit, kanë për detyrë: administrimin, mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve, pjesëve që i përkasin rrugës, si dhe të pajisjeve, impianteve dhe mjediseve të shërbimeve; kontrollin teknik të gjendjes së rrugëve dhe të pjesëve që i përkasin rrugës; si dhe vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit të përcaktuar.
Views: 431 | Added by: ksdardania | Rating: 3.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player