Kryesore » 2012 » Gusht » 4 » “Sharrcem” mund ndëshkohet me dhjetëra mijëra euro
11:53 AM
“Sharrcem” mund ndëshkohet me dhjetëra mijëra euro
Shfuqizimi i vendimit të tarifës së çimentos nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka mbyllur gjithçka sa i përket ndërmarrjes "Sharrcem”. Hetimet të cilat kanë filluar ndaj ndërmarrjes "SharrCem” nga Autoriteti i Konkurrencës mund të ndëshkojnë atë me 2 deri në 10 për qind të fitimit vjetor në rast se konstatohet se çrregullimet në treg kanë ndodhur pikërisht për shkak të vendosjes së kësaj tarife. 
"Ne kemi konstatuar se është çrregulluar tregu në Kosovë, tash duhet ta vërtetojmë dhe ta argumentojmë se përse është çrregulluar. Më pas do ta marrim një vendim”, ka thënë Ahmet Krasniqi, anëtarë i Komisionit të Konkurrencës.

Masat ndëshkuese

"Masa ndëshkuese është 2 deri në 10 për qind të të hyrave vjetore”, ka thënë Krasniqi duke shtuar se hetimet do të zgjasin katër deri në pesë muaj. Sipas tij do të grumbullohet i gjithë dokumentacioni i cili është i nevojshëm ndërsa për destinacion të mbledhjes së tyre kanë ATK-në dhe Doganat e Kosovës.

"Në ATK kemi marrë disa dokumentacione, se sa kanë paguar tatim, do ti vlerësojmë se a po na përputhen me të dhënat e "SharrCemit”. Nga kjo ndërmarrje kemi kërkuar që të dhënat të jenë të sakta në të kundërtën do të pasojnë masat ndëshkuese. Jemi në fazën e një hetimi më të thelluar, në fillim kemi qenë në monitorim të situatës, ndërsa tani kemi filluar hetimin e thelluar”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij fillimi i hetimeve nuk ka të bëjë me vendosjen e embargos nga Ministrja Mimoza Kusari Lila. "Për të qenë në pozitë dominuese nuk është e ndaluar për asnjë ndërmarrje mirëpo nëse vërehet që është çrregulluar tregu ose ka lëvizje të çmimit atëherë ne duhet të intervenojmë. Në këtë rast janë vërejtur këto gjëra, nuk ka qenë shkak vendimi për taksën e çimentos për fillimin e hetimit, por çrregullimi i tregut”, ka thënë ai.

Importuesit kërkojnë dëmshpërblim

"SharrCem” mund të përballet edhe me një padi e cila pritet të dërgohet në Gjykatën Supreme nga importuesit e çimentos pasi që mendojnë se në bashkëveprim me MTI-në kanë sajuar këtë gjendje me qëllim që t’i dëmtojnë këto kompani.

Pronari i kompanisë importuese "Besimi Comerc”, Hyzer Gashi thotë se kjo padi do ti shtohet padisë tjetër të bërë një muaj më parë ndaj MTI-së.

"Mund të jetë një padi e re më të zgjeruar që në të mund të përfshihet drejtori i SharrCemit dhe njëkohësisht edhe për Ministren Kusari Lila pasi që në bashkëveprim kanë sajuar një gjendje në mënyrë artificiale për të na dëmtuar neve si importues. Në mënyrë të qëllimshëm dhe selektive kanë marrë këtë vendim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa vlera të cilën do ta kërkojnë si dëmshpërblim sipas Gashit është afër 600 mijë euro. "Këtë shumë e kemi llogaritur si dëmit përgjatë 50 ditëve sa ka qëndruar në fuqi kjo taksë. Mirëpo ne po përpilojmë edhe një listë nga nënkontraktorët tanë, duhet t’i evidentojmë edhe humbjet këtyre nënkontraktorëve pasi që edhe ata duhet të dëmshpërblehen”, ka thënë Gashi duke shtuar se vetë shfuqizimi i këtij vendimi ka treguar se ai ka qenë i padrejtë.

Sipas tij që nga shfuqizimi i vendimit që është vetëm dy ditë çmimet në treg janë më të lira. "Ne po vazhdojmë ta analizojmë tregun, është parë që për çdo thes të çimentos kemi 1.5 euro mesatarisht të çimentos më të lirë”, ka thënë ai.

Gashi thotë se vendimi i Autoritetit të Konkurrencës do të jetë bazik për luftimin e të drejtave të tyre. "Pasi që Autoriteti i Konkurrencës ka filluar hetimet do të presim se çfarë do të bëhet me këto hetime, nëse edhe autoriteti thotë se ka pas keqpërdorime në treg, konkurrencë jolojale, është shndërrua në pozitë monopoliste me një vendim qeveritar, atëherë ky vendim besoj se do të jetë bazik edhe për neve për tu ç’dëmtuar”, ka thënë Gashi.

Hiqet taksa nga e mërkura

Vendimi për shfuqizimin e taksës për import të çimentos prej 35 për qind është shfuqizuar të mërkurën ndërsa përgjatë 50 ditëve sa ishte në fuqi ky vendim është kundërshtuar me protesta të shumta dhe deklarata të ndryshme si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria.
Views: 544 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player