Kryesore » 2011»Maj»21 » Si do falen detyrimet tatimore dhe doganore
11:29 AM
Si do falen detyrimet tatimore dhe doganore
Publikohet udhëzimi i Ministrisë së Financave për mënyrën se si do të aplikohet në terren ligji për faljen i miratuar disa javë më parë nga Kuvendi. Ligji ka hyrë në fuqi që prej datës 18 maj dhe pritet të fillojë së shpejti të zbatohet nisur edhe nga nxjerrja e akteve nënligjore. Gazeta publikon sot të plotë Udhëzimin siç ka dalë nga dikasteri i Financave. Udhëzimi shpjegon në detaje procedurat që duhet të ndiqen nga individët dhe bizneset për të përfituar nga ligji i faljes si dhe detyrimet që kanë organet përgjegjëse siç është administrata tatimore. UDHËZIM Nr.12, datë 18.5.2011 PËR PROCEDURAT E ZBATIMIT TË LIGJIT NR.10 418, DATË 21.4.2011 "PËR LEGALIZIMIN E KAPITALIT DHE FALJEN E NJË PJESE TË BORXHIT TATIMOR DHE DOGANOR" Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", Ministri i Financave; UDHËZON:
I. Procedura e legalizimit të kapitalit
1. Në zbatim të neneve 9 dhe 10 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", më poshtë referuar si "ligji", çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe personat fizikë tregtarë ose përfaqësues i tij mund të legalizojnë shuma në të holla, sipas procedurës së mëposhtme: 1.1. Individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij plotëson në dy kopje formularin e aplikimit sipas shtojcës nr.1 bashkëlidhur dhe pjesë përbërëse e këtij udhëzimi, për depozitim shumash në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. 1.2. Formulari i aplikimit me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. 1.3. Aplikuesi i paraqet punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit së bashku me formularin të aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit. 1.4. Në rast se legalizimi kryhet nga përfaqësuesi i posaçëm, ky i fundit paraqitet pranë bankës me dokumentin e tij të identifikimit dhe i bashkëlidh formularit të aplikimit të plotësuar fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identitetit së bashku me fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identitetit të aplikantit, si dhe prokurën e përfaqësimit. 1.5. Punonjësi i bankës në prani të personit që bën aplikimin (individit apo personit fizik tregtar apo përfaqësuesit të tij), kontrollon të dhënat e paraqitura në formularin e aplikimit, në përputhje me dokumentet e identitetit të aplikantit ose përfaqësuesit të tij. 1.6. Vetëm në rastet kur të dhënat në formular nuk korrespondojnë me ato të dokumentit të identitetit ose nuk realizohet identifikimi i klientit, në zbatim të ligjit "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit dhe rregullores së Bankës së Shqipërisë "Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit", punonjësi i bankës refuzon kërkesën për legalizimin e shumave në të holla. 1.7. Nëse ka mospërputhje ndërmjet të dhënave në formularin e aplikimit me dokumentet e identitetit, punonjësi i bankës është i detyruar të informojë aplikuesin ose përfaqësuesin e tij për problemin e identifikuar dhe të ofrojë mundësi për korrigjim. Banka në bazë të rregullores së saj harton një format që duhet të plotësohet nga punonjësi i bankës, ku të përcaktohet shuma e legalizuar, kursi i këmbimit kur nevojitet, dhe llogaritja e 3%-it të shumës, së bashku me numrin e llogarisë ku do të bëhet derdhja e saj. 1.8. Punonjësi i bankës pas pranimit të kërkesës për legalizim të shumave në të holla, kopjen e dytë e aplikimit të nënshkruar, ia dorëzon aplikantit ose përfaqësuesit të tij. Tatimi në burim, në masën 3% (tre për qind) për legalizimin e shumës në të holla, mbahet nga Banka dhe transferohet prej saj në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave. Për shumat në të holla në monedhë të huaj, tatimi i mbajtur në burim transferohet në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave pas konvertimit me kursin ditor të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. 1.9. E drejta për legalizim të shumave në të holla nga individët dhe personat fizikë tregtarë fillon nga data e hyrjes në fuqi të ligjit deri në datën 31.12.2011. Data e legalizimit të shumave në të holla për dy kategoritë e aplikuesve është data e depozitimit të shumave në të holla në llogarinë e posaçme bankare për legalizim, për të cilën është mbajtur tatimi në burim në masën 3%. 1.10. Në rastin e personave fizikë tregtarë, shuma në të holla e legalizuar kontabilizohet në zërin e të ardhurave, ndërsa tatimi i mbajtur në burim nuk njihet si shpenzimi i zbritshëm, për efekte fiskale. 1.11. Nëse e gjithë shuma në të holla e legalizuar apo një pjesë e saj transferohen në një llogari bankare jashtë shtetit, do të zbatohen penalitetet e përcaktuara në nenin 15 të ligjit. Edhe në këtë rast, penaliteti mbahet nga Banka dhe transferohet prej saj në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave. Për shumat në të holla në monedhë të huaj, penaliteti transferohet në llogarinë e thesarit të Ministrisë së Financave pas konvertimit me kursin ditor të këmbimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë. 1.12. Në rast se shuma në të holla e legalizuar do të përdoret nga personi fizik tregtar për të bërë blerje jashtë vendit, atëherë personi fizik tregtar për të bërë urdhër-pagesën ndaj furnitorit të huaj, duhet të depozitojë pranë bankës kopje të deklaratës doganore të importit dhe kopje të noterizuara të kontratës me kompaninë nga jashtë shtetit ose faturës ku janë blerë mallrat e importuara.
