Kryesore » 2012 » Maj » 14 » Teposhta e ATK-së
9:24 PM
Teposhta e ATK-së
Institucioni përgjegjës për grumbullimin e tatimeve të brendshme nuk i ka punët mirë me të hyra. Administrata Tatimore e Kosovës(ATK) muajve të fundit po ballafaqohet me rënie të të hyrave nga muaji në muaj, në vend se të ndodhte e kundërta, shkruan gazeta Zëri.Sipas raportit të buxhetit për periudhën janar-mars 2012, ATK-ja në janar të këtij viti ka grumbulluar 29.3 milionë euro të hyra, 20 milionë euro në shkurt dhe 15.3 milionë euro në mars, duke e përmbushur kështu vetëm 22 për qind të planit për tre muajt e parë të këtij viti.

Gjatë vitit 2012, sipas planit të Ministrisë së Financave, ATK do të duhet të grumbullojë 287.7 milionë euro, ndërsa për tre muajt e parë të vitit ka grumbulluar 64.7 milionë euro.

Më së shumti të hyra gjatë kësaj periudhe ATK ka grumbulluar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH), përkatësisht 31.8 milionë euro, 13.5 milionë euro nga tatimi në korporata, 12 milionë euro nga tatimi në paga, 6.3 milionë euro nga tatimi në biznese individuale.

Gazeta "Zëri” gjatë ditës së diel disa herë ka tentuar ta kontaktojë nëpërmjet telefonit drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Behxhet Halitin, për ta komentuar rënien e të hyrave të institucionit që e drejton, mirëpo ai nuk është përgjigjur fare në telefon.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se në bazë të statistikave të prezantuara ATK ka perfomuar dobët, duke mos rritur nivelin e të hyrave të brendshme.

Sipas tij, është shqetësuese se si institucionet kompetente nuk kanë ndonjë strategji për zgjerimin e të hyrave të brendshme në vend.

"Për ne është shqetësuese se si nuk ekziston ndonjë strategji për zgjerimin e mbledhjes së të hyrave të brendshme”, ka potencuar Rukiqi.

Ai ka shtuar se Administrata Tatimore e Kosovës duhet të fillojë të japë argumente që po e rrit mbledhjen e të hyrave të brendshme, në mënyrë që mos të bazohemi vetëm në të hyrat kufitare.

Në anën tjetër, Doganat e Kosovës kanë rritur të hyrat nga muaji në muaj gjatë periudhës janar-mars 2012, mirëpo ende janë larg përmbushjes së planit për këtë vit. Gjatë muajit janar Doganat kanë grumbulluar 40 milionë euro, 45.6 milionë euro në muajin shkurt dhe 56.7 milionë euro në mars të këtij viti.
Views: 499 | Added by: ksdardania | Rating: 0.0/0

Te nderuar komentues! Duke mos dashur te cenojme opinionet tuaja, lutemi qe ato te mos permbajne fyerje dhe ofendime personale dhe te kene lidhje me shkrimin, apo temen per te cilen komentohet. Ne te kundert, nuk do te publikohen. Ju falenderojme qe na ndiqni dhe ju ftojme te vazhdoni te jeni pjese e Ks-Dardania.
comments powered by Disqus

Content on this page requires a newer version of Adobe Flash Player.

Get Adobe Flash player