Kryesore » 2012 » Dhjetor » 5 » Shtrenjtimi i rrymës, shantazh shtetit
12:44 PM
Shtrenjtimi i rrymës, shantazh shtetit
Shtrenjtimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk do të ketë të ndalur në të ardhmen. Ky është paralajmërimi që vjen nga sindikalistët e KEK-ut dhe ekspertët e ekonomisë, sipas të cilëve, Qeveria është dashur të jetë e kujdesshme me rastin e vendimit për privatizimin e distribucionit të KEK-ut."Shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ndodhë edhe vitin e ardhshëm”, shprehet i bindur Fehmi Pajaziti, kryetar i sindikatës së pavarur të punëtorëve "Elektrokosova”.
Sipas tij, me shtrenjtimin e rrymës shumë qytetarë do të kenë të pamundur t’i paguajnë faturat e KEK-ut, marrë parasysh standardin e ulët jetësor në vend, me ç’rast kompania do t’i ndëshkojë ata me ndërprerje të rrymës."Shumë shpejt do të ballafaqohemi me një situatë të njëjtë sikur Shqipëria, e cila ka vendosur t’i kthejë aksionet e distribucionit. E njëjta gjë do të ndodhë në të ardhmen edhe në Kosovë”, thotë Pajaziti. 

Ndërsa Agron Demi nga Instituti "GAP” thotë se edhe përkundër faktit se kjo organizatë është pro privatizimit si proces ekonomik, ata kanë kundërshtuar privatizimin e rrjetit të energjisë elektrike në parim, pasi që, siç thotë ai, rrjeti i energjisë është unik dhe duke e privatizuar rrezikohet kalimi nga monopoli publik në atë privat.

”Kjo ka ndodhur në Kosovë. Ne tani kemi monopol privat në njërin ndër asetet më

të rëndësishme shtetërore”, ka pohuar Demi.

Duke bërë krahasime me dështimin e privatizimit të distribucionit të energjisë elektrike në Shqipëri, sipas tij, privatizuesi, i vetëdijshëm se gëzon me monopolin në distribucion dhe furnizim, gjen gjithnjë mënyra për të shantazhuar shtetin.

”Shantazhimi vjen duke kërkuar ngritje të çmimit të energjisë”, ka potencuar Demi, duke shtuar se pastaj vjen deri në një situatë kur ngritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë bën që konsumatorët të mos jenë në gjendje ta paguajnë dhe kompania private të bëjë ndërprerje kolektive të rrymës.

”Kjo ka ndodhur në Shqipëri dhe e njëjta pritet të ndodhë edhe në Kosovë”, ka nënvizuar ai.

Numri një i Institutit "GAP” thotë se KEK-u tashmë ka bërë kërkesë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të ketë ngritje të vazhdueshme të çmimit të energjisë për pesë vitet e ardhshme. Ndërsa rritja e energjisë për pesë vite, sipas Demit, është më e madhe se rritja e gjithëmbarshme ekonomike dhe ky fakt do të ndikojë në

ngritjen e inflacionit.

Madje, në bazë të kontratës së Qeverisë së Kosovës me "Limak&Çalik”, investimet në rrjet kushtëzohen me rritjen e çmimit të energjisë.

"Kjo do të thotë se kontrata bie ndesh me rregullat e ZRRE-së, ngase e determinon çmimin në bazë të kontratës dhe jo në bazë të nevojave që mund të dalin”, shpjegon Demi.

Drejtuesi i Institutit "GAP” shprehet i bindur se shteti i Kosovës do të vazhdojë të humbë mjete publike në këtë ndërmarrje, ngase, sipas tij, edhe më tutje do të subvencionohet importi, për shkak se edhe për shumë vite Kosova nuk do të arrijë të prodhojë energji të mjaftueshme.

"Duke marrë parasysh se privatizimi i rrjetit të energjisë nuk sjell edhe liberalizim të tregut (një nga parimet e privatizimit është krijimi i kushteve për liberalizim të tregut), atëherë do të duhej që gjithsesi rrjeti i energjisë të mbahej në pronësi publike”, përfundon Demi.

Përndryshe, 76 për qind e aksioneve të distribucionit të energjisë elektrike në Shqipëri janë shitur për 102 milionë euro, ndërsa Qeveria është e vendosur në kthimin e këtyre aksioneve.

Korporata CEZ njoftoi për businessweek.com se po peshon shanset për një gjyq arbitrazhi kundër Shqipërisë pas përpjekjeve për të ndërprerë furnizimin me energji të ujësjellësve, përpjekje që përfundoi me arrestimin e gjashtë punonjësve.

"Situata dukshëm po merr drejtimin nga dalja e CEZ nga Shqipëria,” shkroi Miroslav Adamkovic, një analist financiar në Pragë për klientët e vet.

"CEZ po humb para dhe Shqipëria ka ndaluar të gjitha pagesat e energjisë elektrike këtë verë”. CEZ ka raportuar se ka humbur 190 milionë dollarë në Shqipëri gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, gjë që ka ulur fitimet e përgjithshme të grupit.
Views: 720 | Added by: ksdardania | Rating: 4.0/1

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player