2. Rivlerësimi i pasurive të personave juridikë 2.1. Personat juridikë, që kanë të regjistruar në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme, makineri dhe pajisje me vlerë më të vogël se ajo e tregut, kanë të drejtë të bëjnë rivlerësimin me vlerën e tregut të këtyre pasurive brenda periudhës së zbatimit të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen aktivet afatshkurtra dhe afatgjata të pasqyruara në pasqyrat financiare. Pasuritë e paluajtshme, të cilat nuk janë të përfshira në pasqyrat financiare të personit juridik, nuk janë subjekt i legalizimit. 2.2. Me termin "vlerë kontabël" të pasurisë së paluajtshme kuptohet vlera fillestare e blerjes së pasurisë minus amortizimin e akumuluar deri në datën 31.12.2010 dhe amortizimin e vitit ushtrimor 2011 deri në datën e rivlerësimit të pasurisë. Llogaritja e amortizimit të vitit ushtrimor do të bëhet në bazë të nenit 22 të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar. Rivlerësimi me vlerën e tregut bëhet nga ekspertë të pavarur, të licencuar për vlerësimin e pasurisë nga institucionet përkatëse. 2.3. Subjekti juridik në procesin e legalizimit të kapitalit për marrëdhëniet e tij me administratën tatimore, përfaqësohet nga përfaqësuesi i tij ligjor. 2.4. Përfaqësuesi ligjor i subjektit juridik paraqet pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore, ku personi juridik është i regjistruar, dokumentet e mëposhtme: a) Deklarimin vullnetar për legalizim të kapitalit, sipas shtojcës nr. 2, bashkëlidhur këtij udhëzimi; b) Prokurën për përfaqësuesin ligjor; c) Kopje të licencës së ekspertit të pavarur të vlerësimit të pasurisë; d) Kopje të faturës së shërbimit të ekspertit të vlerësimit të pasurisë; e) Kopje origjinale të aktit të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, të nënshkruar dhe vulosur nga vlerësuesi i pasurisë; f) Dokumentacionin e blerjes së pasurisë së paluajtshme, makinerive dhe pajisjeve, që legalizohen, si dhe pasqyrën analitike të llogaritjes së amortizimit; g) Mandatpagesën e vlerësimit të pasurive në masën 3% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar, për pasuritë e paluajtshme dhe/ose 5% të diferencës ndërmjet vlerës së rivlerësimit dhe vlerës kontabël të regjistruar për makineri/pajisje. Pagesat duhet të jenë bërë në njërën nga bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë, për llogari të thesarit të Ministrisë së Financave. 2.5. Data e legalizimit të pasurive konsiderohet data e pagesës sipas tarifave të parashikuara në pikën 4 të nenit 11 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011. 2.6. Pasqyrave financiare të vitit 2011 që subjekti dorëzon pranë organeve tatimore brenda datës 31 mars 2012 duhet t'u bashkëlidhen pasqyrat analitike të vlerës kontabile të pasurive (aktiveve afatgjata të materialeve), të rivlerësuara dhe legalizuara, si dhe pasqyra analitike e llogaritjes së amortizimit. 2.7. Diferenca midis vlerës kontabël të regjistruar në pasqyrat financiare të vitit 2010 dhe vlerës që rezulton nga rivlerësimi për shkak të legalizimit të tyre, pasqyrohet në pasqyrat financiare të vitit 2011 dhe është e amortizueshme për efekte fiskale.
II. Falja e detyrimeve tatimore dhe doganore 1. Në zbatim të germës "b" të pikës 1 të nenit 18 të ligjit, administrata tatimore zvogëlon shumën e detyrimit tatimor bazuar në kërkesën e tatimpaguesit në masën e kredisë apo kredisë së rimbursueshme, duke respektuar kriteret e kompensimit të detyrimeve. Në rastet kur rezulton detyrim i pambuluar nga kompensimi i aplikuar, për pjesën e mbetur procedohet sipas dispozitave të parashikuara në këtë ligj. 2. Në zbatim të pikës 3 të nenit 18 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë (ILDKP) i dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, bashkive dhe komunave, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit, si dhe Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR) listën e zyrtarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarim të pasurisë për periudhën e zbatimit të ligjit. Lista e dërguar nga ILDKP-ja përpunohet nga QKR-ja për të evidentuar personat juridikë, në të cilët këta zyrtarë kanë aksione apo kuota kapitali dhe harton një listë të dytë me emrat e këtyre personave juridikë. 3. Brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së ILDKP-së, QKR-ja u dërgon listën e dytë institucioneve të sipërcituara. Administratat e këtyre institucioneve e përdorin këtë listë vetëm për efekt të mospërfshirjes në faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore të zyrtarëve të përfshirë në të.
II.1. Falja e detyrimeve tatimore 1. Në zbatim të nenit 19 të ligjit, termi "detyrime tatimorë" i referohet detyrimeve tatimore të përcaktuara për taksa dhe tatimet të përcaktuara në nenit 4 dhe 6 të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008 "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar dhe në nenin 9 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore", të ndryshuar. Detyrimi tatimor përfshin tatimin, gjobat dhe kamatëvonesat. Detyrime tatimore janë: a) detyrimet tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, me përjashtim të kontributeve shoqërore dhe shëndetësore; b) detyrimet tatimore ndaj administratës tatimore vendore të përcaktuara në nenin 9 të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore", të ndryshuar. 2. Për administrimin e procedurës së faljes së detyrimeve tatimore, drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore/kryetari i zyrës së taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, ngre komisionin për administrimin e faljes (referuar më poshtë Komisioni). Ky komision përbëhet nga: a) drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore/Kryetari i Zyrës së Taksave dhe Tatimeve në bashki apo komunë; b) një jurist; c) drejtori i Drejtorisë së Mbledhjes së të Ardhurave/përgjegjësi i Sektorit të Menaxhimit të Borxhit; ç) inspektori i Sektorit të Menaxhimit të Borxhit/i Drejtorisë së Mbledhjes së të Ardhurave; d) inspektor në Drejtorinë e Përpunimit të të Ardhurave. Në varësi të rrethanave, drejtori/kryetari mund të caktojë në përbërje të këtij grupi edhe punonjës të tjerë. Komisioni pas mbledhjes së parë mblidhet një herë në javë për të analizuar dhe evidentuar debitorët që përfitojnë nga falja. Komisioni pasi shqyrton debitorët, pagesat e detyrimeve tatimore harton një procesverbal të detajuar, në të cilin përcakton për secilin debitor nëse përfiton ose jo duke dhënë edhe sqarimet përkatëse. Për debitorët të cilët kanë plotësuar kushtin e faljes, Komisioni miraton faljen dhe ndjek procedurën e shuarjes së detyrimit për këta debitorë. Ky procesverbal nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit. Listës përmbledhëse i bashkëlidhet një kopje e procesverbaleve së bashku me aktin e faljes për çdo debitor, i cili përgatitet nga inspektori i drejtorisë së mbledhjes së të ardhurave/sektorit të mbledhjes apo menaxhimit të borxhit. Kjo praktikë përcillet për veprim në Drejtorinë e Përpunimit dhe Menaxhimit të të Ardhurave, Drejtoria e Përpunimit. 