Kryesore » 2011 » Maj » 22 » Sektori privat: Sindikatë apo punë?
2:15 PM
Sektori privat: Sindikatë apo punë?
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) synon që të formojë sindikata edhe në sektorin privat, sektor ky ku më së shumti shkelen të drejtat e punëtorëve. Sindikalistët thonë se punonjësit në këtë sektor hezitojnë organizimet sindikale për shkak të hakmarrjes nga punëdhënësi, me humbjen e vendit të punës.
Gjendja e rëndë ekonomike dhe shkalla e lartë e papunësisë, janë faktorët kryesorë që punëtorët në sektorin privat heshtin për parregullsitë që iu bëhen nga pronarët e kompanive. E, për të mbrojtur të drejtat e tyre, duhet formuar sindikatat, veprim ky që kërkon guxim nga punëtorët përballë menaxherëve të kompanive përkatëse, thonë përfaqësues të BSPK-së.

Megjithatë, kjo sindikatë synon formimin e degëve sindikale edhe në sektorin privat, sektor ky ku më së shumti shkelen të drejtat e punëtorëve.

Hasan Abazi, nënkryetar në BSPK, thotë se punëtorët në sektorin privat nuk i kanë të formuara sindikatat, për arsye se udhëheqësit e kompanive, organizimin sindikal e shohin si rival, e jo si partner bashkëpunimi."Shumë punëtorë dhe ne, si sindikatë, po hezitojmë në këtë drejtim, për arsye se rrezikojmë vendin e punës. Kështu që po mendojmë të gjejmë një gjuhë të përbashkët në këtë drejtim. Por, problemi numër një, pse në kompani private ende nuk kemi të formuar sindikata, është numri i madh i të papunëve”, thotë Abazi.

Ndryshe, sindikata ka një fuqi të madhe ligjore për t’i mbrojtur anëtarët e vet, me anë të grevave të ligjshme. Sindikata mund të pezullojë punën e ndërmarrjes, derisa të drejtat e punëtorëve të mos diskriminohen.

"Elkos Group” është një ndër kompanitë më të mëdha në vend, me mbi 1500 punëtorë. Menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Ramiz Kelmendi, tregon se deri më tash punonjësit nuk kanë kërkuar formimin e ndonjë organizate sindikale, por një gjë të tillë, sipas tij, e ka kërkuar Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. "Momentalisht, nuk kemi organizim sindikal në kompaninë tonë. Ne e dimë që Ligji për Organizim Sindikal është në aprovim e sipër dhe kemi pasur kërkesa nga BSPK-ja që të operojë kjo bashkësi e sindikatave edhe në kompaninë tonë. Ne jemi duke e analizuar këtë, që kjo të jetë në funksion në të mirë edhe të punëdhënësit, por edhe të punëtorëve”, shprehet Kelmendi.

Por, një veprim dhe guxim të tillë, tashmë e kanë marrë punonjësit e kompanisë së telekomunikacionit IPKO. Agron Bërbatovci, nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të IPKO-s, thotë se ka ekzistuar vetëm gatishmëria e punëtorëve, në mënyrë që të funksionalizohet sindikata.

Ai tregon se kjo sindikatë, e cila është formuar në janar të këtij viti, numëron 380 anëtarë. Megjithatë, Berbatovci, thekson se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga menaxhmenti në funksionalizimin e kësaj organizate, por, sipas tij, madje pronarët e kanë mirëpritur një veprim të tillë. "Fundi i fundit, sindikata është edhe formë e lejuar me Ligjin e punës në Kosovë.Ka përmirësim në produktivitetin e punëtorëve. Krijimin e sindikatës punëtorët e shohin si një mbështetje për punën e tyre, një vend më i mirë i punës. Vetë iniciativa dhe vetëbesimi i punëtorëve është në nivelin më të lartë”, tregon Bërbatovci.

Sidoqoftë, sipas sindikalistëve, punëtorët duhet të organizojnë sindikatat për ta mbrojtur veten, sepse, sipas tyre, mekanizmat ligjorë ndalojnë çdo akt ndërhyrjeje në funksionimin ose administrimin e organizatave sindikale nga punëdhënësi, si dhe ndalojnë diskriminimin ndaj përfaqësuesve të këtyre organizatave.

Në anën tjetër, organizatat sindikale mund t’i drejtohen gjykatës për veprime ndërhyrëse ose kërcënim ndaj tyre. /Rel
Views: 496 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player