Kryesore » 2011 » Maj » 25 » Shqipëria favorizon Serbinë, diskriminon Kosovën
2:34 PM
Shqipëria favorizon Serbinë, diskriminon Kosovën
Bedri Kosumi, prodhues dhe përpunues i patates, nga Vushtrria, ankohet se e kanë humbur një pjesë të madhe të tregut në Shqipëri, për shkak të ngarkesave të mëdha doganore që i aplikon kjo e fundit ndaj prodhimeve kosovare. "Sivjet e kemi humbur 30-40 për qind të tregut në Shqipëri dhe kjo është një goditje e rëndë për fermerët kosovarë”, shprehet Kosumi.
Sipas tij, një kilogram patate në tregun e Kosovës shitet prej 12-15 centë, përderisa doganat shqiptare të njëjtën e vlerësojnë 28 centë dhe e ngarkojnë me 20 për qind obligime doganore. Ai sqaron se Kosova eksporton rreth 50 mijë tonë patate, për të cilat është dashur të gjenden tregje tjera, përpos Shqipërisë.

Derisa prodhuesit kosovarë ankohen për diskriminim nga autoritetet e Shqipërisë, këto të fundit kanë arritur një marrëveshje reciproke me Serbinë për heqjen e taksës doganore për të gjitha produktet bujqësore.

Zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i Shqipërisë, Enno Bozdo, ka thënë për mediet shqiptare se "me anë të kësaj marrëveshjeje synohet të rriten më shumë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Kjo masë është pjesë e marrëveshjes tregtare CEFTA, për krijimin e një tregu të përbashkët me vendet e rajonit".

Sipas Bozdos, qëllimi i këtyre marrëveshjeve është krijimi i një tregu të përbashkët ekonomik për tërheqjen e më shumë investimeve të huaja, pasi vendet e rajonit janë të penalizuara nga hapësirat e vogla që ofrojnë si të vetme.

Mirëpo, Kosumi vlerëson se pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë për heqjen e taksës doganore, prodhimet kosovare do të dalin shumë më të shtrenjta në tregun e Shqipërisë. "Prodhimet e Serbisë po i favorizon Shqipëria, ndërsa prodhimet e Kosovës, në mungesë të një favorizimi të tillë, do të dalin më të shtrenjtat në treg”, shprehet Kosumi.

Për përfaqësuesit e komunitetit kosovar të biznesit, prodhimet kosovare përpos që po ballafaqohen me embargo tregtare nga Serbia dhe Bosnja, ato po kanë vështirësi të depërtojnë edhe në tregun e Shqipërisë. "Këto vështirësi që po i hasin prodhimet kosovare për të depërtuar në tregun e Shqipërisë nuk janë të përshtatshme për një popull, i cili po e humb besimin edhe karshi institucioneve evropiane”, shprehet kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Sipas Gërxhaliut, me këtë mënyrë të favorizimit të prodhimeve serbe do të ndodhë, siç thotë ai, edhe një okupim ekonomik i Shqipërisë nga Serbia, ashtu siç ka ndodhur me Kosovën. "Serbia shumë shpejt do ta okupojë ekonomikisht edhe Shqipërinë, ashtu siç e ka okupuar edhe Kosovën”, pohon Gërxhaliu, duke shtuar se autoritetet e Shqipërisë nuk duhet ta shohin Kosovën si një fshat mes tyre dhe Serbisë, por si një shtet të pavarur.

Për të zgjidhur këto probleme të prodhuesve kosovarë, Gërxhaliu thotë se ka pasur takime edhe me ministrat e Qeverisë së Shqipërisë Ridvan Bode dhe Genc Ruli, mirëpo, sipas tij, deri më tani nuk ka ndodhur asnjë lëvizje pozitive në këtë drejtim.

Autoritetet e Shqipërisë i kanë arsyetuar taksat e larta doganore ndaj prodhimeve kosovare, duke thënë se Kosova ka hyrë më vonë në marrëveshjen CEFTA dhe se duhen vite që të arrihet eliminimi i tarifave
Views: 397 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player