3. Në zbatim të shkronjës "a" të nenit 19 të ligjit, procedohet si më poshtë vijon: a) Detyrimet tatimore të papaguara nga persona fizikë, subjekte të taksës vendore të biznesit të vogël, që i përkasin periudhës tatimore deri në 31.12.2010 dhe që janë të evidentuara në kontabilitetin tatimor/sistemin informatik, falen pa asnjë pagesë; b) Në bazë të nenit 25 të ligjit, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, drejtoritë rajonale tatimore/zyrat e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, evidentojnë dhe hartojnë listën e plotë, si dhe njoftojnë tatimpaguesit mbi detyrimet tatimore të mbetura të papaguara dhe që u përkasin periudhave tatimore deri në 31 dhjetor 2010. Lista përmban në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat me detyrimin tatimor të mbetur të papaguar, ku ndër të tjera duhet të listohen: emri i personit fizik, NIPT-i, periudha tatimore, lloji i tatimit, data e situatës debitore, numri i protokollit të aktit, data e evidentimit në regjistrat e administratës tatimore, shuma e tatimit, masa e gjobës, kamatëvonesat, periudha tatimore, numri i vlerësimit tatimor për tatimet e informatizuara etj.; c) Drejtoria rajonale tatimore/zyra e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, brenda 10 ditëve nga hartimi i listës së plotë të të gjithë debitorëve, detyrimi tatimor i të cilëve i përket periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010, heq nga kjo listë personat fizikë të regjistruar si subjekt të taksës vendore të biznesit të vogël të përfshirë në listën e dërguar nga ILDKP-ja. Kjo listë e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën Komisioni do të vazhdojë procedurat e faljes; d) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit, pas shqyrtimit të listës, përmes një procesverbali të nënshkruar nga të gjithë anëtarët u miraton faljen e detyrimeve debitorëve që plotësojnë kriteret sipas përcaktimeve të ligjit dhe vijimin e procedurave të nevojshme për shuarjen e detyrimeve fiskale të falura; e) Administratat tatimore qendrore dhe vendore pasqyrojnë fshirjen në regjistrat e tyre kontabël; f) Lista e debitorëve të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar detyrimi, i dërgohet zyrtarisht edhe Drejtorisë së Mbledhjes së të Ardhurave Tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; g) Debitorët të cilët kanë paguar një pjesë të tatimit apo gjobës apo çdo pagesë tjetër në lidhje me detyrimet e specifikuar në nenin 19, shkronja "a", përfitojnë nga falja vetëm për pjesën e mbetur të detyrimit bazuar në dispozitat e ligjit. 4. Në zbatim të shkronjës "b" të nenit 19 të ligjit, procedohet si më poshtë vijon: a) Të gjitha detyrimet tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010, të përcaktuara në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar, dhe në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006 "Për taksat vendore", të ndryshuar, falen pa asnjë pagesë; b) Në bazë të nenit 25 të ligjit, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, drejtoritë rajonale tatimore/zyrat e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, evidentojnë dhe hartojnë listën e plotë, si dhe njoftojnë individët mbi detyrimet tatimore të mbetura të papaguara dhe që u përkasin periudhave tatimore deri më 31 dhjetor 2010; c) Drejtoria rajonale tatimore/zyra e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, brenda 10 ditëve nga hartimi i listës së plotë të të gjithë debitorëve, detyrimi tatimor i të cilëve i përket periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010, heq nga kjo listë individët e përfshirë në listën e dërguar nga ILDKP-ja. Kjo listë e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën Komisioni do të vazhdojë procedurat e faljes. Lista përmban në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me detyrimin tatimor të mbetur të papaguar, ku ndër të tjera duhet të listohen: emri i individit, adresa, numri personal i identifikimit, data e lindjes së detyrimit, dhe nëse disponohen numri dhe data e vendimit, data e kontabilizimit, shuma e tatimit, masa e gjobës, kamatëvonesat etj.; d) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit, pas shqyrtimit të listës, përmes një procesverbali të nënshkruar nga të gjithë anëtarët, miraton faljen e detyrimeve debitorëve që plotësojnë kriteret sipas përcaktimeve të ligjit dhe vijimin e procedurave të nevojshme për shuarjen e detyrimeve fiskale të falura; e) Administratat tatimore qendrore dhe vendore pasqyrojnë fshirjen në regjistrat e tyre kontabël të të gjitha detyrimeve tatimore të papaguara të individëve për periudhën tatimore deri më 31 dhjetor 2010; f) Lista e debitorëve të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar detyrimi, i dërgohet zyrtarisht edhe Drejtorisë së Mbledhjes së të Ardhurave Tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; g) Debitorët të cilët kanë paguar një pjesë të tatimit apo gjobës, apo çdo pagesë tjetër në lidhje me detyrimet e specifikuara në nenin 19, shkronja "b", nuk rimbursohen. 5. Në bazë të shkronjës "c" të nenit 19 dhe të nenit 20 të ligjit, personave juridikë apo persona fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së, u falen: - pa pagesë, detyrimet tatimore (tatim, gjobë, kamatëvonesa) të papaguara të tatimpaguesve, që janë të evidentuar në regjistrat e administratave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2008; - detyrimi tatimor (tatimi, gjoba dhe kamatëvonesat e papaguara) i evidentuar në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2009, kundrejt pagesës prej 30 për qind të tatimit; - detyrimi tatimor (tatimi, gjoba dhe kamatëvonesat e papaguara) i evidentuar në regjistrat e administratave tatimore në periudhën 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, kundrejt pagesës prej 50 për qind të tatimit. 5.1 Si datë evidentimi në regjistrat tatimorë do të konsiderohet: a) Data e njoftim-vlerësimit tatimor në rastet kur detyrimi ka lindur nga një vlerësim nga zyra, verifikim në vend apo kontroll tatimor; b) Data e dorëzimit të deklaratës, në rastet kur detyrimi tatimor ka lindur si rezultat i vetëdeklarimit; c) Data e kontabilizimit të akt-vlerësimit tatimor nga zyra, akt-verifikimet ose procesverbalit të gjobës, si dhe data e kontabilizimit e akt-kontrollit tatimor nga të cilët ka rezultuar një detyrim tatimor, por nga administratat tatimore vërtetohet se nuk është lëshuar njoftim-vlerësimi tatimor. 5.2. Procedura e zbatimit të shkronjës "c" të nenit 19 dhe nenit 20 të ligjit, është si më poshtë vijon: a) Në bazë të nenit 25 të ligjit, brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, drejtoritë rajonale tatimore/zyrat e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, evidentojnë dhe hartojnë listën e plotë të debitorëve për periudhat: deri më 31.12.2008, 1 janar 2009 - 31 dhjetor 2009 dhe 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010, si dhe njoftojnë personat juridikë apo personat fizikë, të regjistruar si subjekt i TVSH-së mbi detyrimet tatimore të mbetura të papaguara që u përkasin këtyre periudhave tatimore. Lista përmban në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat me detyrimin tatimor të mbetur të papaguar, ku ndër të tjera duhet të listohen: emri i personit fizik/personit juridik, të regjistruar për TVSH-në; NIPT-i; data e situatës debitore, numri i protokollit të aktit, data e evidentimit në regjistrat e administratës tatimore, lloji i tatimit, shuma e tatimit, masa e gjobës, kamatëvonesat, periudha tatimore, numri e vlerësimit tatimor për tatimet e informatizuara etj.; b) Drejtoria rajonale tatimore/zyra e taksave dhe tatimeve në bashki ose komunë, brenda 10 ditëve nga hartimi i listës së plotë të të gjithë debitorëve, detyrimi tatimor i të cilëve u përket periudhave tatimore të sipërpërmendura, heq nga kjo listë subjektet e përfshira në listën e dërguar nga ILDKP-ja. Kjo listë e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën Komisioni do të vazhdojë procedurat e faljes; c) Për identifikimin e datës së evidentimit të detyrimit tatimor në regjistrat e administratave tatimore, për çdo rast, do të merren të dhënat nga dosja e tatimpaguesit, kontabiliteti tatimor, si dhe nga situata e tatimpaguesit në sistemin informatik për të gjitha detyrimet tatimore; d) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit, analizon listën e këtyre debitorëve dhe evidenton nëse janë plotësuar kushtet e pagesës me qëllim përfitimin e faljes për pjesën tjetër të detyrimeve nga debitori. Në rast të mosplotësimit të kushtit (pagesës jo të plotë të 30% dhe 50% të tatimit, apo mospagesës së tij), debitorit nuk i miratohet falja e detyrimit tatimor të papaguar; e) Administratat tatimore qendrore dhe vendore pasqyrojnë fshirjen në regjistrat e tyre kontabël të të gjitha detyrimeve tatimore të papaguara të individëve për periudhat tatimore: deri në 31.12.2008, 1 janar 2009 - 31 dhjetor 2009 dhe 1 janar 2010 deri më 31 dhjetor 2010; f) Lista e debitorëve, të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar detyrimi, i dërgohet zyrtarisht edhe Drejtorisë së Mbledhjes së të Ardhurave Tatimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve; g) Të gjithë debitorët përfitues sipas nenit 20 të ligjit, duhet që brenda datës 31 dhjetor 2011, të paraqesin zyrtarisht pranë drejtorisë rajonale tatimore/ zyrës së taksave dhe tatimeve në bashki/komunë, kopjen e mandatpagesës që përfaqëson pagesën e 30% dhe 50% të tatimit, respektivisht, për efekt të plotësimit të kushtit të faljes. Mandati i pagesës së kryer nga debitori depozitohet në dosjen përkatëse të debitorit dhe një kopje e tij i vihet në dispozicion Komisionit; h) Debitorët, ndaj të cilëve administratat tatimore kanë detyrime për rimbursim të shumave apo kreditim të tatimeve ose që rezultojnë me tepricë kreditore deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, në rastet kur dëshirojnë që shuma për t'u rimbursuar apo për t'u kredituar nga administrata tatimore të zvogëlohet në vlerë të barabartë me shumën e detyrimit tatimor të falur në bazë të nenit 20 të ligjit, duhet të depozitojnë me shkrim pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore kërkesën duke specifikuar shumën që kanë për t'u rimbursuar apo për t'u kredituar nga administrata tatimore dhe detyrimet tatimore të papaguara. Nëse diferenca është negative, kërkesës me shkrim duhet t'i bashkëlidhet edhe kopje e mandat pagesës së bërë për efekt të plotësimit të kushtit të faljes. Pagesat bëhen nëpërmjet bankës në llogarinë e Drejtorisë Rajonale Tatimore; i) Debitorët të cilët kanë paguar një pjesë të tatimit apo gjobës, apo çdo pagesë tjetër në lidhje me detyrimet e specifikuar në nenin 19, shkronja "c" dhe në nenin 20, përfitojnë nga falja vetëm për pjesën e mbetur të detyrimit bazuar në dispozitat e ligjit. 5.3. Në rastet kur tatimi është zero, falen gjobat administrative të parashikuara në ligjin e procedurave tatimore dhe gjoba të parashikuara në ligje specifike tatimore për periudha deri në datën 31 dhjetor 2010, me përjashtim të gjobave administrative për mosinstalim të pajisjes fiskale, të parashikuara në nenin 21 të këtij ligji, për të cilat periudha shtrihet deri në datën 28 shkurt 2011. Në rastet e gjobave për mosdorëzim të deklaratës tatimore kur tatimi (principali) është zero, falen të gjitha këto gjoba për periudhën deri në datën 31 dhjetor 2010, me kusht që të dorëzohen deklaratat për këto periudha brenda periudhës së zbatimit të ligjit. Kur tatimpaguesi nuk ka dorëzuar deklaratat tatimore për rastet kur ai është çregjistruar në gjykatë apo në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kur detyrimi është zero, falen gjobat për dorëzim të vonuar deri në afatin e shtrirjes së ligjit me qëllim realizimin e çregjistrimit në sistemin informatik tatimor.
II.2. Falja e gjobave të lidhura me detyrimin për t'u pajisur me pajisje fiskale 1. Tatimpaguesit, subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, që janë dënuar me gjobë administrative për mosinstalim të pajisjeve fiskale dhe e kanë instaluar pajisjen fiskale brenda datës 28 shkurt 2011, u falen shumat e gjobave të papaguara për mosplotësimin në kohë të detyrimit për t'u pajisur me pajisje fiskale. 2. Drejtoria e Teknologjisë dhe Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve evidenton subjektet e pajisur me kasë fiskale deri në datën 28.2.2011 për çdo drejtori rajonale tatimore dhe dërgon zyrtarisht listën për këto subjekte në çdo drejtori rajonale tatimore. Tatimpaguesi paraqet kërkesën për falje të gjobës për mospajisje me pajisje fiskale pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është regjistruar, brenda datës 31 dhjetor 2011, duke bashkëngjitur njoftimvlerësimin përkatës. 3. Drejtoritë rajonale tatimore në rrethe bëjnë verifikimin e dokumentacionit të pajisjes fiskale nga tatimpaguesi dhe kryen procedurën e faljes së gjobave në sistemin informatik tatimor dhe në kontabilitet.
II.3. Deklarimi vullnetar i detyrimit tatimor 1. Tatimpaguesit, të cilët për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2010, e kanë deklaruar shumën e detyrimit tatimor më të vogël se detyrimi real, kanë të drejtë që, brenda periudhës së zbatimit të ligjit, të vetëdeklarojnë detyrimet reale tatimore përpara se ndaj tyre të ketë filluar një kontroll tatimor i administratës tatimore. 2. Tatimpaguesi duhet të paraqesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, brenda datës 31.12.2011, dokumentet e mëposhtme: a) Kërkesën për deklarim vullnetar, e cila dorëzohet vetëm një herë dhe përmban NIPT-in, emërtimin e tatimpaguesit, arsyen e kërkesës (kërkesë për deklarim vullnetar të detyrimit tatimor), bazën ligjore (neni 22 i ligjit); b) Detyrimet tatimore reale të papaguara nga tatimpaguesi, periudhën tatimore për të cilën janë vlerësuar detyrimet tatimore, llojin e tatimit, rubrikat e rivlerësuara (lidhur me deklaratat tatimore), vlerën e vetëdeklarimit. Ky dokument duhet të ketë firmën dhe vulën e përfaqësuesit ligjor të tatimpaguesit; c) Kopje të mandatpagesës së bërë prej 50% të detyrimit tatimor të ri, të krijuar nga vetëdeklarimi, në njërën nga bankat, në llogarinë e drejtorisë rajonale tatimore. 3. Dispozitat e nenit 18 të këtij ligji, lidhur me kompensimin e tepricave kreditore apo shumave për t'u rimbursuar, zbatohen edhe për këtë rast. 4. Tatimpaguesit nuk përfitojnë nga kjo dispozitë, nëse nga kontrolli tatimor rezulton se detyrimi tatimor është më i madh se ai i vetëdeklaruar, sipas këtij neni. Në rast se gjatë ushtrimit të kontrollit tatimor, rezulton se vlera e vetëdeklaruar nga tatimpaguesi është më e vogël se detyrimi tatimor i rezultuar nga kontrolli tatimor, tatimpaguesi detyrohet të paguajë detyrimin e falur, detyrimin e rezultuar nga kontrolli, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat sipas ligjit të procedurave tatimore.
II. 4. Falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore 1. Të vetëpunësuarit 1.1. Tatimpagues si subjekteve të regjistruar si persona fizikë me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2005 dhe që janë debitorë për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të evidentuar dhe kontabilizuar në organet e sigurimeve shoqërore apo të transferuar në kontabilitetin e organeve tatimore, të vetëpunësuar të vetëm, të vetëpunësuar me pjesëtarë të tjerë të familjes dhe të vetëpunësuar në ortakëri u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. 1.2. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. 1.3. Tatimpaguesve të regjistruar si të vetëpunësuar me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010, dhe që janë debitorë për kontributet për veten e tyre dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, vetëm për periudhën që ata kanë pasur këtë status, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31.12.2011, të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti. 1.4. Të gjithë tatimpaguesit e mësipërm (sipas pikave 1, 2 dhe 3), që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, ku përfshihen edhe detyrimet që lindin gjatë vitit 2011 për periudhat tatimore të këtij viti, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. 1.5. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën deri në fund të vitit 2008 dhe që janë debitorë për kontributet, u falen të gjitha detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat. 1.6. Të vetëpunësuarve në bujqësi me detyrime të prapambetura, për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2010 dhe që janë debitorë për kontributet u falen të gjithë detyrimet e papaguara për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që brenda datës 31 dhjetor 2011 të deklarojnë dhe të paguajnë të gjitha detyrimet që lindin gjatë vitit 2011. 1.7. Të vetëpunësuarve në bujqësi, që paguajnë të gjitha shumat e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, deri në datën 31 dhjetor 2011, përfitojnë nga falja e të gjitha gjobave dhe kamatëvonesave të lidhura me detyrimet e pashlyera. 1.8. Periudha për të cilën nuk janë paguar sigurimet shoqërore dhe për të cilën kontributi është falur, nuk do të konsiderohet për efekt të përftimit të së drejtës për pension sipas përcaktimeve të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
2. Për personat fizikë dhe juridikë 2.1. Ndërmarrjeve dhe shoqërive me kapital tërësisht shtetëror, institucioneve shtetërore, buxhetore dhe jobuxhetore, ndërmarrjeve e shoqërive me kapital të përbashkët me shtetin, personave juridikë e fizikë privatë, të cilët nuk kanë derdhur të gjitha detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të lidhura me periudhën deri më 31 dhjetor 2010, u falen të gjitha shumat e gjobave dhe të kamatëvonesave, me kusht që kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të paguhen brenda afatit të zbatimit të ligjit. 2.2. Subjektet e mësipërme debitorë për detyrimet ndaj organeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, përfshirë gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë nga një vendim i formës së prerë, nuk përfitojnë nga dispozitat e këtij ligji. Ky ligj nuk i shtrin efektet edhe për rastet kur ka filluar një procedim penal dhe procesi nuk ka përfunduar. II.5. Falja e detyrimeve ndaj administratës doganore 1. Procedura e faljes së detyrimeve ndaj administratës doganore kryhet bazuar në ligjin nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", si dhe të këtij udhëzimi. 2. Në zbatim të nenit 26 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, të sipërcituar, degët doganore kryejnë evidentimin e plotë të të gjithë debitorëve ndaj administratës doganore bazuar në përcaktimet e ligjit duke marrë në konsideratë momentin e lindjes së borxhit, si dhe të evidentimit, nxjerrjes së vendimeve administrative përkatëse dhe kontabilizimit të tij. Për këtë qëllim degët doganore hartojnë edhe listat respektive të debitorëve sipas procedurave të mëposhtme. 3. Për të administruar gjithë procedurën e faljes sipas këtij ligji, Kryetari i Degës Doganore ngre një komision për administrimin e faljes në përbërjen e të cilit marrin pjesë Kryetari i Degës Doganore, juristi, specialisti i borxhit dhe specialisti i financës. Në varësi të rrethanave Kryetari i Degës mund të caktojë në përbërje të këtij grupi edhe punonjës të tjerë. 4. Procedura e administrimit të nenit 26, pika 1 a) Në zbatim të nenit 26, pika 1 dega doganore harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, borxhi i të cilëve ka lindur deri më 31 dhjetor 2008, sipas përcaktimeve të Kodit Doganor, si dhe është evidentuar, janë nxjerrë vendimet përkatëse dhe kontabilizuar deri më 31 dhjetor 2010, pavarësisht nëse është njoftuar apo jo. Kjo listë do të përmbajë në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me borxhin, duke përfshirë ndër të tjera: emrin e kompanisë, NIPT-in, datën e lindjes së borxhit, numrin dhe datën e vendimit, datën e kontabilizimit, shumën e principalit, masën e gjobës, kamatëvonesat etj. Kjo listë e plotë shkurtohet me heqjen e emrave të individëve zyrtarë sipas listës së dërguar nga ILDK-ja dhe QKR-ja. Lista e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën do të vazhdojë procedura e administrimit të faljes nga Komisioni; b) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, analizon listën e këtyre debitorëve dhe pasi evidenton saktësinë e saj, përmes një procesverbali të nënshkruar nga të gjithë anëtarët e komisionit miraton faljen e këtij grupi debitorësh dhe vazhdimin e procedurës së shuarjes (faljes). Dega doganore procedon më pas me shuarjen e borxhit për debitorët, të cilët përfitojnë nga falja; c) Lista e debitorëve të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar borxhi sipas nenit 26 pika 1 e ligjit i dërgohet edhe Drejtorisë së Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit Doganor në DPD; d) Debitorët të cilët kanë paguar një pjese të principalit apo gjobës apo çdo pagesë tjetër në lidhje me borxhet e specifikuara në nenin 26, pika 1, përfitojnë nga falja vetëm për pjesën e mbetur të detyrimit bazuar në dispozitat e ligjit; e) Në rastet kur detyrimi doganor është zero, falen gjobat administrative të parashikuara në Kodin Doganor. 5. Procedura e administrimit të nenit 26, pika 2 a) Në zbatim të nenit 26, pika 2 dega doganore brenda 30 ditëve pune nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, borxhi i të cilëve ka lindur gjatë vitit 2009 sipas përcaktimeve të Kodit Doganor, si dhe është evidentuar, janë nxjerrë vendimet përkatëse dhe kontabilizuar deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor". Kjo listë e plotë shkurtohet me heqjen e emrave të individëve zyrtarë, sipas listës së dërguar nga ILDK-ja dhe QKR-ja. Lista e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën do të vazhdojë procedura e administrimit të faljes nga Komisioni. Për të gjithë këta debitorë, nëse nuk është kryer procedura e njoftimit, dega doganore bën menjëherë njoftimin e debitorit sipas formularit aktual në të cilin sqaron gjithashtu edhe kushtin për pagesën e 50% të principalit (detyrimit doganor) dhe lehtësirat që ofron ligji nr.10 418, datë 21.4.2011, në favor të tij, për pjesën tjetër të detyrimit; b) Lista e debitorëve sipas nenit 26 pika 2 e ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, do të përmbajë në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me borxhin, duke përfshirë ndër të tjera: emrin e kompanisë, NIPT-in, datën e lindjes së borxhit, numrin dhe datën e vendimit, datën e kontabilizimit, shumën e principalit, shumën e principalit që duhet paguar si kusht për faljen (50% e vlerës së principalit), masën e gjobës, kamatëvonesat etj.; c) Të gjithë debitorët përfitues sipas nenin 26 pika 2 e ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", duhet që brenda datës 31 dhjetor 2011, të paraqesin zyrtarisht pranë degës doganore ku figurojnë debitorë, kopjen e mandatpagesës që përfaqëson pagesën e 50% të principalit për efekt të plotësimit të kushtit të faljes. Mandati i pagesës së kryer nga debitori depozitohet në dosjen përkatëse të debitorit dhe një kopje e tij i vihet në dispozicion komisionit të administrimit të faljes; d) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit nr. 10 418, datë 21.4.2011, analizon dhe verifikon listën e këtyre debitorëve, si dhe evidenton nëse janë plotësuar kushtet e pagesës me qëllim përfitimin e faljes për pjesën tjetër të detyrimeve nga debitori. Në rast të mosplotësimit të kushtit (pagesës jo të plotë të 50% të principalit apo mospagesës), debitori nuk miratohet për falje dhe shuarje të borxhit; e) Komisioni pas analizimit dhe evidentimit të të gjithë listës dhe pagesave respektive të këtyre debitorëve harton një procesverbal të detajuar në të cilën përcakton rastet që përfitojnë dhe ato që nuk përfitojnë duke dhënë edhe sqarimet përkatëse. Për debitorët të cilët kanë plotësuar kushtin Komisioni miraton faljen dhe vazhdimin e procedurës së shuarjes për këta debitorë. Ky procesverbal nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit. Dega doganore procedon më pas me shuarjen e borxhit për debitorët të cilët përfitojnë nga falja; f) Lista e debitorëve të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar borxhi sipas nenit 26 pika 2 e ligjit i dërgohet edhe Drejtorisë së Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit Doganor në DPD; g) Debitorët të cilët kanë paguar një pjesë të principalit apo gjobës apo çdo pagesë tjetër në lidhje me borxhet e specifikuara në nenin 26 pika 2, përfitojnë nga falja vetëm për pjesën e mbetur të detyrimit bazuar në dispozitat e ligjit; h) Në rastet kur detyrimi doganor është zero, falen gjobat administrative të parashikuara në Kodin Doganor. 6. Procedura e administrimit të nenit 26, pika 3 a) Në zbatim të nenit 26 pika 3 dega doganore brenda 15 ditëve pune nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, borxhi i të cilëve ka lindur gjatë vitit 2010 sipas përcaktimeve të Kodit Doganor, si dhe është evidentuar, janë nxjerrë vendimet përkatëse dhe kontabilizuar deri në hyrjen në fuqi të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor". Kjo listë e plotë shkurtohet me heqjen e emrave të individëve zyrtarë sipas listës së dërguar nga ILDK-ja dhe QKR-ja. Lista e shkurtuar do të konsiderohet si lista finale mbi të cilën do të vazhdojë procedura e administrimit të faljes nga Komisioni. Për të gjithë këta debitorë, nëse nuk është kryer procedura e njoftimit, dega Doganore bën menjëherë njoftimin e debitorit sipas formularit përkatës në të cilin sqaron, gjithashtu, edhe kushtin për pagesën e 100% të principalit (detyrimit doganor) dhe lehtësirat që ofron ligji nr.10 418, datë 21.4.2011, në favor të tij, për pjesën tjetër të detyrimit; b) Lista e debitorëve sipas nenit 26 pika 3 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, do të përmbajë në mënyrë të detajuar të gjitha të dhënat në lidhje me borxhin, duke përfshirë ndër të tjera: emrin e kompanisë, NIPT-in, datën e lindjes së borxhit, numrin dhe datën e vendimit, datën e kontabilizimit, shumën e principalit, shumën e principalit që duhet paguar si kusht për faljen (100% e vlerës së principalit), masën e gjobës, kamatëvonesat etj.; c) Të gjithë debitorët përfitues sipas nenit 26 pika 3 të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", duhet që brenda datës 31 dhjetor 2011, të paraqesin zyrtarisht pranë degës doganore ku figurojnë debitorë, kopjen e mandat pagesës që përfaqëson pagesën e 100% të principalit për efekt të plotësimit të kushtit të faljes. Mandati i pagesës së kryer nga debitori depozitohet në dosjen përkatëse të debitorit dhe një kopje e tij vihet në dispozicion të Komisionit; d) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, analizon dhe verifikon listën e këtyre debitorëve dhe evidenton nëse janë plotësuar kushtet e pagesës me qëllim përfitimin e faljes për pjesën tjetër të detyrimeve nga debitori. Në rast të mosplotësimit të kushtit (pagesës jo të plotë të 100% të principalit apo mospagesës), debitori nuk miratohet për falje dhe shuarje të borxhit; e) Komisioni pas analizimit, verifikimit dhe evidentimit të të gjithë listës dhe pagesave respektive të këtyre debitorëve harton një procesverbal të detajuar në të cilin përcakton rastet që përfitojnë dhe ato që nuk përfitojnë duke dhënë edhe sqarimet përkatëse. Për debitorët të cilët kanë plotësuar kushtin, Komisioni miraton faljen dhe vazhdimin e procedurës së shuarjes për këta debitorë. Ky procesverbal nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e komisionit. Dega doganore procedon më pas me shuarjen e borxhit për debitorët të cilët përfitojnë nga falja; f) Lista e debitorëve të cilët kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar borxhi sipas nenit 26 pika 3 e ligjit i dërgohet edhe Drejtorisë së Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit Doganor në DPD; g) Debitorët të cilët kanë paguar një pjesë të principalit apo gjobës apo çdo pagesë tjetër në lidhje me borxhet e specifikuara në nenin 26 pika 3, përfitojnë nga falja vetëm për pjesën e mbetur të detyrimit bazuar në dispozitat e ligjit; h) Në rastet kur detyrimi doganor është zero, falen gjobat administrative të parashikuara në Kodin Doganor. 7. Procedura e administrimit të nenit 26 pika 4 a) Në kuptim të nenit 26 pika 4 e ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011 "Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor", do të kuptohen të gjithë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë në përdorim ose posedojnë, automjete, të cilat janë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë përmes regjimit të lejimit të përkohshëm deri më 31 dhjetor 2010 dhe për të cilat kanë kaluar afatet ligjore të qëndrimit nën këtë regjim, duke mos e mbyllur atë dhe duke mos paguar detyrimet doganore ndaj administratës doganore. Në këtë kategori nuk përfshihen emrat e individëve zyrtarë sipas listës së dërguar nga ILDKP-ja; b) Të gjithë debitorët përfitues sipas nenin 26 pika 4 duhet që brenda datës 31 dhjetor 2011, të paraqesin zyrtarisht pranë degës doganore ku është çelur regjimi i lejimit të përkohshëm kërkesën për përfitim nga neni 26 pika 4 të bashkëshoqëruar me kopjen e mandatpagesës që përfaqëson pagesën e 50% të detyrimit doganor (principalit) për efekt të plotësimit të kushtit të faljes. Mandati i pagesës së kryer nga debitori depozitohet në dosjen përkatëse të debitorit dhe një kopje e tij i vihet në dispozicion komisionit të administrimit të faljes; c) Komisioni brenda afateve të parashikuara në nenin 28 "Procedura e shuarjes së borxhit" të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011, analizon listën e këtyre debitorëve dhe evidenton nëse janë plotësuar kushtet e pagesës me qëllim përfitimin e faljes për pjesën tjetër të detyrimeve nga debitori. Në rast të mosplotësimit të kushtit (pagesës jo të plotë së 50 % të principalit apo mospagesës), debitori nuk miratohet për falje dhe shuarje të borxhit; d) Komisioni pas analizimit, verifikimit dhe evidentimit të të gjithë listës dhe pagesave respektive të këtyre debitorëve harton një procesverbal të detajuar në të cilin përcakton rastet që përfitojnë dhe ato që nuk përfitojnë, duke dhënë edhe sqarimet përkatëse. Për debitorët të cilët kanë plotësuar kushtin, Komisioni miraton faljen dhe vazhdimin e procedurës për zhdoganimin e automjetit sipas kushteve lehtësuese, si dhe shuarjes për pjesën tjetër të detyrimeve. Ky procesverbal nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e Komisionit. Dega doganore procedon më pas me njoftimin e këtyre debitorëve për miratimin e kërkesës së tyre për përfitim nga falja, si dhe kryen procedurën e zhdoganimit; e) Lista e debitorëve të cilat kanë përfituar nga falja dhe të cilëve u është shuar borxhi sipas nenit 26 pika 4 të ligjit i dërgohet edhe Drejtorisë së Antikontrabandës dhe Rikuperimit me Forcë të Borxhit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
III. Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme 1. Të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme dhe të regjistruar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, kanë të drejtë që brenda datës 31 dhjetor 2011, të bëjnë rivlerësimin e kësaj pasurie me vlerën e tregut. Në kategorinë e pasurisë së paluajtshme përfshihen toka dhe ndërtesa. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme është si më poshtë. Nga kjo e drejtë përfitojnë të gjithë shtetasit që zotërojnë pasuri të paluajtshme pa asnjë kufizim. 1.1. Individi paraqet kërkesën për rivlerësim të pasurisë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive ku është e regjistruar pasuria në pronësi të tij, duke plotësuar formularin e aplikimit sipas shtojcës nr.3 bashkëlidhur këtij udhëzimi. Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë ZVRPP-ja apo një ekspert i vlerësimit të pasurive i licencuar nga institucionet përkatëse. 1.2. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit të aplikimit duhet t'i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe aktvlerësimi i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe vulosur nga vlerësuesi i pasurisë. 1.3. Në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë zyra vendore e regjistrimit të pasurisë me çmimet minimale fiskale që aplikohen për vitin 2011, në bazë të udhëzimit të përbashkët midis Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, udhëzimi nr.9, datë 26.2.2008 "Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme", të ndryshuar. 1.4. Aplikuesi apo përfaqësuesi i tij me prokurë, paraqitet personalisht, me dokument identifikimi pranë ZVRPP-së dhe depoziton në dy kopje formularin e aplikimit te punonjësi i ZVRPP-së. Ky i fundit shqyrton të dhënat e plotësuara në formular dhe dokumentacionin bashkëlidhur (nëse ka). Nëse të dhënat janë të sakta, punonjësi i ZVRPP-së nënshkruan formularin e aplikimit dhe një kopje të tij ia jep aplikuesit. Nëse ka pasaktësi në plotësim, fton aplikuesin t'i korrigjojë. Brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës për aplikim për rivlerësim të pasurisë, zyra vendore e regjistrimit të pasurive plotëson pikën 4 të formularit me vlerën e pasurisë sipas çmimit të kontratës së shitblerjes, si dhe llogarit masën e tatimit me burim prej 1%, duke plotësuar pikën 5 të formularit të aplikimit. Në rastet kur pasuria e paluajtshme rezulton e regjistruar pa një kontratë shitjeje, atëherë për të përcaktuar vlerën e regjistrimit të pasurisë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përdoret metodika e përcaktimit të çmimit minimal fiskal në blerje sipas udhëzimit nr.9, datë 26.2.2008, të ndryshuar. a) ZVRPP-ja dërgon me postë, në adresën e shënuar nga aplikuesi, kopje të formularit të aplikimit, duke i bërë me dije aplikuesit se, që të vazhdojë procedura e rivlerësimit duhet të paguajë tatimin 1% të rivlerësimit, sipas pikës 5 të formularit të aplikimit. Me marrjen e formularit të aplikimit nga ZVRPP-ja, aplikuesi paguan në bankë, për llogari të thesarit të shtetit, tatimin 1% dhe ia bashkëlidh formularit të aplikimit. Me marrjen e mandatpagesës së tatimit nga aplikuesi, ZVRPPja bën ndryshimet përkatëse në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Data e rivlerësimit të pasurisë është data e pagimit të tatimit të rivlerësimit të pasurisë; b) Në rast se individi do të bëjë shitjen e pasurisë pas rivlerësimit, tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet si diferencë e çmimit të shitjes dhe çmimit të dalë nga rivlerësimi. Në rast se kjo diferencë është negative, individi nuk paguan tatim. 2. Në rast se individi ka në pronësi më shumë se një pasuri të paluajtshme dhe do të bëjë rivlerësimin e secilës prej tyre, procedura e rivlerësimit është individuale për secilën pasuri shpjeguar më lart.
IV. Falja e taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe taksës vjetore të qarkullimit rrugor 1. Për pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, po të pa çregjistruara deri në datën 31 dhjetor 2011, drejtoritë rajonale të shërbimit të transportit rrugor (DRSHTRR), kryejnë veprimet përkatëse të çregjistrimit të përhershëm të mjetit rrugor, brenda datës 31.12.2011, kur pronarët e mjeteve, debitorë për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, të dorëzojnë: a) formularin e vetëdeklarimit për shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit, sipas modelit të përgatitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR); b) certifikatën e pronësisë; c) lejen e qarkullimit; d) targat e mjetit. 2. Në rastet kur pronarët e mjeteve që nuk janë në qarkullim, nuk disponojnë, certifikatën e pronësisë, lejen e qarkullimit, targën, DRSHTRR-të, bën çregjistrimin e mjetit rrugor, brenda datës 31.12.2011, pasi subjekti të dorëzojë formularin e vetëdeklarimit, sipas modelit të përgatitur nga DPSHTRR-ja, për: a) shkatërrimin, skrapimin ose eksportimin përfundimtar jashtë shtetit të mjetit; b) mungesën e certifikatës së pronësisë; c) mungesën e lejes së qarkullimit; d) mungesën e targave. 3. Pas përfundimit të afatit kohor të përcaktuar në ligj, 31.12.2011, për kryerjen e veprimeve të çregjistrimit të mjeteve që nuk janë në qarkullim, DPSHTRR-ja heq nga regjistri aktiv dhe i mban në regjistrin pasiv, të gjitha mjetet, të cilat nuk kanë kryer kontrollet teknike të detyrueshme në dy vitet e fundit, duke njoftuar dhe pronaret e këtyre mjeteve. 4. Për pronarët e mjeteve që janë debitore për taksën vjetore të qarkullimit rrugor dhe taksën e regjistrimit të përvitshme, u falen pa pagesë të tilla detyrime. V. Procedurat administrative dhe të evidentimit që ndjek administrata tatimore Administrata tatimore nëpërmjet drejtorive rajonale tatimore, merr masa për evidentimin, dhe sistemimin e detyrimeve tatimore që parashikohen nga ligji nr.10 418, datë 21.4.2011. Procesi i dokumentimit dhe faljes objekt i këtij ligji përfundon në datën 28.2.2012. Brenda kësaj periudhe do të kryhen të gjitha sistemimet në kontabilitet dhe në sistemin informatik të tatimpaguesve objekt i këtij ligji. VI. Organet përgjegjëse për zbatimin e udhëzimit Ngarkohen me zbatimin e këtij udhëzimi strukturat e parashikuara në të, sipas kompetencave të specifikuara në këtë akt.
Shembull
Si legalizohen të ardhurat
Në datën 15 shtator 2011, individi X ka hapur një llogari bankare në bankën Y, në shumën prej 1,000,000 lekë, për legalizim në bazë të ligjit nr.10 418, datë 21.4.2011. Për efekt legalizimi, banka ka mbajtur si tatim në burim 3% të shumës, pra 30,000 lekë. Në rast se në datën 20 qershor 2012, ky individ paraqitet pranë bankës ku ka llogarinë bankare për të bërë transferim në një llogari bankare në Itali të shumës prej 500,000 lekësh, në këtë rast për të proceduar me transferimin, banka i mban 13 % të shumës që kërkohet të transferohet, pra 65,000 lekë.
Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania. comments powered by Disqus